SHBA bllokon marrëveshjen e Lukoil me kompaninë zvicerane “kukull të Kremlinit”, Gunvor

Kompania zvicerane e tregtimit të lëndëve të para Gunvor ka tërhequr ofertën e saj prej 22 miliardë dollarësh për të blerë asetet ndërkombëtare të kompanisë ruse Lukoil, pasi Departamenti i Thesarit të SHBA-së tha se do ta bllokonte marrëveshjen dhe e quajti firmën “kukull e Kremlinit”.
Departamenti i Thesarit tha të enjten në X se Shtetet e Bashkuara “kurrë” nuk do t’i japin Gunvorit licencë për të operuar asetet e Lukoilit, përderisa presidenti rus Vladimir Putin “vazhdon vrasjet pa kuptim” në Ukrainë.
Gunvor e quajti komentet e Thesarit “thelbësisht të pasakta dhe të gabuara”, duke thënë se “për më shumë se një dekadë është distancuar aktivisht nga tregtimi i naftës ruse, ka shitur asetet e saj ruse dhe ka dënuar publikisht luftën në Ukrainë.”
Kompania i tha Politico Europe se megjithatë do ta tërhiqte propozimin “për momentin”, raporton the moscow times.
Kompania më e madhe private e naftës në Rusi, Lukoil, javën e kaluar pranoi ofertën e Gunvorit pas vendosjes së sanksioneve të reja amerikane që ndaluan kompaninë të operonte ndërkombëtarisht duke filluar nga 21 nëntori.
Vendimi i Thesarit për të bllokuar atë që do të ishte blerja më e madhe ndonjëherë e Gunvorit lë të pasigurt të ardhmen e operacioneve ndërkombëtare të Lukoilit. Marrëveshja e propozuar do të kishte përfshirë asetet globale të Lukoilit, përfshirë rafineritë në Bullgari dhe Rumani, një rrjet prej rreth 2000 stacionesh karburanti në Evropë dhe SHBA, si dhe projekte nafte dhe gazi në Kazakistan, Irak, Meksikë dhe Uzbekistan. Financial Times e vlerësoi vlerën e këtyre aseteve në 22 miliardë dollarë.
Paketa e sanksioneve amerikane gjithashtu kishte si objekt gjigantin shtetëror të energjisë Rosneft.
Lukoil nuk ka komentuar për dështimin e marrëveshjes.
E themeluar në vitin 2000 nga biznesmeni suedez Torbjörn Törnqvist dhe oligarku rus, Gennady Timchenko, Gunvor dikur ishte eksportuesi më i madh i naftës ruse.
Timchenko, një aleat i afërt i Putinit, shiti 43.6 për qind të aksioneve të tij në 2014, pak para se SHBA-ja ta sanksiononte për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia. Në atë kohë, Thesari pretendoi se Putini kishte “investime në Gunvor”, një pohim që kompania e ka mohuar. /Telegrafi/


















































