LAJMI I FUNDIT:

Serbia po shpopullon Luginën e Preshevës edhe me letra

Serbia po shpopullon Luginën e Preshevës edhe me letra

Fshirja e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po shqetëson në masë të madhe, përfaqësuesit të shqiptarëve atje. Ata, thonë se qëllimi i Serbisë është asimilimi i shqiptarëve në këtë zonë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, thonë se procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve po bëhet me qëllim që të ndryshohet përbërja demografike.


“Një proces juridik që Serbia p e shfrytëzon për të pasivizuar adresat dhe për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë. Edhe në Bujanoc e Preshevë po vazhdon ky trend por në një tempo më të ulët. Më shqetësuese situatë është në Medvegjë ku deri më tani janë fshirë mbi 1,200 votues shqiptarë të kësaj komune”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Shaip Kamberi.

“Një qasje e tilla ka për qëllim diskriminimin sistematik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Faza e fundit e asimilimit përkatësisht shpopullimit të shqiptarëve edhe përmes dokumentacioneve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ragmi Mustafa.

Ndërsa kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, thotë se ligji për vendbanim po zbatohet në mënyrë selektive.

“Ligji po zbatohet në mënyrë selektive sidomos në Medvegjë. I njëjti ligj nuk po zbatohet për minoritetet tjera e as për serbët”, deklaroi Belgzim Kamberi.

Për çregjistrimin e adresave të shqiptarëve kanë reaguar ministritë e jashtme, të Kosovës dhe Shqipërisë, duke kërkuar reagim ndërkombëtar./RTV Dukagjini/Telegrafi/