LAJMI I FUNDIT:

Serbia e Vulinit

Serbia e Vulinit

Sa herë e kemi thënë dhe e përsërisim: Serbia, edhe kjo e shekullit XXI, është e njëjta si më parë. Sepse, nuk ndryshon në mentalitetin e saj nacionalist, veçmas ndaj popullit shqiptar. Me deklaratat e kërcënimet me erë baroti.

Në këtë aspekt, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, duke kujtuar se është në kohën e Pashiqit, Çubrilloviqit, Andriqit, Qosiqit, Millosheviqit e Sheshelit, duke komentuar propozimin e kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti – për ta bërë të obligueshëm shërbimin ushtarak – reagon me shovinizëm se kinse ne po përgatitemi për luftë kundër Serbisë e se gjoja këtë projekt do ta financojë Perëndimi. Pastaj, ashtu siç i ka mësuar tradita e propagandës, kërcënon se Kosova paraqet rrezik për stabilitetin në Ballkan!


Ngjashëm me këso insinuata, serbët propagandonin edhe në vitet 1980, duke deklaruar kinse shqiptarët e Kosovës po e rrezikojmë paqen dhe sigurinë në Jugosllavi! Dhe, dihet pastaj se çfarë ndodhi.

Por, çka mendon Vulini, që Serbia sërish të armatoset deri në dhëmb e populli i Kosovës të presë duarthatë? Përse ai dhe udhëheqësit serbë janë aq të shqetësuar, të trembur nga Ushtria e Kosovës? Nga përgatitja dhe forcimi i saj?

Kërcënimet e tij më të reja, për gjoja përgatitje të konfliktit në rajon, janë spekulim, janë në vazhdën e një tradite të gënjeshtrave! Fatkeqësisht, BE-ja sërish po hesht.

Kosova është shtet i pavarur dhe ashtu siç e ka formuar Ushtrinë e Kosovës, ashtu do të përkujdeset që Ushtria të zhvillohet e përparojë sipas standardeve të ushtrive anëtare të NATO-së. Natyrisht, Kosova do të investojë në ushtri, sepse duhet. Ndërkaq, Vulini dhe bashkëmendimtarët e tij serbë, është mirë ta kuptojnë, sa më shpejtë, se ka perënduar koha kur Serbia e shkelte dhe e sundonte Kosovën.