LAJMI I FUNDIT:

Serbët festojnë Vidovdanin në Gazemistan

Serbët festojnë Vidovdanin në Gazemistan

Për çdo 28 qershor një pjesë e rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë bllokohet. Aty shtohet edhe numri i policëve. Edhe këtë të diele serbët kanë filluar të vijnë për festën e njohur si Vidovdani, që zhvillohet tek monumenti në Gazimestan, afër Obiliqit.

Një numër i konsiderueshëm i serbëve kanë filluar të vijnë në këtë ceromoni, derisa shumica janë duke arritur me vetura edhe nga Serbia. Të njëjtit nuk respektojnë distancën fizike, e nuk janë të pajisur me maska e doreza.


Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka thënë se Policia është në vendin e ngjarjes dhe po e përcjellë këtë zhvillim.

“Deri tash gjithçka ka shkuar në rregull dhe nuk ka ndonjë incident, po ashtu patrullat e Policisë janë të vendosura në të gjitha pikat e planit operativ”, ka thënë ai.

Kremtimi i Vidovdanit ndërlidhet me përvjetorin e 631-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.