LAJMI I FUNDIT:

Senati zgjedh Kash Patelin për drejtor të FBI

Senati zgjedh Kash Patelin për drejtor të FBI

Senati konfirmoi Kash Patelin si drejtorin e FBI-së, një njeri besnik të presidentit amerikan, Donald Trump dhe një figurë të zjarrtë konservatore në krye të agjencisë më të lartë të zbatimit të ligjit në vend.

Emërimi i tij u përball me një shqyrtim të ashpër nga demokratët në Capitol Hill, të cilët paralajmëruan se Patel mund ta përdorë pozitën për të kërkuar hakmarrje kundër armiqve politikë të liderit amerikan.

Gjatë seancës së konfirmimit në Senat, Patel tha se nuk do të ketë “politizim” në FBI dhe “asnjë veprim hakmarrës”, duke akuzuar demokratët për nxjerrje jashtë kontekstit të komenteve të mëparshme. “Pjesë të shkëputura të informacionit shpesh janë mashtruese”, tha ai, shkruan cnn.


Mandati i drejtorit të FBI-së supozohet të jetë 10 vjet për ta izoluar pozitën nga politika. Por, pasi fitoi sërish Shtëpinë e Bardhë, Trump e bëri të qartë se dëshironte largimin e shefit të atëhershëm të FBI-së, Chris Wray, gjë që çoi në dorëheqjen e tij dhe hapi rrugën për konfirmimin e Patel.

Republikanët e kanë mbrojtur zgjedhjen e Trumpit për të udhëhequr FBI-në, duke argumentuar se Patel do të sjellë transparencë të nevojshme në agjenci dhe duke hedhur poshtë deklaratat e tij të mëparshme kontroverse si hiperbolizime.

Senati republikan ka miratuar tashmë një sërë emrash që fillimisht u përballën me skepticizëm nëse do të konfirmoheshin, përfshirë Robert F. Kennedy Jr. si Sekretar të Shëndetësisë, Pete Hegseth si Sekretar të Mbrojtjes dhe Tulsi Gabbard si drejtoreshë të inteligjencës kombëtare. /Telegrafi/