LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet e zemrës dhe diabeti

Sëmundjet e zemrës dhe diabeti

Sëmundja e zemrës është e shpeshtë tek njerëzit me diabet. Statistikat nga Shoqata Amerikane e Zemrës vlerësojnë se sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru janë përgjegjëse për 2/3 deri në ¾ e vdekjeve në mesin e personave me diabet.

Derisa të gjithë njerëzit me diabet kanë shanse të rritura të zhvillimit të sëmundjet e zemrës, kjo është më e shpeshtë tek ata me tipin 2 të diabetit, transmeton Telegrafi.

Një prej dëshmive të para që tregojnë se njerëzit me diabet janë më të prirë ndaj sëmundjeve të zemrës ka qenë një studim i gjerë i njohur si “Framingham study”. Ky studim ka analizuar disa gjenerata për të përcaktuar faktorët e paraqitjes së sëmundjes së zemrës.

Studimi ka treguar faktorë të shumtë që mund të rrisin gjasat për zhvillim të saj. Një rrezik i dukshëm ishte të qenit me diabet. Nga të tjerat janë përfshirë tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, nivelet e rritura të kolesterolit dhe historia familjare e sëmundjes së hershme të zemrës.


Sa më shumë faktorë të rrezikut që ka pasur personi, gjasat për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës kanë qenë më të larta. Si çdokush tjetër, njerëzit me diabet kanë një rrezik të rritur të vdesin nga sëmundja e zemrës nëse ata kanë më shumë faktorë të rrezikut. Sidoqoftë, gjasat janë më të larta tek personat me diabet. Andaj, derisa një person me një faktor të rrezikut mund të ketë gjasa reale të vdesë nga sulmi në zemër, personi me diabet ka rrezik të dyfishtë ose madje të katërfishtë.

Një studim, për shembull, ka gjetur se njerëzit me diabet të cilët nuk kanë pasur faktorë të tjerë të rrezikut nga sëmundjet e zemrës kanë qenë 5 herë më të prirë të vdesin nga kjo sëmundje, krahasuar me ata pa diabet.

Një studim tjetër ka treguar se njerëzit me nivel të lartë të sheqerit, pavarësisht prej numrit të faktorëve të tjerë të rrezikut të sëmundjeve të zemrës, ishin po aq të prirë të kenë sulm në zemër sa edhe personat jo diabetikë të cilët kanë pasur tashmë sulm në zemër.

Kështu që, diabeti konsiderohet i barabartë me sëmundjen e zemrës. Dhe, ekspertët rekomandojnë që të gjithë njerëzit me diabet duhet t’i trajtojnë faktorët e rrezikut po aq fort sa edhe njerëzit që tashmë kanë pasur sulme në zemër.

Kush e shkakton sëmundjet e zemrës?

Shkak më i shpeshtë i çrregullimeve në zemrën e një personi me diabet është forcimi i arterieve ose ateroskleroza, që shkaktohet nga kolesteroli në enët e gjakut, të cilat e dërgojnë oksigjenin dhe ushqimin në zemër.

Pllakëzat e kolesterolit që formohen, mund të copëtohen ose thyhen duke e bërë gjakun të dendur dhe duke bllokuar enët e gjakut. Kjo mund të pasohet me sulm në zemër. I njëjti proces ngjan në të gjitha arteriet e trupit, duke çuar në mungesë të gjakut në tru, duke shkaktuar sulme në tru ose mungesë të gjakut në këmbë, duar ose kraharorë duke shkaktuar çrregullime vaskulare periferike.

Njerëzit me diabet janë po ashtu në rrezik të lartë nga pamjaftueshmëria e zemrës, gjendje në të cilën zemra nuk është në gjendje të pompojë gjakun në mënyrë të duhur. Kjo mund të bëjë që lëngjet të grumbullohen në mushkëri duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, ose rikthim të lëngjeve në pjesët tjera të trupit (veçanërisht këmbë) që shkakton ënjtje.

Si trajtohen sëmundjet e zemrës?

Ekzistojnë disa opsione të trajtimit varësisht prej shpeshtësisë së sëmundjeve, përfshirë:

• Terapia me aspirinë për të ulur rrezikun e mpiksjes që çon në sulme në zemër dhe në tru.
• Ushqimi.
• Ushtrime fizike jo vetëm për humbjen e peshës, por për të rritur kontrollin e glukozës, shtypjes së lartë të gjakut, niveleve të kolesterolit dhe për të ulur trashësinë abdominale, faktorin e rrezikut të sëmundjes së zemrës.
• Barnat.
• Operacioni.

Cilat janë shenjat e çrregullimit të zemrës?

• Frymëmarrje të shkurta.
• Ndjenja e dobësisë.
• Ndjenja e marramendjes.
• Djersitje e tepruar dhe e pashpjegueshme.
• Dhembje në kraharorë, grykë dhe në krahun e majtë.
• Dhimbje ose presion në gjoks (veçanërisht gjatë aktivitetit).
• Nauze (mundim).
• Nëse keni ndonjë prej këtyre simptomave, duhet të thërrisni mjekut tuaj ose të drejtoheni menjëherë tek shërbimi më i afërt i emergjencës.

Sëmundjet vaskulare periferike kanë këto simptoma:

• Ngërçe në këmbë derisa ecni.
• Këmbë të ftohta.
• Puls i ulur ose mungesë e pulsit në shputa ose këmbë.
• Humbje e dhjamit nën lëkurë të pjesëve më të poshtme të këmbëve.
• Humbje e qimeve në pjesët më të ulëta të këmbëve.

Si trajtohet çrregullimi vaskular periferik?

 Angazhimi në një program të rregullt të ecjes (45 minuta në ditë, i pasuar me
pushim).
• Mbathja e këpucëve speciale.
• Terapia me aspirinë.
• Barnat.
• Mos pirrja e duhanit.
• Doza të ulëta të aspirinës rekomandohen për burrat dhe gratë me diabet të cilët janë mbi moshën 30 vjeçare dhe janë në rrezik të lartë nga sëmundja e zemrës dhe sëmundja periferike vaskulare. Flisni me doktorin tuaj për të përcaktuar nëse terapia me aspirinë është e nevojshme për ju. Nëse keni sëmundje të caktuara, terapia me aspirinë mund të mos rekomandohet.

Si mund të parandalohet çrregullimi i zemrës tek personat me diabet?

• Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut është të kujdeseni mirë për veten dhe diabetin tuaj. Mbani glukozën në gjak në nivel sa më normal që mundeni.
• Kontrolloni shtypjen e gjakut, nëse është e nevojshme merrni edhe barna. Njerëzit me diabet duhet të kenë shtypjen nën 130/80.
• Mbani kolesterolin nën kontroll. Ndoshta do të keni nevojë për barna për ta bërë këtë.
• Humbisni peshën nëse jeni të mbipeshë.
• Pyeteni mjekun tuaj nëse duhet të merrni aspirinë ditor.
• Merruni me ushtrime fizike rregullisht.
• Hani ushqim të shëndetshëm për zemrën, të pakët me yndyra dhe kripë.
• Leni duhanin.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori