SBASHK-u në pritje të institucioneve të reja për adresimin e kërkesave, nuk përjashtojnë mundësinë për grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se Këshilli drejtues ka mbajtur mbledhjen e radhës si dhe ka trajtuar çështje që kanë të bëjnë me arsimin në vend.
SBASHK-u në njoftimin për media bën të ditur se një nga temat kryesore ishte mungesa e teksteve shkollore, problem që po përsëritet edhe këtë vit.
“Kryetarët e niveleve komunale raportuan se situata është më e theksuar te klasat VI–IX, ku ka mungesë të librave për shkak të dallimeve në numrin e nxënësve krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa tekstet e dorëzuara janë shpesh të dëmtuara dhe pothuajse të papërdorshme.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte shqetësimi për mosformimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Këshilli Drejtues vlerësoi se vonesat e gjata po dëmtojnë procesin arsimor dhe zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve të arsimit. U ra dakord që sapo të formohet Qeveria, SBASHK-u të nisë dialogun për adresimin e kërkesave të kahershme të anëtarësisë”, thuhet në reagim.
Tutje bëhet e ditur se nëse nuk do të ketë gatishmëri për dialog dhe rezultate konkrete, SBASHK-u do të nisë veprime sindikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme.
Gjithashtu, Këshilli Drejtues mori vendim unanim që udhëheqësit e Shoqatave Sindikale që garojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, të dorëhiqen nga pozitat sindikale ose ndaj tyre të ndërmerret vendimi për shkarkim deri në përfundim të procesit zgjedhor.
SBASHK thekson se po ashtu janë trajtuar edhe tema të tjera që ndërlidhen me organizimin dhe funksionimin e sindikatës. /Telegrafi/













































