LAJMI I FUNDIT:

Save the Children Kosova organizon panairin “Gjithëpërfshirja në punësim”

Save the Children Kosova organizon panairin “Gjithëpërfshirja në punësim”

Save the Children Kosova/o, në partneritet me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar dhe Odën Ekonomike të Kosovës, organizojnë panairin e punës për personat me aftësi të kufizuara “Gjithëpërfshirja në punësim”, më 14 Shtator 2023 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Duke nxjerrë në pah nevojat e personave me aftësi të kufizuara, ky panair ka për qëllim mbështetjen e tyre që të prezantojnë aftësitë dhe njohuritë, në bashkëbisedim me punëdhënësit potencial. Bizneset lokale nga i gjithë vendi do të kenë mundësinë që përmes këtij panairi të rrisin kontributin e tyre në promovimin dhe adaptimin e parimeve gjithëpërfshirëse në tregun e punës.


“Save the Children Kosova/o promovon dhe punon në zgjerimin e parimeve të gjithëpërfshirjes, si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës. Përmes këtij panairi, ne u bëjmë thirrje bartësve të detyrave, sektorit privat dhe partnerëve të shoqërisë civile që të rrisin ambiciet për të vepruar për rritje të ndërgjegjësimit, promovimit të vlerave dhe praktikave gjithëpërfshirëse për një shoqëri dhe treg të hapur të punës”, thekson Ahmet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i Save the Children Kosova/o.

Hapja e këtij panairi do bëhet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, Drejtori Ekzekutiv i Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, Drejtori Ekzekutiv i Save the Children Kosova/o, Ahmet Kryeziu dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Botërore, shfaqin nivelin e ulët të punësimit të të rinjve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara, duke theksuar posaçërisht sfidat me të cilat përballen gratë dhe personat të cilët jetojnë në zona rurale. Të dhënat tregojnë se vetëm 15% e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë të moshës 15-65 vjeç janë të punësuar.