“Santiago Bernabeu” e fal Viniciusin, por braziliani nuk e feston golin me tifozët – përqafon Arbeloan

Vinicius Junior ishte në qendër të vëmendjes në mbrëmjen e Ligës së Kampionëve në “Santiago Bernabéu”, në një ndeshje të veçantë për Real Madridin dhe për vetë brazilianin.
Edhe pse tifozët e falën dhe e mbështetën hapur, ylli i madrilenëve zgjodhi të mos e festonte golin e tij me tribunat.
Në pjesën e dytë, Vinicius shënoi një gol spektakolar, duke hyrë në zonë dhe lëshuar një gjuajtje të fuqishme që u ndal në cepin e sipërm të portës. Stadiumi shpërtheu në duartrokitje, por ndryshe nga pritshmëritë, braziliani nuk vrapoi drejt tifozëve për të festuar.
Pavarësisht përpjekjes së Kylian Mbappe për ta afruar drejt tribunave, Vinicius u drejtua fillimisht në qendër të fushës, ku përqafoi disa nga bashkëlojtarët, e më pas shkoi drejtpërdrejt te Alvaro Arbeloa, duke e përqafuar ngrohtësisht.

Një gjest simbolik, që tregon mbështetjen e fortë që trajneri spanjoll i ka dhënë atij që nga dita e parë.
Mbështetja e Mbappes dhe reagimi i stadiumit
Gjatë gjithë ndeshjes, sa herë që Vinicius prekte topin, Mbappe shikonte nga tribunat, me gjeste që nënkuptonin mbështetje të plotë. Para takimit, francezi kishte deklaruar.
“Duhet ta mbrojmë më mirë. Ai nuk do të jetë kurrë vetëm në Madrid”.
Një moment kyç erdhi në minutën e 41-të, kur Vinicius tentoi një veprim individual, humbi topin dhe stadiumi për një çast murmuriti. Por reagimi ishte i menjëhershëm: një ovacion i fuqishëm nga “Santiago Bernabeu”, që heshti çdo dyshim dhe tregoi se tifozët ishin në anën e tij.

Përveç golit, Vinicius dha edhe një asist vendimtar për Mastantuonon, ndërsa tifozët filluan ta thërrisnin emrin e tij në kor: “Vinicius, Vinicius, Vinicius!”.
BernabEu e bëri të qartë: falja dhe mbështetja janë aty. Vinicius, nga ana e tij, zgjodhi ta shprehte këtë moment në heshtje, me gjeste dhe përqafime – një mesazh që flet po aq fort sa një festë para tribunave. /Telegrafi/





















































