Samsung publikon beta-n e gjashtë të One UI 9 për serinë Galaxy S26

Samsung ka nisur shpërndarjen e beta-s së gjashtë të One UI 9 për serinë Galaxy S26, rreth dy javë pas publikimit të versionit të pestë testues.
Përditësimi ka një madhësi prej rreth 851 MB dhe përfshin paketën e sigurisë të 5 gushtit 2026, transmeton Telegrafi.
Aktualisht është i disponueshëm në Gjermani, Indi, Poloni, Mbretërinë e Bashkuar dhe Korenë e Jugut, ndërsa pritet të mbërrijë së shpejti edhe në SHBA.
Versioni i ri, me numrin e ndërtimit ZZHE, sjell një sërë korrigjimesh. Samsung ka rregulluar problemet me shfaqjen e widget-it Now Brief dhe ekranit kryesor, si dhe disa probleme gjatë ruajtjes së fotografive në Expert RAW 24MP në distanca të caktuara fokale. Janë përmirësuar gjithashtu problemet që preknin widget-in e kamerës.
Një nga risitë më interesante është opsioni i ri “Touch and hold for AI Select”, që gjendet te Settings > Display > Edge panels.
Kur aktivizohet, mbajtja shtypur e panelit anësor do të hapë automatikisht funksionin AI Select. Nëse çaktivizohet, veprimi nuk do të shkaktojë asgjë, duke parandaluar aktivizimet aksidentale.
AI Select është versioni i ri i Samsung për funksionin Smart Select. Ai mundëson përzgjedhjen e një pjese të ekranit për të nxjerrë tekst të redaktueshëm, krijuar GIF-e nga videot ose për ta dërguar përmbajtjen te Generative Edit dhe Drawing Assist.
Në thelb, funksioni synon të ofrojë një përvojë të ngjashme me Circle to Search të Google, por me mjete shtesë për përpunimin dhe krijimin e përmbajtjes.
Beta 6 është një tjetër hap drejt versionit final të One UI 9, me fokus te stabiliteti, siguria dhe përmirësimi i funksioneve të inteligjencës artificiale në Galaxy S26. /Telegrafi/





































