LAJMI I FUNDIT:

Sami Repishti iku, la pas një monument!

Sami Repishti iku, la pas një monument!
Ilustrim

Sa keq që ka vdekë Sami Repishti [1925-2024]! Si një zë nga qielli shfaqej ai në botën shqiptare, herë pas here, kur urtia e tij përkufizohej si shpresë! Diku në faqet e para të librit “Nën hijen e Rozafës”, Repishti na rrëfen se si teksa mësuesi i historisë u fliste studentëve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, një shok klase ofshan e plot pafajni thotë: “Sa keq që ka vdekë Skënderbeu”!

Një keqardhje e tillë duket e shoqëron qysh në vogli edhe Sami Repishtin, sepse në vetëdijshëm Skënderbeu është për të “mbinjeriu” shqiptar që ndryshon rrjedhat e historisë! Kjo ofshamë duhet t’i dalë sot çdo shqiptari që e ka shijen e kulturës, të lirisë, të dinjitetit njerëzor, të një shoqnie pa dhunë e padrejtësi, apo atë sublimitetit të Atdheut!

Sami Repishti, një nder intelektualet më të mëdhenj shqiptar, futur në mes të dy shekujve, ndërroi jetë! Gjithë jetën e tij ia kushtoi dinjitetit njerëzor, lirisë individuale e shoqërore! Shqiptar rracet e shkodran sojit, shkrimtar, disident, i burgosur politik, filozof, profesor në Amerikë, veprimtar pranë administratave të ndryshme të ShBA-së, kohe e gjitha e shpenzuar për Shqipërinë e Kosovën, në konflikt të pareshtur me tiraninë komuniste e shtypjen nacionale!


I formuar në Perëndim, për 10 vjet i burgosur pas perdes së hekurt! I arratisur si në legjenda, mbërrin në vendin e lirive! Mundësinë personale e kthen në perspektive shqiptare! Bashkëkohës e mik i të mëdhenjve, Koliqi, Camaj, Pipa, i madh sa ata! Ideolog i identitetit europian të shqiptarëve po kaq i mendësisë dhe standardeve demokratike! “Gjithë rininë e kam kaluar në vendin tim të lindjes, Shqipëria, ku kam parë tërë skenat çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore. I ri pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945 përballë një ideologjie totalitare dhe një qeverie që e quanin ‘pushteti i popullit’. Realiteti që përjetova, dërrmoi tërë shpresat e mija dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën ‘rebel’. E pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat që rrodhën; dhjetë vjet tortura, burg, kamp përqendrimi dhe punë të detyruar. Më 1959 kalova me armë kufirin … Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtëroi të burgosur në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, me mënyra nga më të llahtarshmet… Të jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri. Të përballosh torturën, të sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason dhe këtë për dhjetë vjet më radhë, është një agoni shumë më e thellë se ajo e vdekjes”!

Kjo pjesë autobiografike gjendet te “Dialektika e rendit dhe e rebelimit tek Andre Malraux”, një kryevepër e llojit në sociologji e filozofi! Në paqe mes Islamit dhe Krishterimit, i fisëm në qëndrime, i paepur në bindje, magjepsës në vepra të shkruara e të folura, ndikues i madh atje ku çdo njëri prej nesh ndihet i vogël, pranë, presidenteve të ShBA-së apo në katedrat historike të qytetërimit perëndimor, dje shkoi në amshim, një nga ata që i lind rrallë shoqi! Iku dhe la një monument të shqiptarit që mblodhi në vete valencat e historisë e ka shqisat e modernitetit, la monumentin e intelektualit të kalibrit, atë të klerikut të lirisë e dinjitetit në përballje me tiraninë, të patriotit që e do vendin e tij edhe kur ai të vret! Iku Gega i fundit madhështor!

___________

Lexo po ashtu: Shkrimet e Sami Repishtit

Në trend

Më shumë
Operacion i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me FBI amerikane, tre të arrestuar për përfitime në tregun kriminal online

Operacion i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me FBI amerikane, tre të arrestuar për përfitime në tregun kriminal online

Kronika e Zezë
“Si skllave” - punëtoret filipineze në Kosovë durojnë abuzimet në heshtje

“Si skllave” - punëtoret filipineze në Kosovë durojnë abuzimet në heshtje

Lajme
Bllokadë totale e fakulteteve në Serbi, studentët vazhdojnë protestën

Bllokadë totale e fakulteteve në Serbi, studentët vazhdojnë protestën

Serbia
Lista Serbe pjesë e zgjedhjeve, reagon Haradinaj-Stublla: Rikthehet lista “e reformuar” e Radoiçiqit

Lista Serbe pjesë e zgjedhjeve, reagon Haradinaj-Stublla: Rikthehet lista “e reformuar” e Radoiçiqit

Lajme
Policia në kërkim të një personi në Prishtinë, kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e tij

Policia në kërkim të një personi në Prishtinë, kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e tij

Kronika e Zezë
Severe Weather Europe me parashikimin më të fundit të motit për tre muajt e ardhshëm

Severe Weather Europe me parashikimin më të fundit të motit për tre muajt e ardhshëm

Evropa
Kalo në kategori