Sami Boroci garon për mandatin e katërt në Prishtinë me numrin 5 në listën e LDK-së

Sami Boroci ka bërë tashmë të ditur se do të rikandidojë për mandatin e katërt si anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke theksuar se synon të vazhdojë kontributin e tij për kryeqytetin.
Boroci tha se tri mandatet e tij të kaluara kanë qenë një përvojë e rëndësishme dhe se ndihet krenar për projektet dhe çështjet që ka adresuar gjatë kësaj periudhe.
“Jam krenar për rolin dhe punët e mira që kam adresuar aty – shumë prej tyre janë zgjidhur e realizuar. Ka projekte për të cilat gjithmonë do të ndihem krenar, sepse nga ky pozicion pata mundësinë t’i propozoj, t’i avokoj dhe t’i realizoj bashkë me ekipin komunal”, tha Boroci.
Ai theksoi se angazhimi i tij në Kuvendin Komunal është karakterizuar nga “sinqeriteti, korrektësia dhe dinjiteti” në raport me qytetarët e Prishtinës, ndërsa shtoi se mbështetja e familjes, shoqërisë dhe qytetarëve ka qenë forca e tij kryesore.
Boroci do të garojë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të mbajë numrin 5, pas marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe Aleancës Kosova e Re (AKR). Ai tha se ky bashkim është “i natyrshëm”, i mbështetur nga presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me qëllim të fuqizimit të kryeqytetit përmes një mandati të ri për kryetarin aktual, Përparim Rama.
Në fund, Boroci kërkoi edhe një herë mbështetjen e qytetarëve për të vazhduar përfaqësimin e tyre për katër vitet e ardhshme, duke u zotuar për “profesionalizëm, transparencë dhe ndershmëri”.

















































