LAJMI I FUNDIT:

Salvini “shpall luftë”: Fundi i Gjermani-Francë! Itali-Poloni do ndërtojnë BE-në e re

Salvini “shpall luftë”: Fundi i Gjermani-Francë! Itali-Poloni do ndërtojnë BE-në e re

Me pretendimin se “Italia është motor i Rilindjes europiane”, zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini ka sulmuar ashpër aleatët e tij nga Bashkimi Europian, duke kundërshtuar kushtet e tyre për pranimin e emigrantëve.

“Vendos unë”, është shprehur Salvini, duke theksuar më tej se do të provojë “se armiqtë e Europës, euroskeptikët e vërtetë, janë ata që kanë qeverisur keq shumë vite në BE”.


“Europa duhet të rizbulojë vizionin e saj origjinal, misionin e saj fillestar për të bërë më pak gjëra dhe t’i bëjë ato mirë, duke garantuar punësim të plotë, siç është përcaktuar në “Traktatin e Mastrihtit”, duke garantuar mirëqenien ekonomike dhe sociale të popullit europian”, tha zv/kryeministri italian për RTL Radio.

Por Salvini ka vazhduar më tej duke u zotuar se do të revolucionojë Bashkimin Europian në një sulm që pritet të rëndojë raportin e tij me Brukselin zyrtar.

Përveç intervistës në RTL, lideri i “Lega Nord” sulmoi sërish BE-në gjatë vizitës në Varshavë, ku tha se “Italia dhe Polonia mund të shkaktojnë një ‘pranverë evropiane’ që mund të thyejë boshtin mbizotërues ‘Gjermani-Francë’”, teksa përpiqet të krijojë aleanca ekstreme para zgjedhjeve parlamentare evropiane në maj.

Qeveria populiste italiane dhe ajo polake kanë pikëpamje të ngjashme kundër emigracionit, anti-muslimanëve dhe euroskeptikëve, përcjell gsh.

Salvini tha gjatë një konference shtypi me ministrin e brendshëm polak, Joachim Brudziński, se Evropa që mund të dalë pas zgjedhjeve mund të sjellë një “rilindje të vlerave evropiane” dhe “të na largojë nga ajo që drejtohet nga burokratët”.

Brudziński vlerësoi strategjinë e linjës së ashpër të emigracionit të Salvinit, e cila ka përfshirë mbylljen e porteve italiane ndaj anijeve të emigrantëve, duke shtuar se të dy vendet kanë qëllime të përbashkëta të tilla si “forcimi i kufijve”.

Salvini e parashtroi së pari idenë e një rrjeti pan-europian të partive nacionaliste disa javë pas formimit të një qeverie koalicioni me ish-rivalët, lëvizjen anti-establishment “5 Yje”, qershorin e kaluar dhe tashmë po shkon drejt formalizimit, pasi ka krijuar partneritet kreun e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, apo Viktor Orbanin e Hungarisë.

Në të njëjtën kohë, partneri i koalicionit Salvini, Luigi Di Maio, njoftoi se po përgatiste një manifest zgjedhjesh me grupet populiste evropiane që janë në koherencë me “5 Yjet” e tij.

Ai mbajti një takim në Bruksel të martën me Paweł Kukiz, një ish-yll roku që kryeson “Kukizin e Poloni15”; Ivan Sinçiç, i “Murit të Gjallë” të Kroacisë dhe Karolina Kähönen, bashkë-themeluese e “Liike Nyt”, e cila e përshkruan veten si një lëvizje politike liberale në Finlandë.

“Ata janë të rinj, por ata kanë një konsensus gjithnjë në rritje”, shkruante Di Maio në Facebook.

“Ata kanë energjinë më të bukur në Evropë. Ëndrra jonë është një Evropë me më shumë të drejta sociale, më shumë risi dhe më pak privilegje. Një Evropë që i vë nevojat e qytetarëve të saj në rresht të parë”, theksonte ai.