Në Ballkan, sallata ruse është pjata e domosdoshme e festave; shfaqet në tryezë për Vitin e Ri dhe për çdo rast “të madh”, gjithmonë e ftohtë dhe përherë shija e njëjtë. Kjo sallatë ruse, apo stoliçni salad, u shpik dy shekuj më parë nga kuzhinieri francez Lucien Olivier në restorantin më të famshëm të Shën Petërburgut. Patate të ziera, bizele, karrota, kastraveca, majonezë; gjithçka e grirë imët dhe e përzier me durim, derisa përbërësit humbin konturet dhe bëhen një masë e vetme. Askush nuk dallon dot më se çfarë ishte patate apo karrotë; gjithçka shkrihet në një shije kolektive amorfe. Gjykata Speciale u krijua pikërisht kështu; me shumë përbërës, shumë duar një recetë ruse e gatuar në Strasburg të Francës dhe e servirur dhe gëlltitur në cepin tonë ballkanik.

“Sallata ruse” nisi gatimin që në fazën embrionale të shtetësisë së Kosovës. Më 15 prill 2008, deputeti rus i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, dorëzoi propozimin për rezolutë mbi “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve” të mbështetur ekskluzivisht në deklaratat e librit që Carla Del Ponte kishte botuar pak ditë më herët. Kjo tentativë e parë dështoi, por u rishfaq sërish si një përpjekje për të delegjitimuar e njollosur një tjetër arritje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila konfirmoi që shpallja e pavarësisë ishte e ligjshme. Në një moment konsolidimi juridik për shtetin e ri u rishfaq narrativa e trafikimit të organeve për ta zhvendosur debatin nga ligjshmëria te morali; nga e drejta ndërkombëtare te dosja penale. Për këtë u zgjodh një figurë nga një vend “neutral”, Dick Marty, i cili i kishe shërbyer me besnikëri interesave ruse në Këshillin e Evropës edhe më herët. Bëhet fjalë për raportit e vitit 2006 të Dick Martyt në Këshillin e Evropës të quajtur “Ndalime sekrete dhe transferime të paligjshme ndërmjet shteteve anëtare” i cili trajtonte burgjet sekrete dhe fluturimet e fshehta të CIA-s në Evropë gjatë luftës kundër terrorizmit.


Më 12 dhjetor 2010, Dick Marty dorëzoi raportin e tij famëkeq mbi “trajtimin çnjerëzor dhe trafikimin e organeve” në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cili më 25 janar 2011 e vulos si Rezoluta 1782. Bazuar në këtë rezolutë dhe nën presion ndërkombëtar, u krijua Task Forca Hetimore Speciale (SITF), e udhëhequr nga BE, për të hetuar pretendimet e raportit Marty. Në vitin 2014, vetë Task Forca pranoi se nuk kishte prova për trafik organesh, por askush nuk e ndali procesin. Orteku tashmë ishte vënë në lëvizje. Përkundrazi, nga një akuzë e rrëzuar u ndërtua një gjykatë e re. Në vitin 2015, Kosova ndryshoi Kushtetutën dhe më 2016 u ngritën Dhomat e Specializuara. Sot, një dekadë më pas, shohim rezultatin brutal të recetës ruse, se si ajo që nisi si trill biologjik u shndërrua në arkitekturë juridike, dhe kjo arkitekturë po prodhon akuza të rënda kolektive ndaj luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë.

Ajo që e bën këtë sallatë edhe më të hidhur dhe konfirmon dyshimet e origjinës nga Lindja, është fakti që Këshilli i Evropës, në kohën e rezolutës, drejtohej nga një person që dosjet Epstein, mediat dhe dezertorët e inteligjencës ruse në Perëndim e konsiderojnë bashkëpunëtor të KGB-së që nga vitet ’70 të shekullit XX, me nofkën “Juri”. Bëhet fjalë për Thorbjørn Jagland (ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës në vitet 2009-2019 dhe ish-kryeministër i Norvegjisë) ndaj të cilit tashmë kanë nisur dyshimet se ka shërbyer për dekada si një nga asetet më të rëndësishme të ndikimit rus në Evropë. Këto dyshime ekzistonin edhe më herët, sidomos gjatë fushatës së Jaglandit për rehabilitimin e Rusisë brenda institucioneve evropiane (duke i rikthyer të drejtën e votës pas aneksimit të Krimesë) si dhe gjatë presionit që ushtronte ndaj Azerbajxhanit, një vendi që luan rol kritik në sigurinë energjetike dhe strategjinë e diversifikimit të Evropës.

Çështja e “trafikimeve të organeve” ishte në vetvete një letër bixhozi fshehur në mëngën e agjenturave ruse të cilat e kishin përdorur edhe më herët në Kaukaz këtë mjet të kriminalizimit ekstrem të kundërshtarëve. Për të justifikuar represaliet mizore të forcave qeveritare ruse në Çeçeni në fillim të viteve 2000, media pro-qeveritare ruse dhe disa zyrtarë sigurie akuzuan grupet separatiste çeçene për rrëmbime për shpërblim, trafikim qeniesh njerëzore dhe shitje organesh nga viktima të rrëmbimit ose luftës. E njëjta recetë e gatuar në Moskë u përdor edhe gjatë trazirave të armatosura me popullsinë muslimane të Dagestanit dhe Ingushetisë pak kohë më vonë, si taktikë për të dehumanizuar palën tjetër në sytë e opinionit vendas e ndërkombëtar.

Madje kaq i suksesshëm ka qenë ky përbërës i menysë ruse të operacioneve speciale (që ndryshe në terminologji quhen masa aktive) sa pretendimi për trafik organesh u përdor edhe për konfliktin e brendshëm të Sirisë pas vitit 2015 ku media shtetërore ruse dhe zyrtarë të Moskës kanë akuzuar grupe opozitare siriane për trafik organesh nga civilë dhe refugjatë, në bashkëpunim me rrjete kriminale. E njëjta armë u përdor edhe për Ukrainën pas vitit 2022, ku Rusia ka akuzuar Ukrainën për trafik organesh nga ushtarë të vrarë nëpër “laboratorë biologjikë” me rrjete të mbështetura nga Perëndimi. Kuptohet që asnjë nga këto akuza nuk është verifikuar nga mekanizma ndërkombëtarë të pavarur.

Akuza për trafik organesh u përzgjodh nga rusët sepse është veçanërisht efikase, sepse nuk synon që të të bindë, por që me të tronditë; nuk kërkon prova, por prodhon neveri. Ajo godet drejtpërdrejt instinktin njerëzor, duke e zhvendosur konfliktin nga politika te biologjia, nga historia te trupi. Ajo prek drejtpërdrejt një nga nervat më të ndjeshëm të botës perëndimore, mbrojtjen e trupit dhe të jetës njerëzore. Si e tillë e vendosi Bashkimin Evropian përballë një sprove morale të vështirë; ose reagon fort ndaj një krimi monstruoz të supozuar, ose rrezikon të akuzohet për indiferencë ndaj vuajtjes së skajshme njerëzore.

Në momentin që një palë paraqitet si e aftë të copëtojë njerëz dhe të shesë organe, ajo palë shndërrohet në përbindësh moral. Dhe, përbindëshat nuk debatohen, ata përjashtohen automatikisht sepse akuza e këtyre përmasave ekstreme krijon reagim emocional të fortë dhe mbyll çdo debat racional. Kjo taktikë krijon një efekt juridik paraprak të dyfishtë, ku prezumimi i pafajësisë zbehet nga graviteti moral i vetë akuzës dhe, në të njëjtën kohë, akuzuesi përfiton njëfarë epërsie morale sepse paraqitet si mbrojtës i integritetit trupor dhe i jetës njerëzore. Në këtë mënyrë, akuza prodhon fajësi morale para se të ketë vendim të prerë gjykate, i jep agresorit të vërtetë një maskë si kinse “mbrojtës të jetës”, dhe e redukton një konflikt politik apo historik të ndërlikuar në një dosje penale mizore ku konteksti zhduket dhe mbetet vetëm etiketa e krimit.

Mënyra se si ky proces është zhvilluar, me shkelje të rënda procedurale, me standarde të lëvizshme prove, me zvarritje të pajustifikueshme, standarde të dyfishta, me mungesë paanshmërie e profesionalizmi apo me tendenciozitet të paprecedentë të trajtimit, është një histori më vete, që meriton një dosje të plotë. Arrestime pa aktgjykim për vite me radhë, paraburgime të zgjatura që në çdo sistem normal do konsideroheshin dënim paraprak, akuza të bëra në gjykata të mëparshme që riciklohen me formulime të reja, dhe një ritëm procesi (që shpesh duket më shumë si instrument presioni sesa si kërkim i së vërtetës). Por, edhe përballë këtij abuzimi procedural flagrant të akumuluar, reagimi institucional shqiptar ka qenë pothuajse inekzistent. Në vend të një kundërofensive juridike, diplomatike, dhe komunikimi, kemi parë vetëm deklarata romantike gjysmë-vajtimi, solidaritet ceremonial dhe një pritje pasive sikur drejtësia tranzicionale të ishte proces natyror dhe jo arenë pushteti. Edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite nga “gatimi” i kësaj recete, ne ende gjendemi të papërgatitur gati-gati të dorëzuar. Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë, janë reduktuar në fraza patetike dhe foto-protokolle, jo në hapa konkretë shtetërorë.

Prandaj, duhet ritheksuar se në sallat e ftohta drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, po luhet një akt që shkon përtej fateve individuale të krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përballë saj Kosova dhe Shqipëria mbetën të mbërthyera në një lloj letargjie romantike, duke besuar se "e drejta" është një forcë vetekzekutuese që shpaloset vetvetiu pa nevojitur mbështetje. Në literaturën e pasur të marrëdhënieve ndërkombëtare ekziston një konsensus i heshtur që drejtësia tranzicionale nuk është kurrë thjesht çështje juridike, por shumë më komplekse. Ajo është njëherazi edhe çështje politike, narrative dhe institucionale. Gjykatat gjykojnë individë, ndërsa shtetet luftojnë për kuptimin e historisë që do të ndikojë të ardhmen e tyre. Kosova nuk e ka kuptuar ende fatkeqësisht që procesi ndaj liderëve të UÇK-së nuk përfaqëson vetëm një procedurë penale, por është një nyje gordiane ku përplasen tre fusha nevralgjike gjeopolitike: ligji ndërkombëtar, diplomacia shtetërore dhe prodhimi i memories kolektive.

Thënë ndryshe, problemi nuk është vetëm fakti se si na u servir sallata ruse e se si ajo po na dëmton dita ditës. Problemi akoma më kryesor është se po e kapërdijmë pa e përtypur e pa ndërtuar kundër-arkitekturë, pa krijuar institucione dhe pa prodhuar një narrativë tonën si shqiptarë. Për të realizuar këto qëllime, Kosova nuk kishte nevojë për të shpikur rrotën sepse modelet ekzistonin, nga fqinjët që ishin përballur më herët me sfidën e drejtësisë ndërkombëtare tranzicionale. Pas luftërave të viteve ’90 të shekullit të kaluar, Kroacia dhe Serbia e kuptuan shumë shpejt se drejtësia ndërkombëtare nuk është vetëm çështje gjykatash, por është çështje arkitekture shtetërore që kërkon angazhim serioz maksimal.

Kroacia nuk ia la narrativën e “Luftës së Atdheut” në dorë politikës ditore apo avokatëve privatë, por e institucionalizoi si projekt shtetëror. Boshti i kësaj arkitekture ishte Ministria e Veteranëve, e cila nuk funksionoi vetëm si mekanizëm social, por si motor i prodhimit të historisë zyrtare: financoi kërkime mbi luftën, mbështeti botime në gjuhën angleze, menaxhoi arkiva dëshmish dhe ndërtoi një ekosistem memorializimi që e kthente interpretimin kroat në dije të eksportueshme. Paralelisht, Qendra Kroate Memoriale - Dokumentuese për Luftën e Atdheut, shërbeu si bankë prove dhe kujtese; grumbulloi dokumente ushtarake, intervista dëshmitarësh dhe databaza të hapura për studiues perëndimorë, duke ndërtuar arkivin përpara se të kristalizohej narrativa. Këtij trungu iu bashkua infrastruktura akademike, ku Instituti i Shkencave Shoqërore “Ivo Pilar” si think-tank publik që prodhonte raporte dhe projekte në anglisht mbi identitetin kombëtar, tranzicionin dhe luftën. Po ashtu edhe Instituti Kroat i Historisë, ku u kodifikua në mënyrë sistematike ekuacioni “Lufta e Atdheut = luftë mbrojtëse” përmes librave akademikë, konferencave ndërkombëtare dhe bashkëpunimeve me universitete perëndimore elitare. Diaspora kroate gjithashtu u angazhua që të përfshihej e të luante një rol kyç në këtë betejë për epërsi morale, për të fituar mendjet dhe zemrat e botës demokratike. Me fjalë të tjera, Kroacia ndërtoi kapacitet shtetëror për t’ia shpjeguar veten Perëndimit me gjuhën që Perëndimi beson; me arkiv, akademi dhe diplomaci.

Kjo strategji u pa më qartë në rastin e gjeneralëve Gotovina-Markaq. Pas dënimit në shkallë të parë, reagimi nuk ishte emocional, por operacional. Shteti kroat mobilizoi ekspertë ushtarakë perëndimorë, angazhoi historianë të huaj me emër, aktivizoi ambasadat për lobim intensiv dhe përdori diasporën si rrjet ndikimi; ndërkohë kishte edhe një zyrë të posaçme qeveritare për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, që koordinonte juristët, furnizonte gjykatën me materiale dhe sinkronizonte vijën shtet-media-diplomaci. Rezultati qe rrëzimi në apel i teorisë së “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” i cili u perceptua si fitore e organizuar shtetërore, jo si sukses i rastësishëm procedural. Pikërisht këtu del kontrasti me Kosovën dhe Shqipërinë: ndërsa Kroacia ndërtoi ministri të dedikuara, arkiva shtetërore, institute historike aktive, think-tanke publike, libra në anglisht dhe diplomaci juridike të qëndrueshme, te ne kanë mbetur vetëm deklaratat politike. Dhe, nëse një mësim del i ftohtë nga ky krahasim, është se në drejtësinë ndërkombëtare nuk mjafton të kesh të drejtë, por duhet të kesh institucione që e bëjnë të drejtën të dukshme, të dokumentueshme dhe të besueshme.

Po ashtu, Serbia nuk reagoi ndaj proceseve ndërkombëtare si të ishin episode të izoluara periferike, por ndërtoi një politikë shtetërore të qëndrueshme për menaxhimin e narrativës së luftërave të viteve 1990. Që nga fillimi i viteve 2000, Beogradi investoi në institute kërkimore publike dhe gjysmë-publike për dokumentimin e konflikteve, krijoi arkiva të centralizuara për Kosovën dhe i përktheu materialet në anglisht për qarkullim në Bruksel, Hagë, DC dhe në qarqe akademike perëndimore. U prodhuan raporte pafund, libra, studime “juridike” dhe analiza historike që ushqenin një tezë të vetme; barazimin moral të palëve përmes idesë se “të gjithë kanë kryer krime”. Synimi nuk ishte të provohej pafajësia e Serbisë, por të relativizohej përgjegjësia historike, duke e zhvendosur debatin nga agresioni shtetëror te fajësia e shpërndarë kolektive, nga përgjegjësia strukturore te incidente individuale. Thënë ndryshe, kinse “të gjithë qemë fajtorë e njëherazi të gjithë ishim viktima”.

Paralelisht, Serbia zhvilloi një diplomaci juridike permanente. Mbajti ekipe juristësh dhe ekspertësh që punonin ekskluzivisht me çështjet e Tribunalit të Hagës dhe me narrativën e luftës, siguroi prani të vazhdueshme në konferenca ligjore ndërkombëtare dhe angazhoi lobistë profesionistë në Uashington e në kryeqytete europiane. Ambasadat serbe, ndihmuar nga ato ruse, furnizonin rregullisht media dhe organizata joqeveritare me materiale, analiza dhe dosje të përgatitura paraprakisht. Kjo veprimtari nuk ishte spontane; ishte e sinkronizuar mes institucioneve shtetërore, akademisë dhe diplomacisë, duke krijuar një qark të mbyllur prodhimi e shpërndarjeje narrative që e mbante vazhdimisht gjallë versionin serb të historisë.

Në të njëjtën kohë, Serbia ndërtoi dhe promovoi dosje të detajuara enkas mbi Kosovën, të cilat u qarkulluan në strukturat europiane dhe në mekanizmat hetimorë ndërkombëtarë. Materialet e mbledhura ndër vite u përdorën si bazë referimi në procese që çuan deri te krijimi i Dhomave të Specializuara. Ky intensitet institucional (arkiva, përkthime, lobim, prani akademike, koordinim diplomatik) e shndërroi narrativën serbe në një element të përhershëm të debatit ndërkombëtar. Me pak fjalë nuk ishte reagim emocional ndaj zhvillimeve, por ishte një strategji afatgjatë e menduar mirë për ta bërë konfliktin “simetrik” në sytë e Perëndimit, për ta zbehur dallimin agresor-viktimë dhe për ta kthyer historinë në një mozaik fajesh të shpërndara, ku përgjegjësia politike humbet në mjegullën e relativizmit. Është pikërisht logjika e sallatës ruse, gjithçka përzihet derisa agresori, viktima, konteksti dhe kronologjia humbin formën; dhe në fund mbetet vetëm një shije e paqartë kolektive fajësie.

Në këtë pikë, Kosova nuk ka më luksin e reagimit emocional apo të pritjes pasive. Ajo duhet ta trajtojë Gjykatën Speciale si një front strategjik shtetëror, jo si çështje individuale të disa të akuzuarve. Kjo do të thotë ngritje urgjente e një strukture të përhershme ndër-institucionale (me juristë ndërkombëtarë, historianë, diplomatë dhe ekspertë komunikimi) që merret vetëm me Hagën dhe me narrativën e luftës. Duhet të fillojë menjëherë ndërtimi i arkivave të digjitalizuara për krimet serbe, financimi i librave akademikë në anglisht, organizimi i konferencave shkencore në universitete perëndimore dhe kontraktimi i think-tankeve serioze që ta fusin perspektivën kosovare në qarkullimin intelektual të Evropës dhe ShBA-së. Paralelisht, ambasadat duhet të kthehen nga zyra protokolli e fushate elektorale për partinë në pushtet, në qendra aktive lobimi juridik, ndërsa diaspora duhet të mobilizohet si rrjet politik e akademik, jo thjesht si bankomat, rezervuar votash apo solidariteti simbolik.

Po aq e rëndësishme është që Kosova të kërkojë, me gjuhë institucionale dhe me argumente juridike, korrigjimin e abuzimeve procedurale: zvarritjet e pajustifikueshme, paraburgimet e gjata, standardet e paqarta të provës dhe riciklimin e akuzave. Njëkohësisht, Kosova duhet ta zhvendosë fokusin politik drejt Brukselit dhe të kërkojë me argumente juridike e institucionale rishikim të mënyrës se si funksionojnë Dhomat e Specializuara. Në fund të fundit, ato u krijuan si rezultat i një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; pra, përgjegjësia është e përbashkët. Kjo gjykatë ishte një konstruksion i veçantë ad hoc, pa precedent të drejtpërdrejtë në institucionet klasike të drejtësisë ndërkombëtare; një lloj eksperimenti juridik që nuk ka modele alternative të konsoliduara me të cilat mund të krahasohet. E maskuar pas lokacionit në Hagë ku ka operuar me dinjitet ICTY apo GjND, kjo krijesë pilot nuk ka lidhje me standardet e tyre. Pikërisht për këtë arsye, Kosova ka të drejtë dhe detyrim të kërkojë rinegocim të elementeve problematike të marrëveshjes, standarde më të qarta procedurale dhe mekanizma të fortë transparence e llogaridhënieje. Presioni për sqarim institucional nuk duhet të shihet si sfidim i drejtësisë, por si mbrojtje e parimeve të saj dhe shpëtim i fytyrës së BE-së që e mbështet.

Kjo nënkupton rikthimin e debatit në Parlamentin e Kosovës, por edhe adresimin e çështjes në Parlamentin Evropian, duke kërkuar mbikëqyrje më të fortë demokratike mbi një mekanizëm që operon “në emër të Kosovës” me fonde e në territor të BE-së. Sepse, një gjykatë që thirret në emër të një shteti si Kosova me bekimin e BE-së, duhet medoemos të ketë jo vetëm bazë kushtetuese, por edhe legjitimitet të vazhdueshëm demokratik dhe kontroll parlamentar. Transparenca mbi procedurat, kostot, standardet e provës dhe afatet është thelbësore për të shmangur perceptimin e një strukture që funksionon si korporatë private e shkëputur nga vullneti qytetar që kujdeset vetëm që të justifikojë e zgjasë ekzistencën e saj. Nëse Kosova nuk kërkon këtë llogaridhënie tani, ajo rrezikon të mbetet jo vetëm subjekt i një procesi penal, por edhe spektatore e një arkitekture juridike “inovative” që vepron pa kontroll të mjaftueshëm demokratik mbi emrin dhe sovranitetin e saj.

Kjo nuk bëhet me deklarata patriotike, por me dosje teknike të dorëzuara në forumet e duhura evropiane (të përpiluara nga institute e ekspertë me reputacion global), me presion diplomatik të koordinuar dhe me transparencë të plotë ndaj opinionit publik ndërkombëtar. Në thelb, Kosova duhet të kalojë nga faza e viktimizimit moral në fazën e ndërtimit të kapacitetit shtetëror; të prodhojë dije, dokumente dhe aleanca. Sepse, siç e kemi parë edhe më vende të tjera të përfshira në konflikte në të kaluarën, në drejtësinë ndërkombëtare nuk fiton detyrimisht ai që ka vetëm të drejtë historike, por fiton ai që e kthen atë të drejtë në arkitekturë institucionale. Pas vitit 2022, agresioni rus ndaj Ukrainës ka krijuar një kontekst strategjik shumë më receptiv e të favorshëm në Perëndim për dekonstruktimin e narrativave të gatuara e sponsorizuara nga kuzhina e Moskës, një momentum që Kosova mund dhe duhet ta kthejë në kundërofensivë historike, diplomatike dhe juridike.

Por, kjo betejë nuk mund dhe nuk duhet të mbetet vetëm barrë e Kosovës. Këtu hyn domosdoshmërisht roli i Shqipërisë si shumëfishues fuqie, si shtet amë që ka kapacitete diplomatike, akademike dhe institucionale më të konsoliduara në arenën perëndimore. Tirana duhet të dalë nga zona e rehatisë simbolike dhe të marrë përgjegjësi reale strategjike duke krijuar një qendër të përbashkët shqiptare për dokumentimin e krimeve serbe, të financojë prodhim akademik në anglisht, të angazhojë universitete dhe institute kërkimore perëndimore, si dhe të aktivizojë rrjetin diplomatik për lobim juridik të koordinuar. Shqipëria ka ambasada, marrëdhënie bilaterale, prezencë në organizata ndërkombëtare dhe akses politik që Kosova ende nuk i ka plotësisht dhe pikërisht këto duhet të kthehen në kapital politik për mbrojtjen e narrativës së luftës çlirimtare shqiptare.

Nëse Kosova është pala që po gjykohet, Shqipëria duhet të jetë platforma që e shumëfishon zërin e saj nëpër botë dhe kjo gjë nënkupton lënien anash të përplasjeve të egove mes liderëve, por hapa konkrete. Nevojiten task-forca të përbashkëta Tiranë-Prishtinë, fonde të dedikuara për studime dhe botime ndërkombëtare, konferenca të përvitshme mbi krimet në Kosovë, si dhe kontraktim profesional të lobimit në Bruksel dhe Uashington. Deri tani, Shqipëria është kufizuar kryesisht në solidaritet retorik dhe fotografi protokollare. Por, historia nuk fitohet me deklarata por me institucione. Pa këtë përfshirje aktive të Shqipërisë si përforcues i fuqisë shtetërore kosovare ky proces që sot duket juridik, nesër do të kristalizohet si humbje narrative për gjithë hapësirën shqiptare. Nëse kjo ngritje në këmbë e mobilizim intensiv nuk ndodh tani, procesi penal do vazhdojë të shndërrohet në proces narrativ, në damkosje kolektive kombëtare dhe atëherë kostoja nuk do të jetë vetëm juridike, por thellësisht politike për brezat që vijnë. Në këtë sallatë gjeopolitike nuk ka shumë zgjedhje; ose e shkruan ti recetën, ose përfundon i copëtuar brenda saj pra ose je në tavolinën e vendimeve, ose je ofertë në meny.