Sakrifica personale që po bën Laporta për regjistrimin e Rashfordit në La Liga

Bordi i Barcelonës, i udhëhequr nga presidenti Joan Laporta, është i gatshëm të përdorë asetet personale për të siguruar një garanci bankare prej 7 milionë eurosh, me qëllim regjistrimin e Marcus Rashford, raporton Marca dhe L'Equipe.
Sulmuesi anglez, i huazuar nga Manchester United, së bashku me Roony Bardghji, Wojciech Szczesny dhe Gerard Martin, mbetet ende i paregjistruar për shkak të shkeljes së limitit të pagave nga klubi katalanas në La Liga.
Ky nuk është hera e parë që Barça ndjek këtë strategji. Dy vite më parë, drejtuesit përdorën të njëjtën metodë për të përmbushur rregullat e “Fair Play Financiar” dhe për të regjistruar lojtarët e rinj.
Afati i fundit për regjistrimin e Rashford është 31 gushti. Megjithatë, nëse çështja nuk zgjidhet në kohë, ai rrezikon të humbasë disa nga ndeshjet e para të sezonit, përfshirë përballjen hapëse ndaj Mallorcas.
Që nga ardhja në “Camp Nou”, Rashford ka lënë përshtypje pozitive, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asist gjatë ndeshjeve të parasezonit, përfshirë paraqitjen e tij në trofeun “Joan Gamper”.
Bordi i klubit shpreson që të finalizojë garancinë bankare në ditët e ardhshme, për të shmangur çdo vonesë që mund të ndikojë në planet e trajnerit për fillimin e sezonit.
Ky zhvillim është një tjetër tregues i situatës së vështirë financiare të Barcelonës, e cila vazhdon të kërkojë ekuilibrin mes forcimit të skuadrës dhe respektimit të kufizimeve të La Ligas. /Telegrafi/



















































