LAJMI I FUNDIT:

Saga e lavdishme e familjes Muzaka

Saga e lavdishme e familjes Muzaka
Stradiotët (Foto: Ilustrim)
Muzakajt te gojëdhënat dhe rapsoditë sllave
Lexo po ashtu Muzakajt te gojëdhënat dhe rapsoditë sllave

Nga: Luan Rama

Në historinë mesjetare franke, një vend të nderuar zë dhe stradioti i famshëm Muzaka, një nga bijtë e Gjon Muzakës, i cili ishte një nga bashkëluftëtarët më të afërt të Skënderbeut.

Sipas studiuesit të njohur të historisë së Greqisë dhe shqiptarëve të Greqisë, Carl Hopf, në librin e tij “Chroniques greco-romaines” shkruhet për të birin e Gjon Muzakës, Adrianin, i cili ishte kapiten i kalorësisë së lehtë në shërbim të mbretit francez. Ai kishte nën komandën e tij një trupë prej 300 stradiotësh dhe me ta luftoi kundër anglezëve të veri të Francës. Por, më pas mësohet se, i helmuar, vdiq në veri të Francës, në Picardie, në vitin 1526. Ndërkohë, vëllai i tij i quajtur Konstantin, siç shkruan historiani Paolo Petta në librin e tij “Despotë të Epirit dhe të Maqedonisë” (Despoti d’Epirio e principi di Macedonia), ishte nga të pakët komandantë që e shpëtoi trupën e tij dhe në krye të tyre mori rrugët drejt Francës.


Cilët ishin këta prijës të mëdhenj dhe cila ishte jeta e tyre? Vallë Konstandini mbeti përfundimisht në Francë? Ku vallë? Pranë oborrit mbretëror? Ndoshta një ditë arkivat e vjetra do të na zbulojnë të dhëna të reja për bëmat e tyre.

Në kujtimet e tij, Gjon Muzaka u kujtonte bijve të vet, por dhe historisë, se “kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ai shkoi në Napoli tek mbreti Ferrante i Aragonës, ku ai e priti në oborrin e tij dhe i premtoi mjaft toka në Apicie”. Ai kujton gjithashtu se kur ikën në Napoli, “biri i tij Theodhori ishte një vjeç e gjysmë, Adriani një muajsh, ndërsa Konstandini lindi në Napoli”. Gjon Muzaka, i cili nuk pranoi të ndryshonte fenë siç ia kërkoi sulltani, e përshkruan ikjen e tij dhe të familjes së tij në mënyrë romaneske… Ai iku fshehurazi natën, pa e parë kush, aty nga viti 1476, duke marrë një anije për tu hedhur në brigjet e jugut të Italisë. “Gruaja ime dhe nëna juaj, Maria Dukagjini”, shkruante ai, “ishte shtatzënë me Don Adrianin dhe në muajt e fundit të barrës u detyrua të ikë në Durrës, duke mos treguar se kush ishte dhe u strehua në shtëpinë e disa fisnikëve, miqve tanë, ku dhe solli në jetë Adrianin. Ai u çua në kishë të pagëzohej si një fëmijë i gjetur i ndonjë fshatari, aq sa dhe kumbarët nuk e dinin se biri i kujt ishte. Don Theodori dhe Dona Helena u fshehën edhe ata në shtëpitë e fisnikëve të tjerë. Dhe, kur erdhën të dërguarit e turqve për të kërkuar në qytet nënën tuaj bashkë me bijtë, ajo u fsheh në shtrojën e një shtrati prej puplash, i cili pasi u rregullua mirë e mirë, nuk jepte përshtypjen se kishte brenda një njeri. Të dërguarit turq kërkuan nëpër shtëpi, por Zoti mëshirëplotë desh që mos t‘i zbulonin. Kështu i shpëtoi tërbimit të turkut e bashkë me fëmijët e saj ajo nuk ra në duart mizore. Pas ndonjë muaji, fisnikët e mësipërm, bashkë me disa burra të mirë që ishin vasalët tanë, morën me qera një anije, ku hipën nënën bashkë me fëmijët dhe i shoqëruan ata shëndoshë e mirë deri në Pulje”.

Emri i Gjon Muzakës gjendet dhe në ditaret e historianit italian Sanudo ku, më 1499, duke iu referuar letrës së guvernatorit Jacomo Lion, ka shkruar: “Thuhet se Gjon Muzaka, kapiten i Francavila-s, djalë i të ndjerit Muzak Arianiti, i cili pat qenë zot i Muzeqesë në Shqipëri, ishte i gatshëm të shkonte me 300 kalorës në Shqipëri, në shërbim të Sinjorisë sonë, duke premtuar të bënte shumë punë”.

Në fakt, në vitin 1498, ai kishte shkuar një herë në brigjet shqiptare dhe pasi kthehet nga kjo luftë, kërkon të shkojë përsëri. Në vitin 1512, siç shkruhet në një dokument, “Giovanni Musaçhio albanese“ lufton për mbrojtjen e Pratos dhe në vitin 1529 lufton në Toskana kundër trupave gjermane të perandorit Maximilian. Lidhur me Teodoro albanesen (Teodoro Musaçhio) shkruhet se në vitet 1525-1526 ai luftonte në krahinën e Piemontit, në Monferrato, Ceva etj., në krye të 100 kalorësve, ku merr pjesë dhe në mbrojtjen e Milanos. Por, në vitin 1529, gjatë një beteje kundër perandorit Maximilian, bie në fushën e betejës.

Në dokumente të tjera flitet dhe për një pinjoll tjetër të Gjon Muzakës, Musaçhino di Musaçhio, i cili kishte luftuar kundër pizianëve, kundër venecianëve të Bartolomeo d’Alviano-s. Po kështu kishte luftuar dhe kundër spanjollëve në Prato dhe kundër gjermanëve në veriun italian. Beteja e tij e fundit shënohet ajo e mbrojtjes së Firences në vitin 1530. Pesë vjet më vonë shkruhet se ka vdekur.

Në vitin 1550, shumë vite pas vdekjes së atit të tij Gjon Muzaka, Konstandini shtoi në këtë memorie dhe shënime të tjera që i përkisnin familjes dhe se çfarë ndodhi më pas me ata, si dhe princat e tjerë ku flitet dhe për birin e Skënderbeut, Gjon Kastrioti dhe nënën e tij. “Ta dini se im vëlla Adriani, kishte një kalorësi të lehtë prej njëqind kalorësish në shërbim të mbretit të Francës dhe se paguhej mirë si në luftë ashtu dhe në paqe. Dhe ky i quajturi zot Adrian Muzaka, vdiq në dhjetë të muajit maj, i helmuar nga ca zotërinj francezë që shërbenin në Monsinjori Vendôme-s, për t’i marrë vendin dhe paratë dhe se ai kishte nën vete 12 mijë këmbësorë. Të tjerë i morën kuajt dhe paratë. Ai ishte vendosur në qytetin e Bivilles që është në provincën Picardie, ku i përmenduri mbret i kishte dhuruar një kështjellë me emrin Mundi, pranë Monrosë dhe Bivilles. Pra, ai vdiq në dhjetë të muajit maj të vitit 1526”.

Në Analet e udhëtimeve gjeografike dhe historike, Conrad Malte-Brun shkruan për kapitenin legjendar Muzakën e “vjetër“ (Musachio ancien et preux capitaine) dhe kavalerinë e tij prej 500 kalorësish, duke përmendur edhe një nga trimat e tij, Nicola Masi, “një kapiten plot kurajo”, emri i të cilit në shqip ishte “mëzi“, “poledro“… Stema e familjes Muzaka ishte shqiponja dy-krenore me një yll në mes.

Një histori e çuditshme më kishte ndodhur me këtë stemë në pranverën e vitit 1992, në Ambasadën shqiptare në Paris. Një pinjoll i Muzakajve, familja e të cilit nga Kalabria kishte emigruar prej kohësh në Francë, erdhi në Ambasadë dhe më solli një emblemë të madhe të Muzakajve, të derdhur në bronz. Meqë ishte shumë e rëndë, e lamë atë në korridorin e brendshëm të Ambasadës, mirëpo ylli me pesë cepa, në mes krerëve të shqiponjës, u bë shqetësues për ish-emigrantët shqiptarë monarkistë, të cilit shihnin në të një simbol komunist, pra një nostalgji për epokën që sapo kishte perënduar. Dhe, atëherë, emblemën e rëndë e hoqëm. Por, në fakt, ai yll nuk ishte shtuar nga ai pinjoll si shenjë adhurimi për Shqipërinë komuniste. Ai yll kishte të drejtë të qëndronte në emblemë pasi ai kishte ekzistuar i tillë tetë shekuj më parë, që në kohën bizantine. Historiani Xhufi shkruan se “meqë Andrea Muzaka, kishte luftuar dhe kishte mundur ushtrinë serbe të Vukashinit në vitin 1369, në Perister, perandori bizantin i kishte dhuruar Muzakës emblemën perandorake: shqiponjën me dy krerë dhe me yllin në mes”. Çuditërisht, epoka bizantine dhe epoka totalitare kishin pikëtakuar njëra-tjetrën në një histori parisiane…