Fatos Çoçoli

Më 29 prill 2025, me një akt normativ të pashoq, qeveria [e Shqipërisë] miratoi financimin me një miliard lekë, ose 10 milionë dollarë, të një kompanie të re ndërkombëtare në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, me themeluese shkencëtaren e talentuar shqiptare me famë botërore, Mira Murati.


Në shtator të vitit të kaluar, Mira la papritur punën e saj si drejtoreshë e teknologjisë në gjigandin e inteligjencës artificiale, “OpenAI” - që ofron shërbimet e “ChatGPT”-së, shërbimet të cilat sot, në një fazë më të avancuar të tyre, ofrohen kundrejt pagesës. Më 18 shkurt 2025, shqiptarja njoftoi se është bërë drejtore ekzekutive e një korporate të re për përfitim publik, të quajtur “Laboratori i makinave që mendojnë” (në anglisht, Thinking Machines Lab). Sipas mediave, ajo ka arritur të mbledhë rreth dy miliardë dollarë, si fond fillestar për startapin (nismë inovative) e saj.

Zonja Murati tha se misioni i saj është të zhvillojë inteligjencën artificiale të nivelit të lartë, me synimin për ta bërë atë të dobishme dhe të arritshme për të gjithë qytetarët. Mira beson se ekziston një hendek serioz midis inteligjencës artificiale që përparon me shpejtësi dhe kuptimit të publikut për teknologjinë e re që mbart kjo inteligjencë. Sipas saj, edhe shkencëtarët e sofistikuar nuk kanë një kuptim të qartë të aftësive dhe kufizimeve të inteligjencës artificiale. Nisma e saj e re “Thinking Machines Lab” planifikon ta mbushë këtë boshllëk, duke ndërtuar qasjen e qytetarëve të thjeshtë që nga fillimi, në mënyrë që kjo teknologji dhe produktet e saj të mos ngelen të pakuptuara dhe të largëta për qytetarët.

Ajo premton ta ndajë punën e saj me të gjithë, duke publikuar falas shënime teknike, punime dhe kod aktual. Sipas relacionit që shoqëron këtë akt normativ në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë, dhënia e 10 milionë dollarëve financim argumentohet me rëndësinë strategjike të futjes së Shqipërisë në botën e teknologjisë së inteligjencës artificiale, me leverdi financiare në të ardhmen për vendin. Futja e Shqipërisë në sipërmarrjen e re të shkencëtares Mira Murati, pa dyshim premton të tërheqë investitorë ndërkombëtarë edhe në Shqipëri, si dhe ta pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Përbën një investim në të ardhmen e afërt për të gjithë ne.

Financimi pritet të miratohet nga Kuvendi, në rinisje të punimeve të tij, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Investimi do të bëhet nëpërmjet Korporatës së Investimeve dhe parashikohet që efekti financiar të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej një miliard lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”, sidomos ndaj krimit të organizuar, që vijnë nga aktiviteti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). “Thinking Machines Lab” është tashmë shndërruar në një kompani kërkimore dhe produktesh për inteligjencën artificiale, me synimin për t’i bërë sistemet e Inteligjencës Artificiale më të kuptueshme dhe të përdorshme për njerëzit. Nisma e Muratit ka tërhequr një ekip mbresëlënës studiuesish dhe shkencëtarësh, shumë prej të cilëve kanë aktivitet të mëparshëm në gjigandin “OpenAI” në CV-të e veta. Ata përfshijnë, ndër të tjerë, edhe ish-zëvendëspresidentin e kërkimit shkencor tek “OpenAI”, i cili tani është drejtor teknologjik në “Thinking Machines Lab”.

Shkencëtari kryesor i laboratorit do të jetë John Schulman, një shpikës kyç i “ChatGPT”-së, i cili u largua nga kompania “OpenAI” verën e kaluar. Shkencëtarë të tjerë po ashtu shumë cilësorë vijnë edhe nga konkurrentë, si kompanitë “Google” dhe “Mistral AI”. Ekipi i ri i zonjës Murati u zhvendos në një zyrë në San Francisko në fund të vitit të kaluar dhe tashmë ka filluar punën në një numër projektesh. Mira tregon se produktet e kompanisë së saj “Thinking Machines Lab” nuk do të jenë imitime të “ChatGPT” ose “Claude”, por modele të inteligjencës artificiale, që optimizojnë bashkëpunimin midis njerëzve, sidomos qytetarëve të thjeshtë dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Kontributi financiar i buxhetit të shtetit të shqiptarëve të Shqipërisë, për një shqiptare të talentuar që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e teknologjisë që po ndryshon botën, edhe pse modest, do ta shlyejë veten në shumëfisha në të ardhmen. Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjësuar të gjithë. E ardhmja për fëmijët tanë edhe në Shqipëri, i takon përdorimit masiv dhe me zgjuarsi të inteligjencës artificiale në çdo fushë të ekonomisë dhe jetës.