Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Nazistët kryen “likuidimin” përfundimtar të getos hebreje të Krakovit, më 13 mars 1943, një akt dhune që tronditi një pronar fabrike dhe e shtyu atë të bëhej shpëtimtar. Këto ngjarje u përshkruan në romanin Arka e Shindlerit [Schindler’s Ark] e Thomas Keneallyt dhe në filmin e Steven Spielbergut, Lista e Shindlerit [Schindler’s List]. Por, në vitin 1982, Keneally i tha BBC-së se historia e Oskar Schindlerit iu tregua atij gjatë një takimi rastësor me një shitës valixhesh.
Oskar Schindler jetonte në anonimitet të pjesshëm, kur historia e tij u paraqit për herë të parë në BBC në vitin 1964. Gazetari Magnus Magnusson u tha shikuesve të programit informativ Tonight: “Ndoshta ende nuk keni dëgjuar për të, por një ditë do të dëgjoni. Sot, ai jeton në Gjermani; i sëmurë, i papunë dhe i varfër. Në fakt, ai jeton falë bamirësisë, por jo nga kutia e varfanjakëve. Paratë që e mbajnë atë dhe familjen e tij gjallë vijnë nga 1,300 hebrenjtë, jetën e të cilëve ai shpëtoi personalisht gjatë luftës së fundit. Shumë prej tyre janë betuar të dhurojnë një pagë ditore në vit, për njeriun të cilin e quajnë ‘Skarlat Pimperneli [sipas romanit The Scarlet Pimpernel, që flet për anglezin Percy Blakeney, i njohur me nofkën Skarlat Pimperneli, i cili shpëton aristokratët nga gijotina – gjatë Diktaturës Jakobine apo Sundimit të Terrorit pas Revolucionit Francez] i kampeve të përqendrimit’.”
Schindler ishte në qendër të vëmendjes atë ditë, sepse ishte shpallur se një film i Holivudit, i titulluar Deri në çastin e fundit [To the Last Hour], do të realizohej për jetën e tij. Kjo ndodhi sepse disa vite më parë, i mbijetuari i Holokaustit, Poldek Pfefferberg, i kishte treguar producentit të MGM-së, Martin Gosch, historinë pothuajse të pabesueshme se si ai ishte ndër mijëra njerëz të shpëtuar nga një profiter nazist i luftës: nga një burrë i pashëm, gruar dhe pijanec nga Çekosllovakia, i cili më parë nuk kishte shfaqur ndonjë cilësi heroike. Meqë ai film nuk u realizua kurrë, në vitin 1980 Pfefferberg pati një takim të rastësishëm me një shkrimtar australian, një ngjarje që do të ndryshonte jetën të dyve.
Thomas Keneally po humbte kohën në fund të një udhëtimi promovues në Los Anxhelos (“Botuesit më kishin vendosur në një luks të pazakontë, në një hotel të madh në Beverli Hills”) dhe po shihte vitrinat për një çantë të re para, se të kthehej në Sidnej. Ai i tha BBC-së, në emisionin Desert Island Discs, në vitin 1983, se pronari i dyqanit të produkteve të lëkurës, “duke qenë një evroqendror i mirë”, doli ta përshëndeste dhe ta bindte që të blinte.
Keneally tha: “[Pfefferberg] kishte punuar një çantë shumë të mirë, dhe ndërsa po prisja që të miratoheshin pagesat e mia me kartë krediti – më duhet të them verifikimi i kartave australiane është shumë i ngadaltë – vura re se ai ishte një i dënuar; filloi të më tregonte për përvojën e tij gjatë luftës”.
“Ai e dinte që unë isha shkrimtar dhe më tha: ‘Kam një libër për ty. Unë u shpëtova, por edhe gruaja ime shpëtoi nga Aushvici nga një gjerman i jashtëzakonshëm, një burrë i madh dhe i pashëm, simbol i ëndrrës hitleriane i quajtur Oskar Schindler. Kam shumë dokumente për Oskar Schindlerin. Në vitet 1960, pothuajse u bë një film për Oskarin, dhe ndërsa po presim që karta jote e kreditit të aprovohet, hidh një sy te këto materiale”.
“Ai i tha të birit të kujdesej për dyqanin dhe më mori me vete në bankën në qoshe, e cila ishte e hapur të shtunave. Ai i bindi të bënin fotokopje të të gjithë këtij materiali të jashtëzakonshëm, dhe menjëherë kuptova se kisha përpara një nga figurat më mahnitëse të Evropës”.
Një nga ato dokumente ishte ajo që më vonë do të bëhej e njohur si Lista e Shindlerit. “Lista është jetë”, ka shkruar Keneally në romanin e tij më të shitur Arka e Shindlerit, dhe “kudo në margjinat e saj të ngushta shtrihet humnera”.
Poldek Pfefferberg lindi në një familje hebreje në Krakov, ku punoi si mësues i shkollës së mesme dhe profesor i edukimit fizik deri në vitin 1939, kur Gjermania pushtoi Poloninë. Ai iu bashkua ushtrisë polake dhe u plagos në betejë. Ai i tha Keneallyt se kur Polonia ra nën kontrollin nazist dhe u nda midis Gjermanisë së Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, ai duhej të merrte një vendim të vështirë: “Ne, oficerët, duhej të vendosnim nëse do të shkonim në Lindje apo në Perëndim. Vendosa të mos shkoja në lindje, edhe pse isha hebre. Nëse do të kisha shkuar, do të isha ekzekutuar me gjithë ata djem të shkretë në Pyllin e Katinit”. Ai u burgos në geton e Krakovit, një zonë e izoluar e krijuar nga nazistët në vitin 1941. Rreth 15 mijë hebrenj u ngjeshën në një hapësirë që më parë strehonte vetëm tre mijë banorë dhe u detyruan të jetonin në kushte çnjerëzore.
Ndodhi që në Krakov, Oskar Schindleri, anëtar i Partisë Naziste, përfitonte nga mjerimi i kohës së luftës, për t’u pasuruar, duke marrë në kontroll disa biznese të konfiskuara hebreje, përfshirë një fabrikë prodhimi të enëve prej smalti. Në fillim, shumica e punëtorëve të Schindlerit ishin polakë, jo hebrenj, por më vonë ai filloi të punësonte për punë të detyruar hebrenjtë nga getoja. Pfefferbergu u bë një nga punonjësit e tij. Ndërkohë, nazistët filluan të grumbullonin, nën tyta të armëve, grupe të hebrenjve dhe t’i deportonin në kampet e përqendrimit aty pranë. Për ata që mbetën prapa, ishte një kohë terrori.
Schindleri u transformua përgjithmonë në mars të vitit 1943 – nga brutaliteti i “likuidimit” përfundimtar të getos së Krakovit. Ata që konsideroheshin të aftë për punë, u transportuan në kampin Plashov për punë të detyruar. Mijëra të tjerë, të cilët konsideroheshin të paaftë për punë, ose u vranë në rrugë ose u dërguan në kampin e vdekjes Aushvic-Birkenau. Për të shpëtuar punëtorët e tij nga kampet, Schindleri përdori talentin e tij për korrupsion dhe mashtrim. Ai vazhdoi të bindte zyrtarët nazistë se punëtorët e tij ishin të domosdoshëm për përpjekjet e luftës gjermane, duke korruptuar oficerët e lartë të SS-së me para dhe alkool. Fabrika e tij prodhonte edhe fishekë artilerie, në mënyrë që të shihej si një burim i domosdoshëm për ushtrinë naziste. Ai hartoi listat me emrat, datat e lindjes dhe aftësitë e punëtorëve të tij hebrenj, duke theksuar rëndësinë e tyre për makinerinë luftarake naziste.
Keneally i tha BBC-së: “Ajo që ai bëri, në thelb, ishte krijimi i një kampi të lehtë përqendrimi, jo një herë, por dy herë, dhe ai vazhdonte t’i humbiste njerëzit e tij dhe t’i rikthente përmes ryshfetit, mashtrimit, korruptimit të zyrtarëve dhe shfrytëzimit të burokracisë së jashtëzakonshme të SS-së e cila në mënyrë të organizuar po zbatonte Holokaustin”.
Kur lufta përfundoi, Schindleri u përball me dështime në biznes dhe ra në alkoolizëm. Ata që ai kishte shpëtuar, në fund u përpoqën ta shpëtonin atë, duke e ndihmuar financiarisht. Ai vdiq në vitin 1974, në moshën 66-vjeçare. Të mbijetuarit çuan eshtrat e tij në Izrael, ku u varros në Varrezat Katolike të Jerusalemit. Mbi varrin e tij është shkruar: “Shpëtimtari i paharrueshëm i 1,200 hebrenjve të persekutuar”.
Ndër ata që u shpëtuan ishin edhe Poldek Pfefferberg dhe gruaja e tij, Mila. Pas luftës, çifti u zhvendos në Shtetet e Bashkuara dhe përfundoi në Beverli Hills. Pfefferbergu ndonjëherë përdorte emrin Leopold Page. Keneally vuri në dukje, në kujtimet e tij të vitit 2008, Në kërkim të Shindlerit [Searching for Schindler], se ky ishte një emër që iu dha me forcë kur mbërriti në Ishullin Elis në vitin 1947. Ai i tha BBC-së se të shkruante këtë vëllim shoqërues, kishte qenë një nga planet e tij që nga vdekja e Pfefferbergut në vitin 2001. “Mendova se, për aq i madh sa ishte Schindleri si person, edhe njeriu që më çoi tek ai ishte një karakter po aq i jashtëzakonshëm”, tha ai.
Kur Steven Spielberg fitoi Oscar-in për regjisorin më të mirë për Listën e Shindlerit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, në vitin 1994, në fjalimin e tij ai tha: “Kjo histori nuk do të kishte nisur kurrë pa një të mbijetuar të quajtur Poldek Pfefferberg … Ne të gjithë ia kemi atij një borxh të madh. Ai e ka përcjellë historinë e Oskar Schindlerit te të gjithë ne”.
Filmi u bazua në romanin e Keneallyt, Arka e Shindlerit, i cili fitoi Çmimin prestigjioz Booker në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1982. Disa argumentuan se libri nuk duhej të klasifikohej si letërsi, pasi autori kishte përdorur teknika imagjinare letrare për të rrëfyer ngjarje reale, në të njëjtën mënyrë si veprat e autorëve Truman Capote (In Cold Blood) dhe Tom Wolfe (The Right Stuff). Duke reflektuar në vitin 2008, ndërsa diskutonte kujtimet e tij për Schindlerin, Keneally i tha BBC-së se debati rreth librit kishte ndihmuar në suksesin e tij. “Në ditët e sotme, kryepeshkopët nuk ia bëjnë më shkrimtarëve atë nderin e madh që u bënin dikur duke i ndaluar nga altari, por një polemikë letrare është thuajse po aq e dobishme sa ndalimi nga kryepeshkopët e dikurshëm për të promovuar një libër”, tha ai.
Në fjalimin e tij të pranimit të Çmimit Booker, Keneally falënderoi Pfefferbergun dhe të mbijetuarit e tjerë që e ndihmuan të rrëfente historinë. Ai tha: “Jam në një situatë të jashtëzakonshme, e cila i ngjan asaj të një producenti të Holivudit kur pranon me përulësi Oscar-in e tij dhe falënderon kaq shumë njerëz. Normalisht, një shkrimtar nuk ka nevojë të falënderojë kaq shumë njerëz, por shumica e personazheve të mi janë ende gjallë. Dhe, gjithashtu do të doja të kujtoja karakterin e jashtëzakonshëm – Oskar Schindler”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e jashtëzakonshme e Orkestrës së Grave të Aushvicit

Ryshfet dhe mashtrim: Shpëtimi i 1,200 hebrenjve nga Oskar Schindler gjatë Luftës së Dytë Botërore

Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit

“Në dekë të shoqit tim” - një poezi rrethane

E kaltra e rrallë e shpikur nga Qytetërimi Maja

Mos mendoni për politikën, jetoni si Forrest Gumpi?!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Rizarta akuzon produksionin në transmetim direkt se kanë publikuar bisedën e saj pa autorizim: Mendoja se po flisja me psikologen, nuk e dija që do jepej ky klip

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Tifozët nuk mund ta besojnë atë që ndodhi menjëherë pas super golit që shënoi Lamine Yamal për Barcelonën

Si e sheh botën zëvendëspresidenti amerikan - dhe pse kjo ka rëndësi

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët