LAJMI I FUNDIT:

Rusia po ndahet nga Putini

Rusia po ndahet nga Putini

Rebelimi i dështuar i Prigozhinit – kreu dhe pronari i forcave mercenare Wagner – dëshmon së paku tri gjëra kryesore, të cilat herët a vonë do të ngrenë krye në Federatën Ruse.

E para lidhet me pritjen e gëzuar dhe pothuajse triumfaliste që trupat Wagner patën në qytetin Rostov mbi Don, një qytet i madh rus, ku kryengritësi u prit si hero.


Të gjithë donin të fotografoheshin me Prigozhinin dhe të gjithë duartrokitën marshimin e trupave të tij drejt Moskës dhe kundër tradhtarëve.

Kjo dëshmon dyzimin e thellë që Rusia e vërtetë ka, në brendësinë e vet. Sepse ish-banditi, tashmë heroi rus Prigozhin, nuk është një burokrat i sallave luksoze të zyrave luksoze të pushtetit politik dhe pushtetit ushtarak rus. Ai është apo shfaqet si një komandant që lufton në frontin e luftës, që bashkëjeton nga afër me ushtarët e vet, që i frymëzon, që i paguan mirë, që kujdeset për familjet e tyre, që i mbron nga komandantët cinikë dhe arrogantë. Simpatia dhe popullariteti i Prigozhinit u shfaq si një surprizë e papritur në horizontin politik rus, pavarësisht egërsisë dhe metodave të tija shpesh brutale.

Së dyti, tezat që hodhi Prigozhini janë të rënda për presidentin Putin. Ai tha se lufta në Ukrainë nuk ka asnjë bazë të vërtetë, por u fillua për ambiciet e gjeneralëve.

“Nuk është e vërtetë që NATO ka qenë ndonjëherë një kërcënim për Rusinë! As edhe Ukraina, e cila nuk është aspak naziste!”, tha Prigozhin, duke goditur thelbin e arsyetimit politik të Putinit, kur filloi luftën në Ukrainë nën emblemën e “operacionit special”.

Së treti, akti i rebelimit të trupave Wagner, në ato qindra kilometra marrshim në zemër të Federatës Ruse, rrëzimi i tetë helikopterëve të ushtrisë që guxuan t’i dalin përpara kolonës së tyre, dëshmuan një gjë edhe më të madhe! Pushteti i presidentit Putin, kontrolli i përgjithshëm dhe i padiskutueshëm që mendohej se ai kishte në Rusi, me këtë që ndodhi, është lëkundur rëndë, njëherë e përgjithmonë.

Vladimir Putin nuk është më referenca absolute e Federatës Ruse; besimi te forca dhe te rezistenca e tij nën trysninë e luftës kundër Ukrainës, ka pësuar një supergoditje.

Dhe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe; ndër të tjera, janë me dhjetëra e mijëra të vdekurit në radhët e ushtrisë të cilët nuk janë ende të bindur se përse janë thirrur të luftojnë dhe kundër kujt në të vërtetë! Dhe, të vritesh pa ditur përse, është një plagë sociale që herët a vonë do shpërthejë në një lëngim të pashërueshëm në trupin e Federatës Ruse. /360grade/