LAJMI I FUNDIT:

Rusia është duke e humbur Ukrainën

Rusia është duke e humbur Ukrainën
Ilustrim

Vështrim i kolegjiumit të ditores “The Guardian”
Përktheu: Telegrafi.com

Derisa lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj po e dobësojnë ushtrinë konvencionale të Rusisë, qeveria e Vladimir Putinit iu qas kërcënimeve bërthamore, me qëllim të projektimit të forcës. Z. Putin dëshiron t’i frikësojë kundërshtarët e vet. Por, strategjia e tij po dështon. Në vend që aleatët e Ukrainës të tërhiqen, ata po e shtojnë mbështetjen e tyre. Kongresi amerikan këtë javë i miratoi 11 miliardë dollarë të ndihmës me armë për Ukrainën, tri herë më shumë se ndihma totale ushtarake që Uashingtoni ka dhënë deri tash.


Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, kishte të drejtë që e kritikoi Putinin për “komente të kota” për armët bërthamore. Duket e paimagjinueshme që gabimet dhe llogaritjet e gabuara do ta çojnë botën buzë humnerës bërthamore. Megjithatë, bota po shkon drejt kësaj. Teksa kriza kubane e raketave zgjati 13 ditë, lufta e Rusisë tashmë është në muajin e tretë. Pa një fund të qartë në horizont, betejat vdekjeprurëse duken të pashmangshme – duke i shtuar edhe shanset për gabime.

Z. Putin mund ta përdor retorikën bërthamore për të treguar se është i paqëndrueshëm. Lufta e tij është e paligjshme dhe e pamoralshme. Arsyetimi i tij për fillimin e pushtimit ishte makabër dhe qesharak. Megjithatë, ky mund të jetë vetëm njëri akt. Presidenti rus mund të përpiqet ta mbështesë diplomacinë shtrënguese me “teorinë e të çmendurit”, të kërcënimit me forcën e tepruar që përfshin spektrin e armëve bërthamore. Sado e papëlqyeshme të duket kjo, racionali z. Putin, me 2000 koka taktike bërthamore më shumë përshtatet me një irracional.

Përqendrimi i një fuqie të tillë në duart e një njeriu, do të duhej ta detyronte botën të tërhiqet. Rusia ka pak mekanizma për ta parandaluar z. Putin, përkitazi me përdorim e armëve bërthamore nëse ai mendon se nuk ka asgjë për të humbur. Në Guardian gjatë muajit e kaluar, Christopher S Chivvis nga Fondacion Karnegi për Paqe Ndërkombëtare, ka shkruar se në skenarët e strategjive të lojërave luftarake në cilat ka marrë pjesë, e të cilat merren parasysh në lidhje me atë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia godet Ukrainën me armë bërthamore, mënyra e vetme e uljes së përshkallëzimit është ajo kur “mbesin të hapura linjat e qarta dhe direkte të komunikimit mes Moskës dhe Uashingtonit. Në të gjitha lojërat tjera, bota në fakt shkatërrohet”.

Kjo është arsyeja se pse presidenti amerikan ka qenë i kujdesshëm për të mos ia dhënë Rusisë arsyen për të shkuar te armët bërthamore. Z. Biden e bëri të qartë se ShBA-ja nuk do t’i mbath çizmet për të shkuar në luftë në tokë, as ta krijojë zonën e ndalim-fluturimit, e as nuk do të kryejë teste të raketave balistike ndërkontinentale. Ajo që z. Biden ka treguar është se teknologjitë konvencionale kundërtank dhe kundërajrore kanë arritur në nivel të ri të kapaciteteve, duke bërë që forcat konvencionale pushtuese tokësore – përveç nëse nuk mblidhen në numra tepër të mëdhenj – janë pothuajse gjë e tejkaluar. Z. Biden ka qenë më mendjemprehtë se më shumë demokratë të pamend ose si shokët e tyre ideologjikë që janë në qeverinë e Boris Johnson.

I ballafaquar me prapambetjen e kushtueshme ushtarake, Putini e ka rifokusuar Rusinë në forcimin e kontrollit në lindje dhe në jug të Ukrainës. Lufta mund të përkeqësohet para se të përmirësohet. Ka funksionuar qasja e Kievit me mjete relativisht të kufizuara, megjithëse Rusia ka qenë në gjendje t’i ketë civilët si cak të sulmeve – pa dallim. Ukrainasit e kanë çdo të drejtë t’i përcaktojnë qëllimet e tyre të luftës. Kështu bëjnë edhe aleatët e tyre në NATO. Një nga qëllimet e tyre është të mos i shtojnë shanset që lufta të bëhet konflikt potencialisht bërthamor. Prandaj, udhëheqësit perëndimorë duhet t’i refuzojnë kërkesat provokuese për ndonjë përshkallëzim. Asgjë tjetër si kjo nuk do të jetë më e rrezikshme. /Telegrafi/