Kandidati i LDK-së për deputet, Berat Rukiqi, ka paralajmëruar pasoja të reja për qytetarët dhe bizneset nga sektori i energjisë, duke thënë se situata është më e rëndë sesa rritja aktuale prej 15 për qind e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas Rukiqit, vetëm në periudhën janar–mars të këtij viti janë importuar rreth 90 milionë euro energji elektrike, import që, siç thotë ai, ka qenë jashtë planifikimeve dhe pritet të reflektohet me një rritje të re të çmimit të energjisë në prill të vitit 2026.


Ai ka theksuar se ky import i paplanifikuar vjen si pasojë e keqmenaxhimit në KEK, për të cilin mban përgjegjësi Qeveria.

Rukiqi ka përmendur si arsye kryesore mosprodhimin e mjaftueshëm të energjisë elektrike, rënien e blloqeve të Termocentralit Kosova B dhe qëndrimin e tyre të zgjatur jashtë funksionit për shkak të remonteve që, sipas tij, kanë tejkaluar të gjitha afatet.

Sipas kandidatit të LDK-së, rritjet e vazhdueshme të çmimit të energjisë po e shndërrojnë këtë sektor në emergjencë kombëtare, duke paralajmëruar se rritje të tilla vjetore janë të papërballueshme për qytetarët dhe ekonominë.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë përbën një rrezik serioz për varfërimin e qytetarëve dhe falimentimin e bizneseve, duke kërkuar ndaljen e asaj që e quan paaftësi institucionale dhe “mafi energjetike”.