LAJMI I FUNDIT:

Rrugët nacionale dhe rajonale janë të qarkullueshme

Rrugët nacionale dhe rajonale janë të qarkullueshme

Pas reshjeve të shumta të borës në ditët e fundit, gjendja e rrugëve në vendin tonë është përmirësuar dukshëm.

Të gjithë menaxherët regjional me ekipet tyre janë duke punuar pandërprerë në teren. Kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës janë duke punuar pandërprerë në pastrimin e rrugëve nga bora.


Ministri Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, gjatë ditës së sotme ka inspektuar rrugët Prishtinë, Mitrovicë, Skënderaj, Drenas, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren dhe Rahovec.

Po ashtu, ai ka qenë në kontakt me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, me të cilët ka biseduar për gjendjen e rrugëve në vend, duke iu ofruar ndihmë shtesë, thuhet në një njoftim.

Në disa komuna të Kosovës ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës kanë ndërhyrë për t’i ndihmuar ekipet lokale në përmirësimin e disa rrugëve për qarkullim.

“Tani të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme. Po ashtu, rrugët rajonale janë të qarkullueshme duke përjashtuar rrugën rajonale Brezovicë-Prevallë, e cila do të hapet nesër dhe rrugën Brezovicë- Qendra e Skijimit, e cila nuk po mund të hapet për shkak se është bllokuar nga disa automjete të qytetarëve, të cilat do të largohen në mënyrë që sa më shpejtë të zhbllokohet kjo rrugë. Rrugët rajonale Mitrovicë- Bajgorë dhe Kamenicë- Tugjevc janë hapur sot”, vazhdon njoftimi.

Ministria e Infrastrukturës iu bën apel të gjithë qytetarëve që të kenë pajisjet e nevojshme dimërore për qarkullim duke i respektuar rregullat e komunikacionit. /Telegrafi/