Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu njëherit edhe kryetar i Asociacionit të Komunave, në protestën e komunave kundër Qeverisë, ka kërkuar që komunave t’u kthehen mjetet financiare që sipas tij u takojnë qytetarëve.

Aliu ka bërë thirrje për përfundimin e, siç e ka quajtur, qasjes selektive dhe diskriminuese ndaj komunave.


“Në emër të të gjitha komunave, të gjithë qytetarëve: Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve. Mjaft më me qasje selektive, diskriminuese. Mjaft më me plagën financiare të komunave”, tha Aliu.

Ai ka theksuar se komunat nuk janë pronë e kryetarëve, por u shërbejnë qytetarëve.

“Komunat nuk janë të kryetarëve, janë të qytetarëve të tyre. Përtej ritmit e hovëve të politikës ditore, përtej një partie që qeveris me cilëndo komunë, qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimi e shërbime”, u shpreh ai.

Sipas Aliut, qytetarët nuk duhet të bartin pasojat e përplasjeve politike dhe vendimeve financiare.

“Qytetarët e komunave tona nuk meritojnë të dënohen, të ndëshkohen e të lihen në mëshirën e fatit”, tha kreu i Ferizajt.

Aliu ka thënë se nga viti 2022 deri në gusht të vitit 2026 janë marrë qindra miliona euro nga buxhetet komunale për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive.

“Kërkojmë që Qeveria t’i kompensojë komunat për mjetet e marra dhe të marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror”, tha Aliu.

Ai është ndalur edhe te norma e përvojës së punës prej 0.5 për qind, duke kërkuar zbatimin e plotë të saj dhe kompensimin retroaktiv për punonjësit publikë.

“Norma e përvojës së punës prej 0.5 për qind e dalë nga Ligji për Pagat. Punonjësve publikë u është zvogëluar kjo normë nga 0.5 në 0.25 për qind. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e drejta për 0.5 për qind duhet të respektohet dhe zbatohet plotësisht”, u shpreh Aliu.

Në fund, Aliu ka kërkuar që kostoja e kësaj të drejte të mbulohet nga buxheti i nivelit qendror.

“Ne kërkojmë zbatimin e plotë të normës 0.5 për qind dhe kompensimin retroaktiv të punonjësve për periudhën përkatëse, ndërsa kostoja të mbulohet nga niveli i buxhetit qendror”, tha ai. /Telegrafi/