LAJMI I FUNDIT:

Rrjeti i ri energjetik në Shkrel të Rugovës ndihmon zhvillimin e turizmit

Rrjeti i ri energjetik në Shkrel të Rugovës ndihmon zhvillimin e turizmit

Një nga fshatrat më të mëdhenj në rajonin e Rugovës ka përfituar rrjet të ri elektrik nga një projekt i zhvilluar nga KEDS në bashkëpunim me Komunën e Pejës.

Ky projekt, përveç që përmirëson dukshëm kualitetin e furnizimit me energji elektrike për rreth 50 shtëpi të këtij fshati, është i rëndësishëm edhe për zhvillimin e turizmit në këtë pjesë të vendit.


Projekti përfshinë investime të ndryshme, siç janë vendosja e një trafoshtyllë metalike, transformatori dhe vendosja e kabllos nëntokësore me gjatësi prej afër 3.5 kilometrave.

Po ashtu, janë vendosur mbi 50 shtylla të betonit për tension të ulët dhe një tjetër për tension të mesëm.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS, thotë se ky projekt është në kuadër të investimeve që kjo kompani është duke bërë në të gjithë Kosovën.
Ky investim, sipas tij, siguron furnizim më stabil me energji elektrike, ndihmon zhvillimin e turizmit kurse vendosja e shtyllave të betonit shton sigurinë për qytetarët.

KEDS po vazhdon zëvendësimin e shtyllave të drurit meqë në shumë raste ato janë të vjetruara dhe të dëmtuara.

“Pra, ky është investim me përfitim të disa anshëm. KEDS do të vazhdojë që të punojë në shërbim të përmirësimit të furnizimit me energji elektrike jo vetëm në rajonin e Pejës, por kudo që është e nevojshme”, tha Buzhala.

Plani Zhvillimor i Rrjetit të Shpërndarjes është një master plan i KEDS-it që parasheh investimin e 300 milionë eurove në rrjetin distributiv elektrik të Kosovës deri në vitin 2025. Përmes këtij master plani KEDS mëton të rinovojë rrjetin elektrik dhe ta bëjë atë të ngjashëm me rrjetet elektrike të shteteve të zhvilluara evropiane. /Telegrafi/