Pasi Motorola prezantoi në shtetin kinez smartfonin e ri, jashtëzakonisht të hollë, Moto X70 Air, kanë dalë informacione që sugjerojnë se ky pajisje do të dalë në tregun global me emrin Motorola Edge 70.

Imazhe të reja, të cilat mund t’i shikoni këtu, e tregojnë Motorola Edge 70 në dy ngjyra atraktive Pantone: Gadget Gray dhe Lily Pad. Të dy versionet dallohen për detajet në ngjyra kontrastuese, si p.sh. unazat rreth modulit të kamerës dhe butoni i veçantë Moto AI.


Kombinimi i gjelbër dhe portokalli, i quajtur Lily Pad, përputhet me atë që është shfaqur në prezantimin zyrtar të Moto X70 Air.

Interesante është që ‘leaker” i njohur Evan Blass publikoi para një jave një imazh promovues ku pajisja shfaqet në një nuancë më të errët të gjelbër me detaje në ngjyrë lime.

Ky mund të jetë një version i tretë i telefonit, që përputhet me sloganin “jashtëzakonisht i hollë dhe jashtëzakonisht i qëndrueshëm” që e shoqëronte atë imazh.

Sipas informacioneve të disponueshme, Motorola Edge 70 do të jetë i pajisur me një kamerë kryesore prej 50 MP me stabilizim optik të imazhit (OIS) dhe pikselë me madhësi 1.0 µm. Përveç saj, do të ketë edhe një kamerë ultra-gjërë me kënd shikimi prej 120 gradë.

Pajisja do të ketë gjithashtu altoparlantë me mbështetje për Dolby Atmos, siç mund të shihet edhe në vetë trupin e telefonit, si dhe butonin Moto AI për qasje të shpejtë në funksionet e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/