Rrëzimi i disa drunjve në rrugën “Rexhep Luci” dhe në lagjen Ulpiana, reagon Komuna e Prishtinës: Siguria e qytetarëve mbi gjithçka

Një stuhi e fuqishme shoqëruar me erëra të forta ka goditur sot kryeqytetin, duke shkaktuar rrëzimin e disa drunjve në rrugën “Rexhep Luci” dhe në lagjen Ulpiana.
Paralelisht, janë raportuar edhe disa vatra zjarri në Hajvali dhe në lokacione të tjera të Prishtinës.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Brigada Profesionale e Zjarrfikësve, ekipet emergjente të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca dhe Policia kanë ndërhyrë menjëherë në terren, duke reaguar me shpejtësi për të mbrojtur qytetarët dhe pronën publike e private.
“Siguria e qytetarëve mbi gjithçka. Sot u dëshmua edhe një herë se sa të rëndësishme janë ekipet tona fantastike emergjente, të cilat pa u lodhur punojnë për sigurinë e komunitetit. Faleminderit për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe për bashkëpunimin e qytetarëve. Siguria nuk është vetëm prioritet – është misioni ynë i përhershëm”, ka deklaruar Komuna e Prishtinës./Telegrafi/




















































