Rrethimi i Shkodrës më 1474

Humanisti dhe historiani italian George Merula (1430-1494), i njohur gjithashtu si Georgius Merula Alexandrinus ose Giorgio Merlano di Negro, lindi në Alesandri, në Italinë veriore. Në vitet 1444-1446 studioi në Milano nën drejtimin e humanistit Francesco Filelfo, dhe më vonë në Romë, Padovë dhe Mantovë. Nga viti 1465 deri më 1482, ishte profesor i Retorikës në Venecie. I ftuar të rikthehej në Lombardi nga Ludovico il Moro i dinastisë së fuqishme Sforza, ai dha mësim në Padovë (1483-1485) dhe në fund në Akademinë e Milanos (1485-1494). Përveç botimeve dhe komenteve të tij mbi shumë autorë romakë, Merula është autor i një përshkrimi prekës të rrethimit osman të Shkodrës (Bellum Scodrense), i hartuar në latinisht në shtator të vitit 1474. Kalaja e Shkodrës ra më në fund në duart e osmanëve në janar të vitit 1479.
Nga: George Merula[1]
Përktheu në anglisht nga latinishtja: Robert Elsie
Përktheu në shqip nga anglishtja: Agron Shala
George Merula nga Alesandria i dërgon përshëndetjet e veta Jacob Merulas dhe Francesco Gambarinit.
E marr me mend se të gjithë jeni në ankth për të marrë vesh se çfarë ka përgatitur të bëjë, kundër nesh, armiku i egër dhe i fuqishëm i krishterimit,[2] sidomos po të kemi parasysh çfarë arriti të bëjë këtë verë. Po të kishte përmbushur synimet e veta, me lehtësi do të kishte kryer masakrën më të madhe të planifikuar prej vitesh.
Fillimisht, ai kishte ndër mend të sulmonte Italinë dhe ta zhyste vendin në grindje, ashtu siç kishin vuajtur rëndë paraardhësit tanë të cilët, si egërsira, kaluan shekuj të tërë të fshehur në skutat më të izoluara të maleve dhe në thellësitë e shpellave[3]. Në të vërtetë, turku e mundi më parë mbretin e Persisë,[4] duke shkatërruar një pjesë të madhe të ushtrisë së tij, falë pozicionit të favorshëm që kishte zënë dhe pajisjeve ushtarake që kishte. Kalorësia persiane, e mundur dhe e shpartalluar nga sulmi dhe rrëmuja, braktisi fushën e betejës dhe u arratis. Më pas, ai vendosi të sulmonte atë pjesë të Maqedonisë që shtrihet përgjatë bregdetit Adriatik dhe e ktheu vëmendjen drejt rajonit që sot quhet Shqipëri. Po të kishte marrë atë vend, gjithë bregdeti, përfshirë Dalmacinë dhe Liburninë,[5] do të kishte rënë menjëherë nën sundimin e tij dhe, duke shfrytëzuar fuqinë punëtore të atjeshme, me pak shpenzime do të kishte ndërtuar një flotë të madhe detare. Pastaj, duke përdorur flotën e tij për të mbrojtur Adriatikun, ai do të kishte pushtuar Pulian dhe Kalabrinë, pasi distanca e detit nga njëra anë në tjetrën nuk është e madhe, dhe kështu do të kishte siguruar për veten mjetet për të depërtuar më tej në Itali. Ai po priste një moment të favorshëm për të lejuar që gjithë ushtria e tij të ushqehej nga toka e armikut.
Kështu, pikërisht në kohën kur po afrohej koha e korrjes në fushat e Epidamnit (Durrësit) dhe të rajoneve të tjera bregdetare, ai thirri në selinë e tij, në Mëzi, gjeneralin të cilin turqit në gjuhën e tyre e quajnë Pashai i Rumelisë [Hadëm Sulejman Pasha, me origjinë shqiptare], me qëllim që të mblidhte një ushtri. Ky njeri, pasi kishte mbledhur atje mbi njëqind mijë ushtarë, dhe pa e ditur askush se çfarë kishte ndër mend të bënte, domethënë nëse kishte ndër mend të sulmonte Panoninë apo të kalonte në Azi, shtirej sikur po kthehej në Traki dhe në Adrianopojë, por, pasi marshoi për dy ditë me radhë, u kthye mbrapsht, duke përshkuar për një natë rrugën që kishte përshkuar gjatë ditës. Rreth mesit të majit, duke dërguar gjashtëdhjetë kalorës si pararojë, ai, papritur, pa asnjë paralajmërim sulmoi dhe e shpartalloi ushtrinë maqedonase. Pastaj, pasi kishte zënë rob gjithë rojet rrugore, para se të përhapej lajmi për fitoren e tij të papritur, ai përparoi dhe ngriti kampin pranë Shkodrës që dikur kishte qenë një qytet romak.
Shkodra, e vendosur në kufirin me Dalmacinë dhe Maqedoninë, është një qytet i fortifikuar mirë, pothuajse nga të katër anët, si për shkak të pozitës së saj natyrore, ashtu edhe për shkak të fortifikimeve të ndërtuara. Përreth kalasë ngrihen shkëmbinj të lartë dhe nga maja mund të shihen të gjitha fushat poshtë. Nga njëra anë ka një shpat më të butë, i cili të çon lart drejt kalasë. Ujërat e lumit Buna kalojnë pranë, poshtë kodrës. Përgjatë këtij lumi, ujërat e një liqeni, i formuar kohët e fundit, derdhen në det. Lumi është pak më i madh se Tanaroja jonë.[6] Mos u çudisni që e quaj liqenin të krijuar së fundmi, pasi ai nuk përmendet nga shkrimtarët grekë, Straboni dhe Ptolemeu, dhe as nga autorët romakë Pompon Mela dhe Plini. Kur përmendin këtë rajon, ata flasin vetëm për lumin Drin. Ky lum kalon pranë Lisusit, që tani quhet Lezhë, i cili ndante Dalmacinë nga Maqedonia. Mund të supozojmë se, sikur ky liqen të kishte ekzistuar në kohët e lashta, gjeografët e mirënjohur të sipërpërmendur nuk do të kishin heshtur për të. Dhe, në të vërtetë, ishujt e shkëmbinjtë prej tij kanë dalë në det, dhe lumenj e burime të tjera shpërthejnë atje nga toka, të reja përditë, saqë të shtyjnë të besosh se liqeni në fjalë është formuar shumë kohë pas shkrimtarëve të përmendur më sipër. Ai ka një perimetër prej njëqind mijë hapash dhe nuk është më i vogël se Liqeni i Komos dhe Liqeni i Gardës, dy liqene të njohura të Galisë sonë Cisalpine.
Banorët vendas e quajnë qytetin Shkodër, në gjuhën e tyre dhe në gjuhën e të parëve të tyre, ndërsa italianët tani i kanë dhënë atij një emër të ri të huaj, Skutari. Sundimtari i këtij qyteti ishte Antonio Loredano (Antonius Lauretanus), një njeri që do të kishte qenë krenaria e gjyshit të tij, Petrus, dhe që ishte një bir i denjë i Jacobit. Atij i takon nderi dhe lavdia për shpëtimin e qytetit, ose më mirë të thuhet, për mbrojtjen e krishterimit. Për më tepër, ai i dha nder paraardhësve të tij, sepse arriti të bënte diçka krejt të jashtëzakonshme duke mundur një armik kaq të egër.
Kur mësoi se një ushtri kaq e madhe ishte gati të sulmonte në tokën e Mëzisë, Antonio Loredano, i shqetësuar për veten dhe për qytetin e tij dhe duke e ditur rëndësinë strategjike të Shkodrës për turqit, dha urdhër që të gjithë drithërat, kudo që gjendeshin, të mblidheshin dhe të depozitoheshin brenda mureve. Një ditë para mbërritjes së barbarëve, ai thirri dhe mblodhi rreth vetes, në kala, disa prej të rinjve të fshatrave që kishin zbritur nga malet. Pastaj dha urdhër që uji të transportohej në qytet me anë të kafshëve të ngarkesës, aq sa do të nevojitej për një rrethim të gjatë.
Më 4 qershor, ndërsa ushtarët e armatosur lehtë po rrethonin qytetin me pararojë dhe shumë njerëz po vraponin në të gjitha drejtimet për të grabitur dhe plaçkitur, dhe ndërsa vullnetarët po përgatiteshin për luftë, vetë komandanti (osman) u shfaq me pjesën tjetër të ushtrisë. Ky njeri, nëse mund të quhet njeri dikush që ishte eunuk dhe që dikur ruante haremin e sulltanit, thuhet se ishte i shëndetshëm, trupmadh dhe më i guximshëm sesa i mençur si ushtarak, në kryerjen e detyrave të veta. Sulltani e kishte ngritur në këtë nivel merite për arritjet e tij në luftë. Ai solli me vete njerëz të stërvitur në artet luftarake, të fortë në trup dhe të guximshëm. Pas tyre vinte pajisja luftarake dhe një mijë deve të ngarkuara me bronz për të derdhur topa që zakonisht përdoren për të goditur dhe rrëzuar muret mbrojtëse.
Kur mbërriti kjo ushtri gjigante, e gjithë zona bregdetare u mbush me tmerr. Edhe banorët e bregdetit të Ilirisë dhe Maqedonisë mbetën të tronditur, nga frika se mos binin pre e barbarëve. Disa prej tyre u arratisën drejt maleve të thepisura, ndërsa të tjerët, pasi kishin braktisur qytetin, gjetën strehë nëpër ishuj bashkë me gratë, fëmijët dhe bagëtinë. Disa të tjerë ishin drejtuar nga gryka e lumit dhe po prisnin anijet që t’i çonin kudo, atje ku do të donte fati.
Kur Senati mori lajmin, krerët fisnikë dhe të ndershëm të Venedikut rekrutuan ushtarë të rinj dhe grumbulluan një shumë të madhe parash, pa asnjë vështirësi. Ata nuk ngurruan të jepnin bujarisht gjithçka që nevojitej për të përballuar armikun. Ata dërguan para dhe ndihmë veçanërisht tek ata udhëheqës që sundonin mbi pjesë të mëdha të brigjeve të liqenit, që të mund të përballonin sulmet e barbarëve nëpër grykat dhe humnerat e rrezikshme.
Po ashtu ishte edhe Triadano Gritti (Triadanus Grittus), komandant i flotës dhe një tetëdhjetëvjeçar i cili, përkundër moshën e tij të thyer, tregoi qëndresë të admirueshme dhe ishte i përqendruar mirë për ta kryer detyrën e vet, sa më mirë që të mundej. Askush nuk besonte se ai mund ta bënte këtë, sepse ishte një akt i rrallë heroik. Në atë kohë ai po lundronte në Detin Egje, duke kontrolluar ishujt atypari, dhe sapo kishte mbërritur në Kios kur dëgjoi se Shkodra, një qytet me rëndësi të madhe strategjike, ishte rrethuar. Duke u kthyer prapa, ai u nis për në Detin Adriatik, mblodhi forcat e veta detare dhe hyri në grykën e lumit Buna, duke dhënë urdhër që triremët dhe biremet të lundronin nëpër lumë me ndihmën e lundërtarëve, sepse, përveç rrjedhës së lumit, frynin erëra që vinin në drejtim të kundërt. Kur mbërriti në një vend ku ishin ndërtuar diga prej guri që zgjateshin në ujë për të ngadalësuar rrjedhën dhe ku peshkatarët kishin ngritur kasolle të vogla për të zënë peshk, kuptoi se anijet nuk mund të shkonin më tej. Ai vendosi që, për të qenë i sigurt, të kalonte natën pranë kishës së vjetër të Shën Sergjit (Shirqit), e cila ndodhet rreth pesë milje larg qytetit. Ai kishte ndër mend që të nesërmen, sapo të zbardhte, të hipte në kajekë dhe anije të vogla për të parë nëse mund të gjente ndonjë rrugë që të shkonte në ndihmë për të rrethuarit. Kur armiku mori vesh për planin nga disa lundërtarë që kishin shpëtuar dhe kuptoi se e gjithë flota mund të ndalej po të hidhnin trarë në lumë në pikën ku ishte më i ngushtë - dhe kështu të pengonin përparimin e triremëve - u dhanë menjëherë urdhrar që të ndërpriteshin të gjitha veprimet e tjera, të priteshin pemët dhe që pjesa më e madhe e ushtrisë të kalonte në anën tjetër të lumit në mënyrë që ushtarët tanë të sulmoheshin nga të dy brigjet me çdo lloj predhe dhe arme.
Në mes të atyre përgatitjeve, dhe ndërsa të gjitha rrugët po ruheshin rreptë që të pengohej përdorimi i tyre nga venedikasit për të futur spiunë ose për të gjetur rrugë kalimi për të shpëtuar, një grek, i cili dikur ishte zënë rob nga turqit dhe ishte detyruar të shërbente - por, që më pas ishte emëruar nga pashai si një zyrtar i lartë i rajonit - duke reflektuar mbi fenë në të cilën ishte rritur dhe edukuar, hipi mbi kalin e pashait, vodhi heshtën e tij dhe u nis me galop drejt vendit ku ishin ankoruar anijet. Ai kërkoi të fliste me komandantin e flotës dhe, pasi hipi në njërën nga triremët, zbuloi planin e armikut dhe i njoftoi venedikasit se ishin në rrezik të madh. Sapo venedikasit e dëgjuan këtë, dhanë urdhra që e gjithë flota të armatosej dhe të përgatitej për betejë. Litarët u zgjidhën, ankorat u ngritën dhe pjesët e pasme të anijeve u kthyen. Triremët u rreshtuan në vijë në mënyrë që, në një distancë të përshtatshme nga njëra-tjetra, të mund të përparonin kundër rrjedhës. Por, sapo doli dielli, dëgjuan nga të gjitha anët hingëllima dhe galop të kuajve, të shtëna të pajisjeve ushtarake dhe armë që shkëlqenin nga larg, ndërsa zhurmat e britmat ishin të tilla saqë çdokush që nuk ishte mësuar me to do të ishte paralizuar nga frika. Turqit atëherë filluan të qëllonin mbi flotë me shigjeta dhe të hidhnin gurë kudo që mund të arrinin, disa me duar të zhveshura, të tjerë me pajisje. Megjithatë, flota përparoi, por aq e madhe ishte sasia e gurëve dhe predhave që hidheshin mbi anijet saqë dukej sikur kishte shpërthyer një stuhi breshëri që kishte mbuluar anijet. Ata që ishin më larg dhe nuk mund të qëllonin, nxisnin shokët e tyre me britma dhe thirrje. Venedikasit, nga ana e tyre, kur panë se ishin në një pozitë të vështirë dhe se po qëlloheshin nga të dyja anët, filluan të kundërpërgjigjeshin ndaj armikut me skorpione dhe pushkë dhe me pajisje të tjera të shpikura së fundmi, të quajtura bombarda dhe spingarda.
Sulmi i armikut u zmbraps kështu. Ata zbritën në brigjet e lumit dhe e ndoqën armikun për më shumë se dhjetë mijë hapa, duke ia thyer forcën. Të dyja palët u ngutën për të marrë nën kontroll një vend të caktuar ku lumi kalon në një grykë midis dy kodrinave. Aty të dy brigjet janë aq pranë njëri-tjetrit saqë një trirem mezi mund të kalojë. Barbarët, me forcat që u kishin mbetur, u përpoqën të arrinin të parët atje dhe të zinin pozicion. Ata e dinin mirë se mund të pengonin përparimin e anijeve tona duke hedhur trarë dhe heshta në ujë. Venedikasit, nga ana e tyre, me lundërtarët që lëviznin me gjithë fuqinë, lundruan përpara me biremet dhe triremët e tyre, duke shpresuar se përpjekjet e mëdha do t’u shpërbleheshin sapo të kalonin grykën ku barbarët kishin vendosur rezervat e tyre. Por, qoftë nga vullneti i Zotit, qoftë për shkak të virtytit dhe guximit të të dyja palëve, si venedikasit, ashtu edhe barbarët arritën në Skalë (kështu e quanin ata grykën midis dy kodrinave të dallueshme) pothuajse në të njëjtën kohë, dhe aty u zhvillua një betejë e tmerrshme. Por, njerëzit tanë e përballuan rrezikun. Asnjë nga anijet e tyre - madje as ndonjë kajek - nuk u pengua apo u kap. Kjo i tërboi edhe më shumë barbarët, sepse tashmë kishin pësuar një disfatë. Forcat tona po lëviznin drejt grykës së Bunës dhe ata filluan të sulmonin triremen e fundit me gurë dhe predha të tjera, duke përdorur, në zemërimin e tyre, gjithçka që mund të gjenin. Tani, kalorësit turq, pasi u rigrupuan, hynë drejt e në lumë dhe sulmuan lundërtarët duke u kapur me duar të zhveshura nëpër lopatat e tyre. Ata nuk i lëshonin për asnjë çmim, përveç kur njerëzit tanë u prisnin duart ose u hidhnin ndonjë send shumë të rëndë.
Më në fund, pa rënë asnjë nga njerëzit tanë rob, flota lundroi dhe arriti në një vend më të sigurt, megjithëse pesëqind veta ishin plagosur dhe tetëmbëdhjetë ishin vrarë. Vetë turqit kishin pësuar një masakër. Kjo u bë e qartë të nesërmen kur, pas tërheqjes së barbarëve, njerëzit tanë u kthyen te kisha e Shën Sergjit, në mënyrë që ata që ishin të rrethuar të kuptonin se ishin në një pozitë të lartë. Ata donin t’i bënin të ditur armikut se ishin tërhequr për arsye taktike dhe jo nga frika. Aty, përgjatë brigjeve të lumit, ndeshën një numër të madh trupash njerëzish dhe kuajsh, disa prej tyre duke pluskuar në ujë. Njerëzit tanë, të paaftë për të duruar kutërbimin e rëndë, u kthyen në grykën e Bunës. Ndërkohë, armiku kishte ndërtuar një urë, duke bashkuar të dy brigjet. Pastaj ngritën çadrat përgjatë lumit dhe lanë aty rreth dhjetë mijë kalorës për t’i ruajtur. Pastaj u nisën për të plaçkitur të gjitha ato zona të pasura dhe për të grabitur fshatrat, duke u vënë flakën shtëpive dhe duke shkatërruar arat e mbjella me drithë.
Në të njëjtën kohë, venedikasit po transportonin dërrasa të lyera me zift drejt Akruviumit. Akruviumi është qyteti që tani quhet Kotor. Prej andej, i gjithë materiali duhej të transportohej nga njerëz dhe kafshë ngarkese, përmes maleve të thepisura e pa shtigje, dhe të shkarkoheshin pranë bregut të liqenit. Aty duhej që marangozët të ndërtonin anije liqeni, më tepër për luftë sesa për nevojat e transportit. Përveç kësaj, mbi një mijë lundërtarë u caktuan të ruanin liqenin me anije të lehta dhe me varka të gdhendura nga trungu. Ata duhej të ndiqnin dhe të shqetësonin armikun që kishte ngritur çadrat përgjatë brigjeve të lumit. Edhe pse bënë çmos për t’u ardhur në ndihmë të rrethuarve, nuk ia dolën. Kjo ndodhi, së pari, sepse barbarët ruanin ditë e natë një grykë të ngushtë mes malit dhe lumit, një vend vetëm pesëqind hapa i gjerë. Rojat nuk u larguan kurrë nga ai vend, edhe kur qëlloheshin njëherazi nga mali dhe nga anijet. Së dyti, një vojvodë i pabesë, për të shpëtuar pronat e veta, mori ryshfet dhe nuk u dha njerëzve tanë ndihmën që u nevojitej. Për shkak se nuk kishin më besim tek ai dhe sepse çadrat e tyre përgjatë liqenit ishin të pambrojtura, njerëzit tanë nëpër anije lanë mënjanë strategjinë e sulmit të drejtpërdrejtë dhe u kufizuan në veprime të vogla guerile, por pa i lënë forcat armike asnjë çast të qeta. Këta të fundit nuk mund të dilnin as për të marrë ujë të pijshëm pa rrezikuar jetën. Një herë, kur barbarët dolën për të plaçkitur si hajdutë dhe për të kërkuar fshatarët vendas që ishin fshehur në pyjet e dendura, rreth treqind prej tyre zbritën në një burim për të pirë ujë. Aty u sulmuan nga banorët vendas, të ndihmuar nga ushtarët tanë. Njerëzit tanë i rrethuan dhe i masakruan. Të paprekura nga luftimet mbetën disa shkëmbinj dhe ishuj në liqen ku klerikët grekë kishin ndërtuar manastire të bukura. Të gjithë këta njerëz, përndryshe, do të ishin vrarë pa mëshirë.
Ndërkohë, armiku përgatiti disa topa të përmasave gjigante. Ata ishin të një kalibri të tillë saqë, kur qëllonin, muret mbrojtëse të kalasë dridheshin dhe pjesa më e madhe e tyre shembej. Megjithatë, të rrethuarit kishin grumbulluar mjaft material për të mbrojtur veten dhe për të riparuar fortifikimet, gjë që tani u bë e domosdoshme, pasi qyteti kishte mbetur pa mure. Ata morën një grumbull trarësh dhe i gozhduan bashkë, i ngritën, i mbuluan me dhe e baltë dhe kështu krijuan një pengesë të improvizuar, si mure të forta, për të përballuar sulmin e armikut. Barbarët atëherë filluan të lëshonin topa nga bombardat e tyre, madje një mijë e nëntëqind herë, duke shkatërruar si muret mbrojtëse, ashtu edhe shtëpitë, dhe duke besuar se ushtria e tyre tani nuk do të kishte më asnjë vështirësi për të pushtuar qytetin. U dhanë urdhra që të gjitha mjetet prej hekuri, veglat prej druri dhe çdo material tjetër i përdorur për riparimin e mureve dhe shtëpive të bëheshin gati për sulmin, në mënyrë që, kur forcat e tyre të merrnin qytetin, të korrnin së paku frytet e fitores pas aq shumë mundimesh e sprovash.
Sulmi filloi me britma shurdhuese, me rrahje daullesh dhe me tingujt e trumbetave. Zjarre të mëdha u ndezën nga të katër anët e kalasë. Pastaj ata u ndalën për lutje, duke adhuruar hënën e re teksa shtriheshin përdhe, siç e kanë zakon. Duhet ditur se osmanët nuk hyjnë kurrë në një betejë të plotë para hënës së re, të cilën e përshëndesin me përkushtim të madh. Kështu, më 15 gusht, pashai u premtoi shpërblime të mëdha atyre që do të mund të ngjiteshin në shpatet deri te kalaja, mblodhi ushtrinë e vet dhe, me dy të shtëna topash, dha shenjën për sulm. Në momentin që dha shenjën, të gjithë dolën me vrap nga kampi dhe u sulën përpara. Me një zhurmë dhe potere të madhe, duke marrë me vete mburoja të lëvizshme, trarë dhe hunj me grep, ata filluan të ngjiteshin me shpejtësi në mal, shkëmb më shkëmb, shteg më shteg.
Sipas një plani që kishte përgatitur para fillimit të rrethimit, Loredano, i cili nuk kishte të dytë për trimëri dhe në artet luftarake, e vendosi forcën e tij në atë mënyrë që banorët e qytetit, bashkë me garnizonin italian dhe të rinjtë nga fshatrat, të ishin në pozicione, por të rrinin në heshtje dhe të fshehur. Në këtë mënyrë, armiku nuk do të ngurronte të afrohej deri në bazën e kalasë. Ai zgjodhi pastaj treqind vetë që duhej të prisnin në sheshin e hapur të kalasë, me armët në duar, për të zmbrapsur çdo sulmues.
Shumica e harkëtarëve u vendosën rreth mureve mbrojtëse dhe u dha shenja, një britmë e madhe, për të thirrur popullsinë që të dilte në mure. Turqit pastaj filluan përparimin drejt mureve, mbi të cilat vendosën shkallët, dhe të tërbuar filluan të sulmonin nga të gjitha anët, aq sa ata brenda qytetit nuk dinin se cilës anë t’i kushtonin më shumë vëmendje dhe ku të dërgonin përforcime të menjëhershme. Pikërisht në këtë strategji i kishin vendosur shpresat barbarët. Ndërsa një stuhi predhash dhe topash përfshinte kalanë, forcat e rrethuara vrapuan përpara me të gjitha armët që kishin në dispozicion dhe filluan të sulmonin armikun që kishte arritur tashmë majën e kodrës. Disa prej atyre mbi mure, filluan të hidhnin poshtë pishtarë të mëdhenj dhe heshta të mprehta, çfarëdo që të gjenin, por, aty ku mundeshin, turqit qëndronin në pozicion dhe zëvendësonin njëri-tjetrin. Aty pranë ishte pashai që jepte urdhra, nxiste njerëzit e vet, lavdëronte më trimat dhe shante frikacakët dhe të dobëtit. Sa herë që shihte ndonjë njeri të tërhiqej, i kanosej me shpatë dhe e kthente në betejë, duke e kërcënuar se përndryshe do ta ekzekutonte aty për aty. Kështu, edhe pse shumica e turqve nuk ishin në gjendje të përballonin gurët dhe predhat që hidheshin mbi ta nga sipër, dhe shumë prej tyre goditeshin për vdekje e binin përdhe, askush nuk guxonte të tërhiqej apo të lëvizte nga vendi. Populli i Shkodrës, nga ana e vet, përgatiti fuçi të mbushura me gurë, të cilat i lëshonte poshtë shkëmbinjve në anët më të pjerrëta. Këto goditnin luftëtarët turq që mblidheshin poshtë. Ata gjithashtu hidhnin poshtë shporta me thupra dhe kashtë të lyer me zift dhe i vinin zjarrin. Zjarri ndriçonte zonën dhe e bënte shumë të dukshme, që ishte një ndihmë e madhe për të rrethuarit. Kush e di sa armiq u dogjën e u përpinë nga flakët? Sepse, turqit e kishin filluar sulmin e tyre në errësirën e natës për të fshehur planin dhe taktikat e tyre të poshtra. Lufta e egër vazhdoi gjatë gjithë natës. Të rrethuarit nuk patën asnjë çast pushimi.
Të nesërmen, sulmi u bë edhe më i furishëm. Barbarët besonin se tashmë e kishin fituar fitoren. Prandaj, mes të plagosurve dhe predhave, ata përparonin, duke shkelur mbi trupat e pajetë derisa arritën buzë vetë fortifikimeve. Në pjesët ku muret mbrojtëse ishin rrëzuar, sollën shtylla me grepa të mprehtë metalikë, të cilët i fiksuan në mure. Duke përdorur ato maja të mprehta, godisnin dhe plagosnin mbrojtësit, madje disa prej tyre i rrëzonin nga muret. Por, njerëzit e Shkodrës nuk u trembën dhe qëndruan në vend, duke luftuar kundër armikut me shpata dhe sëpata, duke i copëtuar në vend. Mbrojtësit nga lart po masakronin aq shumë armiqtë, me çdo lloj arme dhe predhe, duke mbrojtur qytetin me gjithë guximin dhe forcën që kishin, dhe beteja kishte arritur kulmin. Pastaj, ja, barbarët nga të gjitha anët e kalasë filluan të tërhiqeshin.
Dielli kishte dalë prej tri orësh dhe shkallët e sulmuesve, me njerëzit që ndodheshin në to, u rrëzuan përtokë. Pastaj ushtria turke filloi të tregonte dobësi dhe të humbiste guximin. Banorët e qytetit u gjallëruan nga kjo. Guximi dhe morali i tyre arriti një lartësi të re. Ata kapërcyen mbi mure dhe u hodhën për të goditur forcat armike që iknin, duke vrapuar drejt çadrave të tyre. I ndoqën deri te kampi armik, ku ndodhi një betejë e egër dhe e përgjakshme mes të dyja palëve, dhe çadrat u shqyen dhe u shkatërruan. Trarët dhe lëndët e tjera u dogjën dhe, meqenëse era po frynte kundër turqve, disa prej tyre u dogjën dhe u përpinë nga flakët, ndërsa të tjerë u mbytën nga tymi dhe ikën duke vrapuar.
Njerëzit e Shkodrës u kthyen në qytet me flamujt e ushtrisë armike dhe me kokat e disa prej komandantëve të vrarë gjatë sulmit dhe i ekspozuan mbi mure. Duke tundur shpatat që shkëlqenin, ata talleshin me armikun, duke e sfiduar për të hyrë sërish në betejë.
Pashai kishte goditur kofshën në një shkëmb dhe ishte plagosur. Për sa mund të mësohej nga letrat e princave të rajonit dhe nga tregimet e atyre që kishin shpëtuar nga luftimet, rreth shtatëdhjetë mijë njerëz, në të vërtetë shumica, ishin plagosur në betejë. Vështirë se kishte luftëtar që ishte kthyer në kamp pa qenë i plagosur. Nuk kishte çadër në të cilën të mos dëgjohej rënkimi dhe ankimi i të plagosurve. Luftimet kishin qenë aq të egra, saqë pashai i shkroi sulltan Mehmedit dhe i raportoi për guximin e jashtëzakonshëm të të rrethuarve dhe për dëmet e mëdha që vetë ata kishin pësuar.
Përveç të gjitha këtyre ngjarjeve, gjatë muajve gusht dhe shtator, rajoni është aq i dëmshëm për shëndetin, saqë vendasit mezi mund ta durojnë klimën rraskapitëse, për të mos folur për të huajt që vuajnë nga privimet e jetës ushtarake dhe që jetojnë jashtë në kushte të tmerrshme. Për këtë arsye, shumë nga njerëzit tanë, ashtu si edhe turqit që i kishin mbijetuar masakrës, vdiqën nga ethet e shkaktuara nga ajri i keq dhe uji i ndenjur i kënetave. Kur osmanët e kuptuan çfarë po ndodhte, dhanë urdhër që rrethimi të hiqej, edhe pse e dinin mirë se autoriteti i tyre do të dobësohej nëse do të tërhiqnin forcat e veta.
Kështu, në agimin e 17 gushtit, turqit, pasi i vunë zjarrin çadrave të veta, u tërhoqën nga rajoni i Shkodrës në heshtje të plotë. Kjo ndodhi ose, siç u përmend më sipër, sepse ishin shkatërruar nga sëmundjet dhe nuk mund të përballonin klimën e mbrapshtë, ose sepse ndonjë armik tjetër po i sulmonte, ose, më gjasë, sepse kishin humbur çdo shpresë se mund ta merrnin qytetin, duke parë që ata brenda qytetit do të rezistonin edhe më shumë dhe do të përballonin çdo lloj vuajtjeje. Ndoshta ata u tronditën edhe nga mbërritja e kalorësve italianë me anije, të cilët kishin zbritur në Durrës, sepse e dinin që ata së shpejti do t’u bashkoheshin forcave fqinje dhe do t’i shkatërronin plotësisht forcat turke tashmë të dobësuara.
Në çdo rast, fati ishte me ne. Po të kishin marrë turqit Shkodrën, ajo do t’u kishte shërbyer si bazë për të kaluar në Pulia dhe për të përparuar drejt Romës. Nuk ka njeri mbi tokë më të pamëshirshëm se ai tiran. Qëllimi i tij është të pushtojë Romën. Këtë e tregon edhe fakti se, ndërsa po sulmonin Shkodrën, dëgjoheshin zëra që brohorisnin: “Në Romë! Në Romë!” Ata besonin se, duke marrë Shkodrën, nuk do të kishin më askënd që t’i ndalte në përparimin për të pushtuar Perandorinë Romake. Pasi të ishte pushtuar Italia, ata do të bëheshin zotër të të dy Romave, domethënë të asaj të vjetrës që kishte sunduar dikur botën, dhe asaj të resë të cilën Konstantini, një mijë e dyqind vjet më parë, pasi dëboi romakët nga Trakia, ia ndryshoi emrin në Kostandinopojë.
Nuk kam fjalë për të përshkruar trimërinë e popullit të Shkodrës, qëndrueshmërinë dhe durimin e tyre përballë të gjitha këtyre fatkeqësive. Ata arritën atë që nuk arritën banorët e Saguntumit në Spanjë në atë kohë, ose që nuk e arritën banorët e Kasilinës në Itali kur u rrethuan nga Hanibali, siç na tregon historia. Gjashtë mijë shpirtra ishin mbledhur në ngushtësinë e asaj kalaje - burra, gra dhe fëmijë - ndërsa ata që ishin në gjendje të mbanin armë për të mbrojtur qytetin, nuk ishin më shumë se dy mijë. Pjesa tjetër nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në luftë.
Gjatë rrethimit, uji filloi të rrallohej. Njerëzit brenda kalasë nisën të pinin ujë shiu të mbledhur në gropa dhe hanin drithë pjesërisht të djegur. Nuk kaloi shumë kohë dhe ata mbetën plotësisht pa ujë, ose kishin shumë pak (sepse nuk kishte rënë shi për pesëdhjetë ditë me radhë). Ata që nuk ishin të aftë për të luftuar, nuk merrnin aspak ujë. Kështu, pa mundur të njomin buzët e plasaritura dhe të shuajnë etjen, rreth tre mijë veta vdiqën në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore: gra në krahët e burrave, foshnja përpara prindërve, motra dhe vëllezër të vegjël para syve të vëllezërve të mëdhenj. Populli ishte aq i vendosur dhe i kalitur nga vështirësitë, saqë ushqimi i mbetur ruhej vetëm për ata që ishin në gjendje që të luftonin. Në fund, edhe uji që ishte racionuar filloi të mbaronte (secili merrte vetëm dy kupa në ditë). Pasi masat e etura zbrazën mbetjet e ndenjura në fuçi dhe nuk mund të duronin më rrethimin, pasi kishin humbur çdo shpresë shpëtimi, vendosën, sipas shembullit të burrave të guximshëm, të sulmonin armikun në një sulm rrufe, ose për të hapur një rrugë për vete, ose për të vdekur duke luftuar si burra.
Loredano, i cili kishte përgatitur një plan për çdo rrethanë, me maturi dhe me një njerëzi të pakrahasueshme arriti t’i qetësonte masat, të cilat nga dëshpërimi kishin marrë një vendim kaq të tmerrshëm. Ai nuk pati turp të lutej dhe t’u drejtohej me fjalë përulësie atyre që ishin prekur nga mundimet e skajshme. Duke u ulur në gjunjë para tyre dhe me lotët që i rridhnin faqeve, hapi krahët dhe u tha se ishte i gatshëm t’ua jepte gjakun e vet për ta pirë dhe zemrën për ta ngrënë, veç të duronin edhe për dy - më së shumti tre ose katër - ditë të tjera në mes të mjerimit të luftës dhe rrethimit. Meqë ndihma e nevojshme ishte në rrugë e sipër, armiku do të zmbrapsej dhe emri i njerëzve tanë do të nderohej për shumë breza që do të vinin. Edhe sikur të kishin humbur shpresën te ndihma, ata ende duhet të kishin besimin te Zoti ynë në kryq, i cili do t’i shpëtonte nga ai tiran i pabesë dhe çnjerëzor. Dhe, kështu ndodhi. Zoti i Plotfuqishëm, me mëshirën që ka, duke pasur keqardhje për vuajtjet e mëdha të popullit, u erdhi në ndihmë në një mënyrë krejt të papritur.
Siç mësova më vonë nga letrat, Krishti i Bekuar i shpëtoi njerëzit e vet nga kthetrat e të pabesit, sepse në gjithë betejën vetëm pesëdhjetë veta u vranë nga rrethimi dhe më pak se njëqind u plagosën. Dy topa të armikut ranë në mes të një turme të madhe të mbledhur së bashku, dhe megjithatë vetëm dy prej tyre humbën jetën. Kjo është e barasvlershme me një mrekulli. Ka qenë aq e madhe ndihma që Zoti ynë u dha të vetëve, saqë i shpëtoi nga armiku dhe nga të gjitha ato armë.
Gjatë luftës, sëmundja e shkaktuar nga atmosfera e pashëndetshme e kënetave vrau edhe disa të tjerë nga njerëzit tanë, përfshirë dy kapitenë, Lodovico Bembo (Ludovicus Bembus), ambasadorin venedikas, dhe Triadano Gritti (Triadanus Grittus), komandantin e flotës. Në vend të tyre, Antonio Loredano u emërua ambasador i ri venedikas dhe më vonë prefekt i Shkodrës. Të gjithë u gëzuan për këtë emërim, sepse të gjithë ndienin se nën udhëheqjen dhe urdhrat e këtij njeriu, përparimi i turqve do të thyhej dhe turqit do të dërrmoheshin plotësisht. Ashtu si në kohët e lashta kur familja e Skipionëve e vuri Kartagjenën nën sundimin e Romës, duke e çliruar këtë të fundit nga rivali, po ashtu udhëheqësi i ri, Loredano, do ta dobësonte fuqinë osmane dhe do të kthehej triumfues mbi një armik kaq të egër.
Turqit tani po ndërtojnë një flotë të madhe në Kostandinopojë, siç është raportuar së fundmi nga ata që kanë ardhur prej atij porti. Dhe, qyteti po ringjallet dhe po fortifikohet sa më shumë që të jetë e mundur. Po mblidhen të gjitha llojet e materialeve dhe mjeshtër të zotë janë thirrur nga të gjitha anët për të kryer punimet e fortifikimit dhe të armatosjes. Duhet pritur kërcënime të mëdha nga ai tiran i pafuqishëm, por mendjemadh, planet e të cilit këtë vit u kthyen në një katastrofë. Për turpin e tij të madh, ai humbi mbi njëzet mijë njerëz vetëm në fushatën e Shkodrës.
Kur djali i tij më i vogël, duke udhëhequr elitën e forcave të tij në territorin e Kilikisë kundër persëve, dëgjoi për humbjen e ushtrisë, u sëmur dhe vdiq. Sulltani atëherë urdhëroi të mbytej Mehmed Pasha, një nga këshilltarët dhe shokët e tij të armëve, i cili kishte marrë Eubenë dhe kishte mundur persët në betejë, ose sepse kishte frikë nga ndonjë tradhti, ose sepse donte të hakmerrej për vdekjen e të birit i cili, thuhet, ishte helmuar nga Mehmedi pasi i riu kishte përndjekur gruan e tij dhe e kishte larguar nga burri i saj. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ai urdhëroi që të ngulej në hu i vëllai, duke e vrarë atë me torturat më mizore. Madje, ai vrau edhe gruan dhe fëmijët e tij në mënyra të tilla.
Kalorësit tanë në luftën e Peloponezit kapën rob pashain turk dhe dy mijë kalorës dhe i kaluan të gjithë në teh të shpatës. Përveç kësaj, ata kapën fortesën e pathyeshme të Rampanit, pasi e morën në befasi dhe vranë rojet.
Me lutje dhe adhurim, ne mund të kërkojmë ndihmën e të Plotfuqishmit, me hirin e të cilit gjërat po ecin gjithnjë e më mirë, që ai ta largojë atë murtajë dhe fatkeqësi nga populli i tij. Nëse blasfemia dhe veprat tona të liga meritojnë dënim, le të na ndëshkojë me ndonjë mallkim tjetër dhe ndonjë vuajtje tjetër, pasi të shumta janë goditjet e mëkatarëve dhe Perëndisë nuk i mungojnë mënyrat për të hakmarrë krimin. Shëndet të mirë!
Venedik, 10 shtator 1474
________________

















































