Nga: Gazmend Shpuza.

Në enciklopedinë e S. Frashërit, nuk mungojnë edhe jetëshkrimet e mbretërve dhe perandorëve të kohëve të kaluara dhe të fundit të shekullit të 19-të, në radhë të parë, të Turqisë.

Porse krahas tyre, më mirë të thuhet, përballë tyre mbizotërojnë jetëshkrimet e letrarëve, shkencëtarëve, piktorëve, skulptorëve, arkitektëve, kompozitorëve dhe, sidomos, bien në sy jetëshkrimet e luftëtarëve të lirisë e të drejtësisë, të përparimit shoqëror, të mendimtarëve përparimtarë të të gjitha kohërave. Sa për ilustrim mund të përmenden këtu zërat kushtuar Spartakut, që vdes burrërisht me armë në dorë, të Zhak Bonhomme, udhëheqës i kryengritjes fshatare në Francë të njohur me emrin Zhakeri, Zhan d’Arka, Fra Diavolo-Mikel Roza, Kromvelli, Aleksandër Nevski, Guljelm Teli, udhëheqësit e revolucionit francez Robespier, Danton etj. Në jetëshkrimet e shumë mendimtarëve ai do të vërë në dukje se si luftuan apo u shprehën kundër privilegjeve të klaneve e të kastave, se si u ndoqën nga reaksioni obskurantist, që nga Galileu, Rabëleja, Xhordano Brunoja, Erasmi i Roterdamit e deri te prifti skoces Xhon Skot. Në këtë konceptim Guljelm Telin autori ia kundërve Geslerit.

Një vend jo të vogël midis zërave kushtuar personaliteteve të të gjitha kohërave e zënë figurat e luftëtarëve kundër regjimeve tiranike për drejtësi e barazi shoqërore që nga Aristogitoni e Aristidhi i lashtësisë e deri tek Garibaldi, socialistët utopistë Oven dhe Sen Simon. Simpatia e autorit është haptas nga ana e personaliteteve përparimtare, në një kohë kur jeta e shumicës së mbretërve dhe perandorëve, përfshijë këtu edhe sulltanët, përshkruhet, në rastin më të mirë, në mënyrë “objektiviste”. Në këtë rast, kjo mënyrë të shkruari përfaqëson një tendenciozitet të paramenduar mirë e të shprehur qartë. Samiu nuk trembet të demaskojë tiraninë dhe krahas saj shpejton të vejë në pah qëndrimet realiste të ndonjërit prej mbretërve qoftë ky edhe cari i Rusisë. Trajtime të tilla, po të shihen në përqasje me Perandorinë Osmane nën sundimin despotik të sulltan Abdyl Hamidit të Dytë janë mjaft të guximshme. Qëndrime të tilla nuk vërehen në botimet turke të po këtij karakteri të mëparshëm apo të njëkohshme me Enciklopedinë e Samiut.

Një vend të konsiderueshëm në veprën e Samiut zënë përfaqësuesit e arteve figurative që nga kohët e lashta e deri në kohët më të vona, që nga Fidia e Praktisteli deri te Rembrandi e Delakura. Nga një shikim i shpejtë i Enciklopedisë të krijohet përshtypja që autori i saj i ka kushtuar një vëmendje të posaçme kësaj fushe të artit, çka nuk është një rastësi. Me këtë ai i kundërvihej me guxim obskurantizmit të thellë, të mbjellë nga klerikë fanatikë, që mbretëronte, mund të thuhet, në Perandorinë Osmane.

Mos të harrohet që Samiu jetonte dhe punonte në kryeqytetin e një shteti teokratik, feja e të cilit ndalonte me ligjin e saj të shenjtë vizatimin e pikturimin e qenieve të gjalla, në radhë të parë, të njeriut. Në këtë mënyrë Samiu ynë luftonte me të gjitha forcat që të hiqej bllokada e egër që ekzistonte mbi artet figurative. Prapambetja e popujve të vendeve islamike në këtë fushë e në fusha te tjera nuk e shtyu atë në pozita nihiliste. Përkundrazi ai punoi me ngulm për të nxjerr në pah vlerat kulturore të lashta të këtyre popujve, ndihmesën e tyre në thesarin e kulturës botërore. Për pasojë në Enciklopedinë e Samiut, ballafaqohen frontalisht e në shkallë të gjerë, mund të thuhet, për herë parë kultura perëndimore dhe kultura lindore. Më mirë të thuhet, e dyta është vënë denjësisht përkrah së parës.

Në veprën e vet madhore Samiu iu kundërvu asaj tradite të ndërtimit të enciklopedisë dhe të fjalorëve enciklopedikë mbi bazën e koncepteve eurocentrike. Sipas këtyre koncepteve, në qendër të zhvillimit të qytetërimit qëndronte Evropa, ndërsa popujt e vendet e tjera qëndronin, shume shumë, në marzhet e historisë, duke mohuar kështu kontributin e tyre në kulturën dhe qytetërimin botërore. Ndërsa Sami Frashëri i shërbente luftës së popujve të Lindjes, shqiptar, turk arab, etj. për të shpëtuar nga zgjedha e huaj, cilado qoftë ajo, si dhe nga ndërhyrja politike ekonomike e fuqive kolonialiste. Ky ideal i lartë emancipues nuk e bëri atë të humbiste drejtpeshimin e të mbivlerësonte arritjet e popujve të Lindjes në fushat e ndryshme të kulturës apo të nënvleftësonte kulturën perëndimore. Prandaj ai nuk eci në rrugën e botimeve enciklopedike të Lindjes e të Perëndimit me karakter të ngushtë, që i kushtoheshin vetëm botës turko-osmane apo arabo-islamike. Duke u nisur nga kritere të shëndosha ideore dhe shkencore ai përpiloi një vepër në të cilën afirmohen plotësisht vlerat kulturore të popujve të Lindjes, çka i shërbente forcimit të besimit e të optimizmit të tyre në luftë për liri e një jetë më të mirë. Në të njëjtën kohë ai shfrytëzoi me mjeshtëri arritjet e kulturës perëndimore, historinë e revolucioneve borgjeze në luftën e madhe kundër regjimeve despotike dhe kundër prapambetjes shekullore të këtyre vendeve.

Pikëpamjet antidespotike, madje, republikane të Sami Frashërit përshkojnë gjithë veprën e tij gjashtë vëllimeshe. Në të vihet në pah republikanizmi i Agripës, i Robespierit, i Dantonit e i Tierit. Vihen në pah regjimet republikane, analizohen sistemet e tyre shtetërore, vihen në dukje dallimet midis një regjimi republikan e një tjetri, në vartësi të kompetencave të presidentit.

Samiu nuk ka qënë vetëm për shndërrime në superstrukturën e një vendi, por edhe për shndërrime në bazën e tij ekonomike-shoqërore. Duke pasur parasysh shkallën e zhvillimit të Shqipërisë dhe të të gjithë Perandorisë Osmane, ai kërkonte, në radhë të parë, shndërrime në fushën e bujqësisë, në çështjen e pronesise mbi tokën, në përmirësimin e pozitës së bujqeve çifçinj. Këto probleme ai i ngriti qoftë edhe tërthorazi, duke i bërë jehonë edhe masave me karakter gjysmak, siç qe reforma e vitit 1861 në Rusi. Me këtë reformë fshatari rus shpëtoi nga zgjedha feudale e timarit, siç e quan Samiu, nga robërimi i pronarëve të tokave, që i konsideronin bujqit mall sikurse edhe kafshët e çiflikut, shprehet ai.

Bie në sy, po të vërehet me kujdes, se ai nuk ven në dukje në Enciklopedinë e tij ndonjë reformë tjetër të këtij lloji. Autori i bën jehonë pikërisht kësaj reforme, që kishte pak më shumë se një çerek shekulli që qe zbatuar, jo rastësisht. Megjithatë ajo përfaqësonte një shembull të freskët. Për më tepër ajo qe realizuar në Rusinë cariste, armike e Perandorisë Osmane. Megjithëse ishte vetë e prapambetur, Rusia kishte dalë fitimtare në luftë me Turqinë. Me sa duket, autori i “Kamusit” don të tërheqë vëmendjen e zyrtarëve të lartë të Perandorisë mbi shkaqet e thella e thelbësore të gjendjes akoma më të prapambetur të këtij shteti.

Nuk përjashtohet fakti që kjo reformë të përputhej, ndoshta edhe me zgjidhjen e menduar nga Samiu të çështjes agrare në Shqipëri e në të gjithë Perandorinë. Siç e dëshmon edhe publiçistika e tij, ai nuk qe dhe nuk mund të ishte për një zgjidhje radikale të saj.

E gjithë vepra e Samiut në tërësinë e saj është një kundërvënie e fuqishme ndaj realitetit ekonomik-shoqëror dhe politik kulturor-arsimor të Perandorisë Osmane në rënie e shpërbërje. Përballë kësaj gjendjeje Samiu, megjithëse për sa i takon bindjeve ishte ishtar i flaktë i republikës, momentalisht ishte për vendosjen e monarkisë kushtetuese në Turqi. Kjo duket qartë edhe në përshkrimin që ai i bëri regjimit politik të shteteve të ndryshme në “Dheshkronjën” (Gjeografinë) e tij. Ai qe për “Gjithëurdhëronjën” (Republikën) e të paktën për “njëurdhëronjën e këshilluare” (monarkinë kushtetuese), kundër “Vetëurdhëronjës” (Absolutizmit).

Samiu theksonte që Aleksandri i dytë, cari i Rusisë, urrehej jo vetëm nga popujt jo rusë të Perandorisë, por edhe nga vetë ruset liridashës, të cilët i bënë edhe atentat dhe e vranë. Konkluzioni i këtij pohimi të guximshëm ishte, se një fat i tillë i priste te gjithë tiranet. Aluzione të tilla bëheshin në kohën e sulltanit të “kuq”, dmth, gjakatar, siç quhej në atë kohë Abdyl Hamiti i dytë nga kundërshtarët e tij të shumtë brenda dhe jashtë Turqisë.

Në kushtet kur brenda në Turqi mungonte një lëvizje e fuqishme antiabsolutiste, S. Frashëri priste me padurim vdekjen e këtij sulltani, duke shpresuar në përmirësimin e gjendjes së popujve të nënshtruar nga ndërrimi i tij. Vdekja e Sulltanit dhe zjarret e shpeshta që binin në Stamboll lajmëroheshin aso kohe me të shtëna topash, e para me shtatë të shtëna, dhe rastet e dyta me më shumë. Sa herë që degjoheshin të shtënat e topave Samiu i numëronte ata me vëmendje dhe kur numri i tyre kalonte numrin e caktuar për rastin e shumëpritur prej tij, ai, siç kujtonte vajza e madhe e tij Samia, bërtiste i dëshpëruar. : “Ejvah, Abdylhamiti nuk paska vdekë, këto topa nuk lajmërojnë ndrrimin e sulltanit, por janë topa zjarresh”.

Pavarësisht nga iluzionet që mund të kishte te ndryshimet që mund të ndodhnin në Jëlldiz Qoshk, me vdekjen e Sulltanit, iluzione këto që e kishin burimin te dobësia e forcave demokratike, S. Frashëri nuk qe nga ata që priste në pasivitet zhvillimin e ngjarjeve. Ai qe nga të paktët që punoi me të gjitha forcat për përmbysjen e sulltanit autokrat dhe për shkëputjen e Shqiperisë nga sulltanati. Ai me veprat e tij të shumta, me idetë e përparuara që i përshkonin ato, ndihmoi në edukimin e brezave për luftën kundër absolutizmit. Numri i të shtënave të topave dëshmon se ai dëshironte t’i shihte për të gjallë të tij dhe sa më parë frutet e punës së vet dhe të shokëve të tij të idealit për ta future Turqinë në rrugën e përparimit..

S. Frashëri e ka pasur shumë të vështirë t’i shprehte lirisht pikpamjet e tij shumë përparimtare për kohën. Veprat e tij prej kohësh qenë vënë në censurë paraprake. Kështu ka shumë mundësi që mjaft zëra të jenë hequr nga botimi e shumë të tjerë të jenë cunguar rëndë. Megjithatë idetë më përparimtare të kohës në Perandorinë Osmane gjallojnë në të gjithë Enciklopedinë. Kjo shpjegohet me personalitetin që kishte formuar autori i saj si dhe me faktin që në komisionin e censurës punonin njerëz si i vëllai i tij, Naimi.

Me sa u tha më sipër, mund të krijohet bindja e plotë që enciklopedia e Sami Frashërit eshtë një vepër origjinale që përshkohet nga mendimi politik shoqëror e shkencor më i përparuar shqiptar dhe turk i kohës. Njëkohësisht ajo është një vepër me fytyrë shqiptare, me karakter të mirfilltë shqiptar. Hartimi i saj në gjuhën turke dhe botimi në kryeqytetin e Turqisë nuk aritën kurrsesi t’i jepnin asaj karakter ngushtësisht turko-osman, sado që autori e pati mirë parasysh faktin, që tokat shqiptare bënin pjesë në shtetin osman. Për këtë ai u detyrua të bënte, natyrisht, edhe mjaft lëshime. Ndër këto lëshime nuk kemi parasysh zërat kushtuar personaliteteve përparimtarë turq në fushën e letërsisë, të shkencës e të politikës, të hartuara në përputhje me konceptet e përparuar mbi të cilat është ngritur e gjithë enciklopedia. Për më tepër, këto zëra janë shkruar nën ndikimin e ndjenjave miqësore, që ushqente populli ynë edhe përfaqësuesit e tij më përparimtarë ndaj popullit turk, me të cilin prej shekujsh i kishte lidhur një fat i përbashkët. Pra, qëndrimi i Samiut ndaj popullit turk është, cep më cep, i kundërt nga qëndrimi i tij ndaj qarqeve sunduese reaksionare osmane e klerit fanatik obskurantist, jo vetëm në veprat e tij në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën turke.

Karakteri thellësisht shqiptar i veprës së Samiut duket qartë në zërat e shumtë që i kushtohen gjeografisë dhe historisë së Shqipërisë, gjuhës dhe letërsisë shqipe, lashtësisë së tyre, në përmasat në të cilat jepet secili prej tyre. Mund të thuhet, se nuk ka ngelur personalitet politik, shkencor e kulturor shqiptar apo me prejardhje shqiptare i njohur prej Samiut, që nuk ka zënë vend në Enciklopedinë e tij. Porse duhet vënë në dukje që atdhetarizmi i flaktë i autorit nuk e ka cënuar sado pak objektivitetin e shkencëtarit, rigorozitetin e tij. Ai nuk ngutet për t’i dhënë popullit të vet vlera e merita që nuk i ka. Ai vetëm, kur është i sigurtë dhe ka krijuar bindje të plotë, pohon prejardhjen shqiptare të personaliteteve të ndryshme. Për këtë mjafton të sillet këtu fakti, që ai nuk shprehet lidhur me origjinën e arkitekt Sinanit, rreth së cilës diskutimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Përgatitësit e botimit të vepravet të Samiut në Tiranë (1988) janë treguar tejet të kursyer për përfshirjen në të të këtyre figurave, por dhe botimi i fundit i tyre i para shumë viteve në Prishtinë dhe madje dhe ai, i fundit , në Shkup kanë nevojë për ndonjë plotësim.

Zërat kushtuar Shqipërisë në Enciklopedinë janë trajtuar ashtu sikurse janë trajtuar këto probleme në veprat e Samiut në gjuhën shqipe, për të cilat lexuesi ynë ka një përfytyrim të qartë e të plotë. Në këtë rast interes të veçantë paraqet raporti i zërave kushtuar botës shqiptare me zërat e tjerë.

Zërat e shumtë rreth gjeografisë së Shqipërisë u kushtohen edhe toponimeve fare të vogla si Peqini, Gruda, Shëngjini, lumi Kalama e deri te ishulli i Sazanit. Këto vihen përballë toponimeve gjeografike të vendeve të tjera të përmasave të pakrahasueshme me këta. Për të përcaktuar vendndodhjen e toponimeve të vendeve të tjera autori ka parasysh gjeografinë politike të kohës. Ndërsa për të përcaktuar vendndodhjen e maleve, lumenjve e qyteteve tona shpesh herë ai i drejtohet Shqipërisë, si një vend i pavarur. Kështu, psh, ai shkruan për Beratin, Belgradi i Shqipërisë; thekson që Korfuzi ndodhet përballë bregdetit të Shqipërisë etj. etj. duke kapërcyer keshtu përkatësinë politike-shtetërore të vendit të vet aso kohe dhe ndarjen e tij administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.

Të tërheqin menjëherë vëmendjen përmasat e zërave që i kushtohen Shqipërisë, sidomos po të krahasohen ata me zërat që u kushtohen historisë e gjeografisë së vendeve të tjera. Shqipërisë e shqiptarëve u kushtohen njëmbëdhjetë faqe ndërsa Amerikës shtatë faqe; Gjermanisë vetëm pesë faqe etj. Qendra e krahinës së Çamërisë Ajdonati, zë po atë vend që zë edhe qyteti i Ajdinit që aso kohe kishte 40000 banorë.

Të krijohet bindja, se janë zërat e shumtë kushtuar Shqipërisë dhe përmasat e tyre të gjëra, që u dha atyre autori, të cilët e detyruan atë të hartonte një vepër kaq voluminoze, kur dihet që fillimisht ishte menduar që ajo të përpilohej në dy vëllime. Në një botim të tillë dy vëllimesh bota shqiptare, aq e dashur për autorin, do të dukej e hipertrofizuar.

Që këtej arrihet në përfundimin, se, në përpjestim me zërat kushtuar Shqipërisë, u shtuan dhe u rritën edhe zërat e tjerë, duke filluar me ato që trajtojnë vende e personalitete të Perandorisë Osmane.

Atdhetarizmi i enciklopedistit tonë të madh duket jo vetëm në zërat kushtuar Shqipërisë e në krahasimin e tyre me zërat e tjerë. Ky atdhetarizëm përshkon gjithë veprën. Figura si Garibaldi, vende si Italia e Greqia e shumë të tjera lidhen natyrshëm me botën shqiptare. Nuk ka dyshim, se zëra si Kalabria janë futur në vepër, vetëm e vetëm, sepse ata lidhen me botën shqiptare. Aty, shkruan Samiu, banojnë ende 150 mijë shqiptarë, që kanë shkuar atje pas vdekjes së Skënderbeut, duke ruajtur gjuhën e tyre dhe karakterin kombëtar.

Shemsedin Samiu për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun nuk shkruan vetëm në zërin kushtuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, por edhe në shumë zëra të tjerë edhe atëhere, kur bën fjalë për sulltanët me të cilët ai luftoi. Samiu thekson se sulltan Murati i dytë udhëhoqi vetë personalisht fushatën kundër Shqipërisë dhe luftoi me Skënderbeun, që kishte ngritur flamurin e pavarësisë në ato anë. Ndërsa i biri i tij, Mehmedi i dytë, po sipas Samiut, luftoi vendosmërisht kundër Skënderbeut, i cili u qendroi sulmeve të fuqishme të ushtarëve osmanë. Vetëm me vdekjen e Skënderbeut mundi ta shtijë plotësisht nën administrimin e vet Shqipërinë, ky sulltan, konkludon autori, duke ia aneksuar perandorisë së vet. Evokimi i epokës së Skënderbeut nuk bëhej vetëm për erudicion. Ballafaqimi i heroit tonë kombëtar me dy nga sulltanet më të mëdhenj, që kishte nxjerrë Turqia, u frymëzonte bashkëatdhetarëve të autorit, jo vetëm krenari të ligjshme, por edhe besim e optimizëm. Ajo tingëllon si thirrje për luftë për çlirimin e atdheut të vet nga autokracia hamidiste por edhe të popullit turk.

Edhe zërat, ku Samiu nuk i zë në gojë fare Shqipërinë e shqiptarët, ai i ka gjithnjë parasysh ato. Edhe kur shkruan për Poloninë apo për Rusinë, mendon i shqetësuar për fatin e ardhshëm të atdheut të vet. Vë në dukje privilegjet që cari i Rusisë u dha përkohësisht polakëve, siç qe e drejta që ata të kishin një këshill shtetëror të veçantë dhe e drejta e përdorimit të gjuhës kombëtare në shkolla. Nuk ka dyshim që përvoja botërore i ka shërbyer shumë Samiut gjatë hartimit të projektit të tij për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, ide këto që ai i zhvilloi më tej në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të behet”. Samiu dënon politikën e egër të rusifikimit të popujve të shtypur të Perandorisë cariste nga Aleksandri i dytë, pengesat që u nxirreshin atyre në përdorimin e gjuhës kombëtare, dënon suprimin e privilegjeve që u qenë dhënë polakëve etj. Duke lexuar këto zëra të Enciklopedisë menjëherë të shkon mendja te politika e Abdyl Hamidit e identifikimit të fesë me kombësinë. Me këtë politikë synohej të thellohej përçarja fetare e shqiptarëve, u mohoheshin atyre të drejtat kombëtare më fillestare dhe i hapeshin dyert ndërhyrjes së fuqive të huaja e të shteteve shoviniste ne çështjen shqiptare, u vihej në ndihmë pretendimeve të tyre aneksioniste.

Në çdo zë të Enciklopedisë ne ndeshim me iluministin e patriotin e madh antifeudal e demokrat, shqiptarin Shemsedin Sami Frashëri.

Enciklopedia, si një pasqyrë gjigante e mendjes së ndritur e të palodhur të mjeshtrit të madh, nuk mund të mos nxjerrë në pah dhe humanizmin e tij. Demokrati antifeudal e republikani Sami nuk e miraton terrorin revolucionar të jakobinëve, e dënon atë. Këto qëndrime deri dje janë parë si kufizime edhe pse janë bërë përpjekje të shpjegohen me kohën në të cilën jetoi, në kushtet në të cilat ai punoi.

Këto qëndrime nuk lidhen, siç është thënë, vetëm me përkatësinë e tij klasore, me prejardhjen e tij shoqërore, me faktin se ai qe përfaqësues i një borgjezie të dobët ekonomikisht, të paorganizuar politikisht, e cila nuk arriti të shkëputej nga aleanca me çifligarët. Nuk është vetëm shprehje e këtyre lidhjeve, fakti që figurat e pashallarëve e vezirëve shqiptarë në shërbim të Turqisë zënë një vend të gjerë në Enciklopedinë e Samiut. Duke evidentuar figura të tilla, autori i kundërvihej, në të njëjtën kohë, pretendimeve të reaksionit antishqiptar osman, ballkanik apo europian qoftë mbi, gjoja, paaftësinë e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur. Në Enciklopedi vihet qartë në dukje që nga gjiri i tyre kishin dalë drejtues të shquar civilë dhe ushtarake jo të një por të disa perandorive të mëdha.

Sado që Samiu është kundër përdorimit të dhunës në zgjidhjen e problemeve shoqërore, ai nuk qe në parim kundër luftës atdhetare me armë, në përgjithësi. Ai shkroi me simpati për luftëtarët e lirisë e të drejtësisë shoqërore kundër pushtuesve dhe despotëve. Mund të thuhet me plot gojën, se, duke e krahasuar me paraardhësit e, madje, dhe me bashkëkohësit e tij, Shemsedin Sami Frashëri mbetet përsëri i madh, e në disa drejtime e për mjaft kohe, mund të pohohet pa e tepruar, se ai mbetet edhe i paarritshëm.

Shembujt e sjellë dhe arsyetimet e bërë besohet, se lejojnë të pohohet, që vepra e Samiut është një enciklopedi origjinale me fytyrë thellësisht shqiptare, sepse bota shqiptare jo vetëm zë vendin e merituar në të, por edhe sepse e gjitha ajo është ndërtuar në funksion të luftës kundër regjimit sulltanor, kundër obskurantizmit për çlirimin e popullit shqiptar. Në këtë luftë ai përdori të gjitha armët dhe mjetet, letërsinë artistike, gazetarinë, filologjinë, botimet shkencore, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhë turke. Përdori edhe armë, siç u tha që në fillim, të kalibrit të rendë, siç qe Enciklopedia e tij e madhe në gjashtë vëllime. Këtë armë të fuqishme ai e përdori vetëm në gjuhën turke. Kjo rrethanë nuk ia ndryshon dot karakterin kombëtar kësaj vepre. Hartimi i saj turqisht nuk u diktua vetëm nga mundësitë shumë të kufizuara për botimin e saj në gjuhën shqipe. Për më tepër, nevojat dhe kërkesat për botime shkencore në gjuhën shqipe asokohe ishin, shumë shumë, më modeste. Shqipëria kishte nevojë për shkolla shqipe, për abetare, për libra leximi. Parë me këtë sy, mos vallë një botim enciklopedik, sidomos në këto përmasa, del tepër i parakohshëm, ishte një luks i madh për shqiptarët, aq më tepër se botohej në gjuhën turke. Në të vërtetë, botimi i saj jo në shqip, por në gjuhë të huaj, në këtë rast në gjuhën turke, që ishte gjuhë zyrtare e perandorisë, kishte disa avantazhe për atë kohë. Një botim i tillë i shërbente më mirë popullarizimit të historisë së lavdishme të popullit tonë, lashtësisë së tij, vlerave të tij kulturore. Duke e paraqitur këtë histori dhe këtë kulturë në përqasje me historinë dhe kulturën e popujve të tjerë, vepra e Samiut fiton vlera të veçanta si në pikpamje patriotike, ashtu edhe në pikpamje shkencore. Përshkrimet e hollësishme dhe të sakta gjeografike dhe demografike të qendrave dhe të krahinave shqiptare i kundërviheshin mbi baza shkencore vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare si dhe pretendimeve absurde të qarqeve shoviniste fqinje mbi të ashtuquajturën “Serbi e vjetër” apo “Epiri i veriut” etj., për realizimin e programeve të parashikuara nga qarqet shoviniste ballkanike, siç janë “Naçertania” apo “Megaliideja” etj. për krijimin e Serbisë së Madhe, të Greqisë së Madhe, të Bullgarisë së Madhe apo edhe të një Mali të Zi të Madh.

Kështu, Enciklopedia e Samiut i ka shërbyer afirmimit të kombit shqiptar, argumentimit të të drejtave të tij kombëtare, luftës për të fituar këto të drejta. Gjuha në të cilën ajo u botua nuk ishte gjë tjetër, në këtë rast, veçse një mjet. Në kushtet, kur shumica e shqiptarëve të shkolluar të kohës qenë arsimuar në shkollat turke, enciklopedia shërbeu për rritjen e ndërgjegjes kombëtare të kësaj shtrese mjaft të gjërë për kohën. Kur nuk arrinin ta siguronin këtë botim, shqiptarët nuk përtonin dhe kopjonin pjesë të tëra të tij.

Aq i madh është Shemsedin Samiu si turkolog sa që shumë autorë turq edhe sot e kësaj dite, edhe përballë faktesh kokëfortë, e kanë të vështirë të pranojnë, çka vlen të ritheksohet, që autori i “Kamus-i turki” dhe i “Kamus yl alam”, ishte jo vetëm një shkencëtar dhe enciklopedist i madh, por në radhë të parë ishte një patriot i madh shqiptar. Madje, si patriot, ishte më i madh se sa si shkencëtar. Patriotizmi dhe humanizmi e iluminizmi i tij përfaqëson atë forcë të pallogaritshme që vuri në lëvizje mendjen e tij të madhe e dorën e tij të palodhur jo vetëm në dobi të popullit që e lindi, e rriti e edukoi, por edhe në të mirë të popullit vëlla turk, për të mirën e përbashkët.

Idetë e përparuara që përshkonin veprën e Samiut në turqisht e që drejtoheshin kundër despotizmit të Abdyl Hamidit ndihmonin në krijimin dhe forcimin e frontit të përbashkët antisulltanor, antiabsolutist të popullit turk si dhe të popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë. Ky front u realizua në praktikë katër vjet pas vdekjes së këtij luftëtari të madh të lirisë me revolucionin e korrikut të vitit 1908.

Pra, vepra madhore e Samiut nuk qe e parakohshme dhe jo rastësisht u botua në gjuhën turke. Ajo i parapriu ngjarjeve të mëdha: revolucionit xhonturk në Perandorinë Osmane dhe revolucionit kombëtar shqiptar të viteve 1910-1912.

Duke bërë fjalë për jetën e poetit italian, Viktor Alfieri (1749-1803), Samiu, pasi thekson, se ai ka shkruar shumë vepra për lirinë dhe republikën, vë në dukje, se ai vdiq 54 vjeç nga puna e shumtë. Sigurisht që është një rastësi, por nuk mund të mos kujtohet me këtë rast se edhe Samiu ynë i madh vdiq edhe ai po në atë moshë, 54 vjeç, po nga puna e shumtë, e cila i shkurtoi jetën organizmit të tij të brejtur nga turbekulozi. Jo rastësisht autori i “Kamus-it” thekson shkaqet e vdekjes së këtij poeti. Ai ishte i qartë për gjendjen e vet shëndetësore dhe për pasojat e punës shkencore intensive. Megjithatë ai i vetëdijshëm për misionin e tij si ideolog i Rilindjes sonë Kombëtare dhe si shkencëtar përparimtar, në radhë të parë, si filolog dhe enciklopedist, nuk rreshti së punuari deri në minutat e fundit të jetës së tij. Ai la pas vepra që e bënë atë të pavdekshëm si mendimtar përparimtar, si turkolog, si enciklopedist i madh i kohës së tij, si publiçist, pa bërë fjalë për fusha të tjera të dijes e të letërsisë.