Rrëfen mësuesja që kishte përdorur vulën e Republikës së Kosovës në librezat e nxënësve, gjatë viteve të 90-ta
Mësuesja Hajrije Rrecaj ditarin në dorë e mori 4 dekada më parë. Nga nxënësit e saj nuk e ndau as situata e vështirë para luftës por as lufta që ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Dashuria e pakusht ndaj tyre nuk i është luhatur as sot, në kohë paqeje. Ditarin e përjetimeve të saj që nisën më 1977 e rrëfeu për Telegrafin pikërisht për 7 mars, kur mësuesit shënojnë ditën e tyre. Ajo ishte në mesin e mësuesve të cilët të parët përdorën vulën e Republikës së Kosovës gjatë viteve të ’90-ta, në librezat e nxënësve.

“Ne të parët jemi që e kemi përdorë edhe vulën e Republikës së Kosovës, në librezat e nxënësve. Është e vërtetë që kur ta ndalon dikush, ti do me thanë edhe më shumë i jep zjarr, e jep atë fuqinë, maksimumin, se e dishim që neve po na shtyp dikush tjetër, kështu që na maksimumin e jepim për fëmijët tanë”, shprehet ajo.
Tashmë i ka ngelur vetëm dhe një vit kalendarik, para se misioni i mësuese Hajrijes të prekë fundin. Por, gjurmët e saj shtrihen në edukimin e plot 43 gjenerata nxënësish. Rrëfimi i saj është sa prekës, aq edhe motivues për ata që zgjedhin profesionin e mësuesit, një profesion siç thotë ajo “të shenjtë”. /Telegrafi/





























