Nuk ka dyshim se Cristiano Ronaldo është mbreti i Ligës së Kampionëve. Ai i ka shënuar 132 gola në garën më të madhe evropiane për klube, me Manchester Unitedin, Real Madridin dhe Juventusin.

Është pikërisht faza e eliminimit direkt kur ai vjen në pah, ndërsa në këtë periudhë (pas grupeve) ka shënuar më shumë se 60 gola.


35-vjeçari njëherësh e ka fituar pesë herë trofeun e Ligës së Kampionëve në karrierën e tij të jashtëzakonshme, ndërsa ka shënuar gola në tri finale.

CristinaoPEnallti (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Dhe padyshim se duhej të prodhonte një tjetër mrekulli në mënyrë që Juventusi të përpiqet ta eliminonte Lyonin nga gara elitare e Evropës.

Superylli portugez shënoi dy herë në Allianz Stadium, por kjo nuk mjaftoi, pasi që falë golit të Memphis Depay në terren mysafir, ekipi francez u kualifikua në çerekfinale.

Ronaldo e barazoi rezultatin nga penalltia në fund të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë shënoi një gol të mrekullueshëm nga largësia.

Golat e tij nuk mjaftuan që Juve të kualifikohej tutje, por CR7 e shkroi sërish emrin në librat e historisë.

Me realizmin e dytë, goli i bukur ishte i 37-ti për të në të gjitha garat këtë edicion dhe në këtë mënyrë barazoi rekordin për më së shumti gola të shënuar nga një lojtar i Juventusit brenda një sezoni. Duke mos harruar se Juventusi është themeluar para 122 vitesh...

Cristiano është 35 vjeçar, por statistikat e jashtëzakonshme nuk kanë të ndalur. Portugezi e barazoi rekordin prej 37 golash të Felice Borel nga sezoni (1933/1934), ndërsa e ka thyer rekordin e Ferenc Hirzer, i cili ka shënuar 35 gola në edicionin 1925/1926. /Telegrafi/

telegrafi sport app