Romanca tragjike e fshehur në një pikturë të shekullit XIX

Si zbulohet kuptimi tronditës i Takimit në shkallët e kullës përmes një baladë mesjetare daneze - dhe pse piktura mund të shihet për vetëm për dy orë çdo javë.
Nga: Ondine Jean-Baptiste / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Harrojini Romeo dhe Zhuljetën ose Rozën dhe Xhekun: përshkrimi jashtëzakonisht i bukur i Frederic William Burtonit, i momentit të fundit të përbashkët të Hellelilës dhe Hildebrandit. do të mbetet përgjithmonë me ju. Kështu thonë, në rrjete sociale, shumë nga admiruesit e rinj të pikturës, pasi ajo është bërë jashtëzakonisht e famshme. Megjithëse daton nga shekulli XIX, një valë e videove në TikTok për përjetimin e Takimit në shkallët e kullës - si në internet ashtu edhe në jetën reale - është bërë virale, duke e përshkruar pikturën si “një moment që të lë pa frymë” dhe “ta ndryshon jetën”.
E pikturuar me breza të gjerë dhe të gjallë të së kuqes dhe të kaltrës, akuareli i Burtonit nga viti 1864, Hellelila dhe Hildebrandi: Takimi në shkallët e kullës [Hellelil and Hildebrand, The Meeting on the Turret Stairs], ilustron në mënyrë të guximshme takimin e fundit të çiftit para vdekjes së dhimbshme të Hildebrandit. Këtu, princi takohet me dashurinë e jetës së tij, Hellelilën, për një përqafim të fundit përpara se të përballet me fatin e tij mizor - një fund i organizuar nga babai i saj i vrazhdë.
Lexo po ashtu për para-rafaelitët:
- Bohemët e “rokënrolit” që tronditën Britaninë viktoriane
- Tragjedia e modeles më të njohur në art
- Elizabeth Siddall, muza fatkeqe e piktorëve

Është një histori dashurie po aq e vjetër sa koha: një truproje bie në dashuri me princeshën që po mbron, por në fund ata nuk mund të jenë bashkë. Ndërsa shikuesit mund të mos jenë të vetëdijshëm për fundin e dhimbshëm që i pret këta të dy, emocionet e forta në fytyrat e tyre të bëjnë të pyesësh se çfarë po ndodh. Piktura u frymëzua nga një baladë mesjetare daneze e përkthyer në vitin 1855 nga miku i Burtonit, Whitley Stokes, në të cilën Hellelila rrëfen historinë e dashurisë së saj para se të dorëzohej edhe ajo ndaj përfundimit (më shumë për këtë më vonë).
Burtoni (1816-1900) lindi në Irlandë dhe e filloi karrierën e tij si piktor i portreteve në miniaturë dhe i monumenteve të lashta. Më pas u zhvendos në Londër për të fituar jetesën si piktor akuareli dhe më vonë u bë drejtor i Galerisë Kombëtare. Ai ishte admirues i para-rafaelitëve - një lidhje që shihet qartë në pikturën e tij më të famshme.
Që nga debutimi i saj, Takimi në shkallët e kullës ka prekur publikun me paraqitjen e saj të pandrojtur të dashurisë. George Eliot [Mary Ann Evans], romanciere e famshme dhe mike e Burtonit në atë kohë, komentoi për pikturën duke thënë: “Ajo mund të ishte gjëja më vulgare në botë, por artisti e ka ngritur në kulmin më të lartë të emocionit të përsosur”.
“Puthja është sakrament”
Që nga ai moment, Takimi në shkallët e kullës vazhdoi të ishte jashtëzakonisht e popullarizuar në Irlandë, madje fitoi edhe votat si piktura e preferuar e vendit në vitin 2012. Aktualisht e vendosur në Galerinë Kombëtare të Irlandës në Dublin, piktura tërheq mijëra njerëz çdo javë të cilët rrinë në radhë për t’ia hedhur një vështrim.

Burtoni përdori guashin për të krijuar këtë vepër, një lloj ngjyre që tretet në ujë dhe që i jep pikturës ngjyrat e gjalla për të cilat është aq e njohur. Guashi është gjithashtu i ndjeshëm ndaj dritës dhe priret të zbehet me kalimin e kohës, nëse ekspozohet ndaj rrezes së drejtpërdrejtë të diellit ose ndaj dritës së fortë ultraviolete. Për shkak të ndjeshmërisë së pikturës, kuratorët e galerisë marrin disa masa mbrojtëse për të ruajtur cilësinë e veprës. Së pari, galeria lejon që vizitorët ta shohin pikturën vetëm për dy orë në javë. Së dyti, niveli i dritës mbi akuarelin mbahet shumë i ulët që vepra të mos ekspozohet së tepërmi. Në fund, sapo mbarojnë orët e shikimit, një anëtar i stafit e kthen pikturën në një kabinet të projektuar posaçërisht, në një ritual të kujdesshëm dhe plot respekt.
Si në formë ashtu edhe në thelb, Takimi në shkallët e kullës përmbledh fuqinë e dashurisë. George Elioti u prek veçanërisht nga ekspresioni i Hildebrandi në pikturë, duke e përshkruar princin si “një burrë për të cilin puthja është sakrament”.
Pavarësisht sa të ndjeshme ndaj dëmtimit kanë qenë gjithmonë materialet e pikturës, ngjyrat mbeten po aq të forta sa dashuria e çiftit për njëri-tjetrin - edhe pas 162 vjetësh. Burtoni ka përfshirë ato që duken si petale të bardha të shtypura pranë këmbës së majtë të Hellelilës. Dr. Caroline Campbell, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Irlandës, i thotë BBC-së se trëndafilat e bardhë simbolizojnë pastërtinë dhe besnikërinë.
Dr. Campbell ka një vlerësim personal për pikturën: “Kur e pashë për herë të parë, më preku e kaltra verbuese e fustanit të Hellelilës, ngjyrat e ndritshme dhe intensiteti i momentit të paraqitur, megjithëse Hildebrandi dhe Hellelila nuk shikojnë njëri-tjetrin”, thotë ajo. “Hildebrandi duket se puth krahun e Hellelilës, por ajo kthen kokën larg prej tij, sepse nuk mund të kontrollojë emocionin e fortë që po ndien. Më pëlqeu gjithashtu teatraliteti i pritjes që kabineti të hapej dhe ‘zbulimi i madh’ ndodhi kur pashë për herë të parë akuarelin e vërtetë”.
Hildebrandi është pak çaste larg vdekjes, por në këtë moment ai është përgjithmonë i saj - dhe ajo e tij. Duke përjetësuar në mënyrë vizuale momentin e fundit të Hellelilës dhe Hildebrandit, Burtoni e ka përjetësuar marrëdhënien e tyre. Pavarësisht çfarë ndodh më pas në baladën origjinale, në pikturë ata janë të ngrirë në kohë, së bashku përgjithmonë, me dashurinë e tyre që vazhdon përgjatë kohës.
Përfundimi shkatërrimtar
Nga përqafimi i butë i Hildebrandit te sensualiteti i gjuhës së trupit të tyre e deri te zgjedhja e ngjyrave të gjalla nga Burtoni, ka disa arsye pse kjo pikturë ka magjepsur shumë njerëz ndër vite.
Në baladën origjinale, babai i Hellelilës urdhëron shtatë vëllezërit e saj të vrasin Hildebrandin, por princi përfundon duke vrarë babanë e saj dhe gjashtë prej vëllezërve. Megjithatë, në vend që të përqendrohej te gjakderdhja, Burtoni vendosi të theksonte dashurinë romantike të çiftit, duke zgjedhur portretizimin e një takimi të imagjinuar, të fundit dhe të ndjeshëm në shkallë kulle, pak çaste para përfundimit tronditës.

Campbell thotë se, pavarësisht përfundimit shkatërrimtar të historisë, shumë njerëz në Irlandë e shohin këtë kryevepër si thellësisht romantike. “Shumë njerëz janë fejuar para saj”, thotë ajo. “Ekziston një kopje në zyrën kryesore të regjistrit civil të qytetit, kështu që në mendjen e shumë njerëzve ajo lidhet me dashurinë dhe martesën”.
Profesori i historisë së artit në Jejl, Tim Barringer, u ndesh për herë të parë me këtë pikturë ikonike përmes kartolinave dhe riprodhimeve, përpara se ta vizitonte vetë veprën në Dublin 20 vjet më parë. Për BBC-në, Barringeri e përshkruan pikturën si të përjetshme: “Vizualisht tërheqëse me një komponent të fortë narrativ, Takimi në shkallët e kullës është viktoriane, mesjetare dhe moderne”. Në fund të historisë, Hellelila ndërhyn për të shpëtuar jetën e vëllait të fundit, duke e shpërqendruar pa dashje të dashurin e saj aq sa vëllai i mbetur arrin t’ia japë goditjen fatale. Hildebrandi vdes nga plagët e tij dhe Hellelila më pas vdes gjithashtu pasi rrëfen këtë histori - nga një zemër e thyer.
Piktura ka qenë për dekada simbol i romantizmit të paepur për historianët e artit dhe për irlandezët dhe tani, falë rrjeteve sociale, një brez krejt i ri admiruesish po e zbulojnë për herë të parë këtë pikturë të shekullit XIX. Në mes të një kulture marrëdhëniesh të shpejta dhe akteve të dashurisë që duken si transaksione, oda e sinqertë e Burtonit ndaj romantizmit na kthen në një kohë kur deklaratat e dashurisë bëheshin ballë për ballë - dhe të dashuruarit ishin të gatshëm të rrezikonin gjithçka për puthjen e fundit. Takimi në shkallët e kullës duket njëkohësisht si një kapsulë kohore mesjetare nga viti 1864 dhe si diçka shumë e nevojshme në vitin 2026. /Telegrafi/



















































