Roma merr fitore bindëse në udhëtim te Celtic

Roma ka shënuar fitore me rezultat bindës 3-0 në udhëtim ndaj Celticut në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
‘Giallorossët’ morën epërsinë qysh në minutën e gjashtë pasi mbrojtësi i vendasve Liam Scales shënoi në rrjetën e portës së tij për rezultatin 1-0.
Në minutën e 27-të Roma pati një mundësi të artë shënimi, por Evan Fergusonit golin ia mohoi shtylla.
Ishte pikërisht Ferguson i cili realizoi golin e dytë për Romën duke shënuar për 2-0 në minutën e 36-të pas një asistimi nga Zeki Çelik.
Pak çaste para se të përfundonte pjesa e parë, Ferguson e shënoi edhe golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje për rezultatin 3-0, kësaj radhe pas asistimit nga Matias Soule.

Celtic pati mundësinë të ngushtonte diferencën në minutat shtesë të pjesës së parë, por Arne Engels dështoi të shënojë nga penalltia duke goditur shtyllën.
Në minutën e 64-të Kelechi Iheanacho shënoi për Celticun, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.
Po ashtu edhe Romës iu anulua një gol në minutën e 74-të, autor i të cilit ishte Leon Bailey.
Pas kësaj fitoreje, Roma shkon në kuotën e 12 pikëve dhe aktualisht renditet e dhjeta në tabelën e klasifikimit./Telegrafi/

















































