LAJMI I FUNDIT:

Roli i shtypit arberesh në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare

Roli i shtypit arberesh në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare

Nga: Denisa Tare

Në fillimin e shekullit XIX, mes shqiptarëve filluan të shfaqeshin, ashtu si kishte ndodhur me popujt e tjerë ballkanikë, rizgjime kulturore dhe kombëtare që, në masë të madhe, i atribuoheshin veprimtarisë nxitëse kushtuar atdheut nga qendrat e emigrimit jashtë shtetit, më shumë se nga ato në brendësi të shtetit turk.[1] Nxitjet në këtë drejtim vinin sidomos nga kolonitë shqiptare të Italisë jugore, që ndiqnin moton e Rilindjes italiane dhe që i kishte tërhequr perspektiva e përhapjes së kësaj lëvizjeje edhe në Shqipëri, duke çuar në rizgjimin kombëtar të këtij vendi.


Në kuadër të një rilindjeje të tillë kombëtare u shfaqën nismat e para në fushën e letrave në Itali nga ana e Vinçens Dorsës, Jeronim de Radës dhe Demetrio Kamardës. Ndërsa, në Shqipëri këto nisma u ndërmorën nga disa intelektualë lokalë si Zef Jubani. Kështu, pikërisht i sipërpërmenduri Jubani, i cili në Shkodër kishte detyrën e sekretarit të Konsullit të Francës, porositi më 1871, në tipografinë e Triestes të kompanise austriake Lloid, shtypjen e një përmbledhjeje këngësh të Shqipërisë veriore, të përkthyera në italisht, duke u bashkëngjitur një tabelë fonetike të tyre në gjuhën e origjinës, si dhe disa konsiderata paraprake mbi “gjendjen morale dhe kulturën intelektuale të popullit shqiptar”.[2]

Nisma të ngjashme kishin lulëzuar në Egjipt nga Thimi Mitko, edhe në Rumani e Bullgari. Këto nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe studimeve mbi folklorin. Por, nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të Shqipërisë.[3]

Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë ose, të paktën, autonominë e Shqipërisë, ishin studiuesit e njohur shqiptaro-italianë si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos që prej vitit 1848 me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin periodik “Flamuri Arbrit” i 1848-1887.[4] Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë arbëreshësh të angazhuar në çështjen shqiptare si Vinçens Dorsa, Dhimitër Kamarda dhe Zef Skiroi.

Shtypi i kohës mbetet një burim me vlerë për ndriçimin sa më të plotë të kësaj periudhe. Rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria nën sundimin otoman, nuk lejuan që të lindte dhe të përhapej shtypi periodik brenda vendit. Vetëm jashtë Shqipërisë u arrit të krijoheshin periodikë të cilët ngritën zërin përpara Evropës, me qëllim njohjen e ekzistencës së kombit shqiptar dhe të së drejtës së tij për të qenë shtet i lirë dhe i pavarur. Gazetaria shqiptare luajti një rol të çmuar duke ndihmuar çështjen kombëtare.

Arbëreshë si Jeronim De Rada, Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, Zef Skiroi, etj., kontribuuan duke e bërë të njohur çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Këtë e realizuan duke u bërë nismëtarë në krijimin e organeve të para të shtypit shqiptar në Itali. Nga ana kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i shtypit shqiptar gazeta “L’Albanese d’Italia” (“Arbëreshi i Italisë”). Kjo gazetë doli në Napoli më 23 shkurt 1848. Në krye të saj qëndronte figura e Jeronim De Radës, rilindës i shquar i kohës. Jeronim de Rada botoi një nga organet e shtypit më me rëndësi të kohës të quajtur “Flamuri i Arbrit”, i cili filloi doli në Kalabri në vitet 1883-1887, në dialektin e arbëreshëve të Kalabrisë dhe italisht. De Rada, përmes “Flamurit të Arbrit” i bëri të njohur Evropës se ekzistonte një komb shqiptar, i cili ka pasur një histori, një gjuhë, një traditë historike  e, si rezultat, kishte mjaft të drejtë të aspironte për lirinë dhe pavarësinë e tij.

Krahas gazetave të lartpërmendura, me nismën e poetit arbëresh Xhuzepe Skiroi, u botua në 1887 në gjuhën arbëreshe dhe pjesërisht italisht Revista “Arbëri i ri”. Një gazetë tjetër me rëndësi ishte “La nazione Albanese” me drejtuesin e saj Anselmo Lorekio. Shtypi i kohës na tregon, edhe një herë, që ka dhënë ndihmesën e tij në fushën shoqërore, kulturore dhe politike gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare shqiptare.

Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëri për vetë ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra-mijëra pasardhësve të breznive që emigruan nga viset e ndryshme shqiptare, duke u ngulitur në trevat italiane në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut.[5] Shtypi arbëresh, që në zanafillë dhe sot, ka vijuar dhe vijon të zhvillohet duke lënë gjurmë në jetën e arbëreshëve, në lidhjet shqiptare dhe marrëdhëniet me Shqipërinë amë. Në gazetat e kohës, u trajtuan problematika të ndryshme të fushave letrare, kulturore, gjuhësore, folkloristike, shoqërore, pa lënë mënjanë çështjet politike. Shtypi arbëresh ka veçoritë e tij të krijimit dhe zhvillimit, që e bëjnë të ndryshëm nga zhvillimi i shtypit në vende të tjera ku kishin emigruar shqiptarët.

Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismë e dy apo tre personaliteteve, të cilët, për motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botojnë një gazetë apo revistë (Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza, Genaria Lusi, Françesko Cicero, Rosalina Petrota, etj.).[6] Në të njëjtën kohë, ai lindi dhe u krijua me synime të qarta për të paraqitur jo vetëm problematikat kulturore, por dhe problemet sociale dhe politike që ndikonin në jetën e arbëreshëve jashtë vendit, por edhe atyre brenda vendit. Shtypi u shfrytëzua për qëllime të qarta nga ana e figurave të rëndësishme të kohës si Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, Manilo Boniçi, etj., për të paraqitur orientimin e politikës zyrtare të shtetit ku kishin lindur dhe jetuar.  U botuan organe të shtypit si nismë e përfaqësuesve të qarqeve politike italiane në gjuhën shqipe dhe italiane, me një platformë të qartë mbi Shqipërinë.

Në këto organe të shtypit, numër pas numri, shfaqeshin problematika të ndryshme. Aty trajtoheshin hapur çështjet politike, të paraqitura si nismë e qarqeve politike të kohës. Në periudhën e Rilindjes kombëtare, depërtuan idetë iluministe, u hapën mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në krahinat e banuara nga popullsi shqiptare. Për të realizuar këtë zhvillim, ndihmuan rrethanat politike e kohës, por edhe grupet politiko-kulturore që vepronin jashtë administratës turke, në vende të ndryshme të botës. Të tilla ishin klubet dhe komitetet që, në atë periudhë, dhanë kontribut të madh në fushën arsimore, letrare dhe publicistike.[7] Por krahas komiteteve apo shoqërive të kohës, rol të rëndësishëm luante dhe shtypi që, siç përmendet më lart, ndihmoi lëvizjen kulturore e cila zgjati afro 100 vjet.

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare, shtypi botohej jashtë administratës turke, edhe pse, gjatë asaj kohe, kemi pasur dhe gazeta apo revista që dolën brenda kufijve të Perandorisë Osmane. Shtypi, si brenda dhe jashtë, në vende të ndryshme të Ballkanit, Evropës dhe gjetiu, luajti një rol në afrimin politik dhe kulturor të popullit shqiptar në përmasa botërore dhe u angazhua në përhapjen e arsimit në masat e popullit, në qytet apo fshat. Roli që luajtën shqiptaro-italianët (arbëreshët) në këtë proces të gjatë të zhvillimit arsimor, politik, social dhe kulturor, ka qenë i vazhdueshëm në periudha të ndryshme. Kryesisht, ky fakt u vu re gjatë Rilindjes Kombëtare. Karakteri demokratik i Rilindjes italiane u pasqyrua në faktin se, në lëvizje, mori pjesë jo vetëm popullsia e qyteteve, por edhe e fshatrave, veçanërisht në krahinat e Italisë Jugore. Format përmes së cilës vepruan rilindësit për çlirimin kombëtar ishin të ndryshme.

Nga gjiri i fshatrave të jugut dolën emra të intelektualëve të rinj, të cilët njihen ende sot e kësaj dite dhe përbëjnë krenarinë e kolonive shqiptare. Ndihma për mëmëdheun e largët dhe dëshira për të çuar zërin e këtij atdheu përpara opinionit publik botëror, karakterizojnë veprimin e gjithë patriotëve shqiptarë të shekullit XIX. Këto synime të përmendura më sipër, ishin objektivi i luftës së atdhetarëve shqiptarë, si brenda dhe jashtë vendit. Një ndër mënyrat për të realizuar synimet e tyre ishte dhe veprimtaria edukative dhe propagandistike në masat e popullit. Figura të ndryshme patriotike si De Rada, Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, etj., do ta nxisin këtë veprimtari përmes themelimit me plot sakrifica të periodikëve të parë shqiptarë si “Flamuri i Arbrit”, “L’Albanese d’Italia”, “La Nazione Albanese”.

Gazetarë italo-shqiptarë përkrahën në shtypin botëror të drejtat e popullit shqiptar, njëkohësisht themeluan shoqëri shqiptare dhe komitete të cilat, më vonë, dhanë përkrahjen për ngritjen e kongreseve gjuhësore shqiptare.

[1]   Clayer, Arbëreshët e Italisë 1413-2007: antologji e autorëve francez…, 332.

[2]   Zef Jubani, Raccolti di canti populari e rapsodie di poemi albanesi, (Trieste 1871), 23

[3]   Historia e Shqipërisë…,130

[4]  Ahmet Kondo, Flamuri i Arbrit: çështja kombëtare, (Tiranë: Naim Frashëri, 1967), 82

[5]  “Shtypi arbëresh mes informimit dhe kulturës”, Albania, e shtunë 29 janar 2005, 21

[6]   Po aty, f.21

[7] Sherafidin Hoxha, “Roli edukativ arsimor i shtypit periodik të periudhës së Rilindjes   Kombëtare”, Shkëndija, Prishtinë, 1974, 20