Rodri ia sheh sherrin hobit të tij të pazakontë, fqinjët e lajmërojnë në polici

Mesfushori i Manchester City dhe i Kombëtares së Spanjës, Rodri, është përballur me ankesa nga fqinjët për shkak të hobit të tij të pazakontë: fluturimit të dronëve.
Banorët në zonën e Salford, ku futbollisti jeton në një apartament luksoz, pretendojnë se droni i tij po cenon privatësinë e tyre. Sipas tyre, pajisja fluturon shumë pranë dritareve të apartamenteve, duke krijuar shqetësim dhe frikë se mund të jenë duke u filmuar brenda shtëpive të tyre.
Disa prej banorëve kanë kontaktuar administratën e ndërtesës, ndërsa të tjerë kanë vendosur të njoftojnë policinë, duke dyshuar për shkelje të rregullave të rrepta për përdorimin dhe filmimin me dron.
Një nga fqinjët, një shofer kamioni që jeton në katin e 34-të, tregoi se një mbrëmje ai dhe partnerja e tij po shikonin televizor kur vunë re një dritë jeshile jashtë dritares.

“E pamë dronin duke fluturuar jashtë dritares sonë dhe më pas duke u kthyer drejt ballkonit të apartamentit të Rodrit. Ai ka gjithë ato para dhe e kalon kohën duke fluturuar dronin pranë dritareve të të tjerëve”, tha ai për gazetën The Sun.
Një banor tjetër përshkroi një situatë të ngjashme:
“Jetoj me partnerin tim në një kat të lartë dhe gjëja e fundit që pret të shohësh kur je duke parë televizor është një dron vetëm një metër larg dritares. Një nga avantazhet e të jetuarit kaq lart është se askush nuk të sheh, por tani po na shqetëson Rodri dhe droni i tij”.
Pakënaqësia u përhap edhe në grupin WhatsApp të ndërtesës, ku disa banorë publikuan foto të futbollistit në ballkon me kontrolluesin e dronit në dorë, duke pretenduar se kjo mund të përbëjë shkelje të ligjeve për voajerizëm dhe ngacmim.

Policia e Manchesterit konfirmoi se ka marrë një ankesë dhe ka nisur hetimet për rastin. Futbollisti pritet të merret në pyetje për të përcaktuar nëse është në dijeni të rregullave që lidhen me përdorimin e dronëve dhe mbrojtjen e privatësisë.
Sipas rregullave të Civil Aviation Authority, pilotët e dronëve duhet të respektojnë privatësinë e qytetarëve, të mos shkaktojnë shqetësime dhe, në shumicën e rasteve, duhet të regjistrohen dhe të kalojnë një provim teorik përpara se të operojnë pajisjen.
Rodri iu bashkua Manchester City në vitin 2019 nga Atletico Madrid për rreth 70 milionë euro dhe në vitin 2024 fitoi edhe Topin e Artë. /Telegrafi/





















































