Gazetari dhe publicisti Enver Robelli, në “Përballje Podcast”, tha se dialogu Kosovë–Serbi është në pikën më të paqartë të viteve të fundit, ndërsa marrëveshja e Ohrit ka mbetur një dokument i pazbatueshëm për shkak të mungesës së nënshkrimit nga pala serbe. Ky podcast përkrahet nga kompania EXFIS.

Robelli u shpreh skeptik për vlerën juridike dhe politike të një marrëveshjeje të pambështetur me nënshkrim.



“Jam shumë skeptik që një marrëveshje pa nënshkrim mund të funksionojë. Edhe më herët kemi parë që Serbia i ka mohuar zotimet e veta. Përvojat janë të qarta”, ka deklaruar në podcast në Telegrafi.

Ai kujtoi kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq, dërgoi një letër në BE duke deklaruar se Serbia nuk e njeh marrëveshjen, gjë që sipas tij e ka delegjitimuar procesin që në fillim.

“Serbia ka luajtur dy karrige për vite të tëra”, shton Robelli.

- YouTube www.youtube.com

Ai foli për strategjinë e Aleksandar Vuçiqit në politikën e jashtme, duke theksuar aftësinë e tij për të manipuluar perceptimet ndërkombëtare.

“Vuçiqi është një lojtar i rryer i politikës. Po të mos bëhej politikan, do të ishte aktor fantastik. Ai është në gjendje të flasë dy orë, të vajtojë, ta paraqesë veten sikur është i rrethuar nga armiqtë dhe se vetëm ai po e mbron Serbinë”, shton Robelli.

Sipas tij, Vuçiqi ka mbajtur kontakte të ngushta me Moskën, por përmes shitjes së armëve në tregje të treta ka arritur t’i shërbejë edhe interesave të vendeve që furnizojnë Ukrainën.

“Serbia ka shitur rreth një miliard euro armë që kanë përfunduar në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse BE-ja dhe disa shtete perëndimore e trajtojnë me shumë kujdes”, thotë Robelli.

Ai shtoi se Serbia dhe Bullgaria janë ndër të paktat vende që ende prodhojnë municion të përshtatshëm për armët sovjetike, çka rrit peshën e tyre gjeostrategjike në kohë lufte.

Robelli tha se BE-ja shpesh e trajton Serbinë si aktorin më të rrezikshëm në rajon, prandaj i shmang përplasjet direkte me Vuçiqin, ndërsa Kosova, për shkak të orientimit të qartë perëndimor, ndonjëherë përballet me më shumë presion.

“Gjithmonë shtetet që kanë potencial më të madh destabilizues trajtohen me më shumë kujdes. Serbia e luan kartën e Rusisë dhe Kinës. Kosova nuk ka alternativa të tilla”, ka deklaruar Robelli.

Enver Robelli n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Ai tha se në këtë situatë, Kosova mbetet nën masa, nën presion dhe në pritje të qartësimit të qëndrimit të BE-së, ndërsa dialogu rrezikon të shndërrohet në proces të pafund.

Robelli u shpreh se dialogu mund të ecë përpara vetëm me rregulla të qarta dhe me garanci ndërkombëtare.

“Pa nënshkrim, pa përgjegjësi dhe pa presion të balancuar ndaj Serbisë, dialogu mbetet në vendnumëro. Dhe rreziku është që e gjithë barra t’i bie vetëm Kosovës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/