Rinisja e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” – Rama: Ndalimi i tyre ishte joligjor

Komuna e Prishtinës ka rinisur sot punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ani pse të njëjtat janë ndaluar për dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se vendimi për ndalimin e punimeve ka qenë joligjor.
Ai tha se punimet në këtë pjesë do të vazhdojnë deri në përfundim të tyre.
“Ne faktikisht po i vazhdojmë punimet, nuk i kemi ndal ato dhe do të vazhdojmë deri në përfundim të tyre për të mirën e gjithë qytetarëve të kryeqytetit. Ajo ndalesë ka qenë joligjore dhe ne kemi bërë kallëzim penal ndaj atij inspektori. Jemi përbrenda kornizave ligjore, i kemi treguar të gjitha dokumentet. Ne do të vazhdojmë me punimet dhe projektet tona madhore”, tha Rama.
Rama tutje shtoi se gjatë punimeve do të ndërrohen edhe gypat e ujit që janë të asbestit tash e më shumë se 50 vite.
“Kemi edhe disa punë me interes të madh edhe përfundi kësaj hapësirës, gypat e ujit që janë ta asbestit më shumë se 50 vite që janë të dëmshme për qytetarët tanë janë kancerogjene edhe ato do t’i ndërrojmë edhe ta bëjmë rehabilitim e gjithë kësaj hapësire. Ta heqim asfaltin dhe t vendosim materiale të nivelit të lartë që janë gur, granit dhe të shtojmë gjelbërimin”, tha Rama.
Kujtojmë se javë më parë Rama kishte paralajmëruar vazhdimin e punimeve në këtë pjesë të qytetit, derisa kishte paralajmëruar kallëzim penal për ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, për shkak që sipas tij, po ndalon projektet në kryeqytet.
Rreth një muaj më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte njoftuar se janë vendosur shenjat zyrtare për ndalimin e punimeve në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë, për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në një zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.
Sipas MKRS-së, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka pranuar informacion për punime në këtë zonë, e cila gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës.
Pas verifikimeve nga QRTK Prishtina dhe IKMM, është konstatuar se Komuna e Prishtinës dhe drejtoritë e saj përkatëse nuk kanë kërkuar leje për kryerjen e këtyre punimeve, siç kërkohet me ligj./Telegrafi/






















































