Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka bërë të ditur se linja e tensionit të lartë LP 179/2, e cila lidh Nënstacionin e Suharekës me Nënstacionin Ferizaj 3, është rikthyer në operim të plotë pas ndërhyrjeve teknike në terren.

Sipas njoftimit të KOSTT-it, gjatë gjithë periudhës së punimeve furnizimi me energji elektrike për konsumatorët është siguruar përmes alternativave të rrjetit, pa pasur ndërprerje apo kufizime në këtë pjesë të vendit.


“Ekipet teknike të KOSTT kanë qenë të angazhuara intensivisht në terren dhe brenda një afati shumë të shkurtër kanë realizuar largimin e shtyllës së rrëzuar, ndërtimin e shtyllës së re këndore T30 dhe rikthimin e linjës në operim të plotë, në përputhje me standardet e sigurisë dhe kërkesat teknike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOSTT ka theksuar se ndërhyrjet janë kryer me sukses dhe se funksionimi i rrjetit të transmisionit është stabil dhe i sigurt. /Telegrafi/