LAJMI I FUNDIT:

Rihapen bizneset në Kosovë, “Telegrafi Jobs” pranon 21 konkurse për 216 vende të lira të punës

Rihapen bizneset në Kosovë, “Telegrafi Jobs” pranon 21 konkurse për 216 vende të lira të punës

Në ditën kur tanimë shumica e bizneseve kanë rifilluar aktivitetin e tyre në Kosovë, pas mbylljes për shkak të coronavirusit, një efekt është vërejtur edhe tek hapja e vendeve të lira të punës.

Një gjë e tillë është vërejtur edhe tek rubrika tanimë e popullarizuar e Telegrafit “Telegrafi Jobs”.


Në adresë të kësaj rubrike, vetëm gjatë ditës së hënë (1 qershor) kanë ardhur e-maile me 21 konkurse nga kompani të ndryshme, përmes së cilave kërkohen 216 punonjës të ri – përkatësisht për 216 pozita të lira të punës.

Ndër pozitat për të cilat kërkohen punëtorë janë edhe për Call Center – Teknologji Informative – Administratë – Sigurime – Marketing dhe Reklamim – Shitje – Menaxhment.

Për të parë konkurset, klikoni KËTU

Kjo mund të thuhet se tregon se, pavarësisht vështirësive të kaluara gjatë periudhës së bllokimit, bizneset në Kosovë pritet të kthehen fuqishëm në treg.

Ndryshe, më 1 qershor në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka publikuar listën e plotë e bizneseve të cilave nga sot iu lejohet veprimtaria.

Lista bazohet sipas urdhëresës së Ministrisë së Shëndetësisë, për lehtësimin e masave nga pandemia COVID-19 nga data 4 maj. /Telegrafi/