LAJMI I FUNDIT:

Kurti kërkon mocion për shkarkimin e Rikalos (Video)

Kurti kërkon mocion për shkarkimin e Rikalos (Video)

E plotësuar: Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar mocion për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili dyshohet për keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës.

Në fjalën e tij pas interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj, Kurti tha se janë 20 dëshmitarë dhe për këtë duhet të hetohet dhe të shkarkohet.

Kurti tha se duhet të verifikohen të gjithë ministrat që janë aty dhe është pikërisht ministri Rikallo që nuk e ka mbështetur programin e Qeverisë.


AAK dhe Nisma për Kosovën: Çështja e Rikalos t’i lihet organeve të drejtësisë

E plotësuar: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën kanë shprehur mbështetje për organet e drejtësisë në punën e tyre për t’i hetuar akuzat ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i cili po akuzohet për keqtrajtim të popullatës shqiptare.

Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se duhet të largohet kjo temë nga ndikimi dhe tendencat politike, duke ua lënë kështu organeve të drejtësisë këtë çështje, e të cilat sipas tij, janë të krijuara dhe të thirrura nga ky Kuvend që mbrojnë kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Shefi i grupit parlamentar të “Nisma për Kosovën”, Bilall Sherifi ka thënë se pasi që kryeministri ka kërkuar hetim nga organet e drejtësisë për ministrin Rikallo, sipas tij, punën më tutje e kryejnë organet përgjegjëse.

“Ky parlament ka një detyrë, e ajo është që të respektojë rregullat kushtetuese dhe ligjore. Nëse një deputet që vërtetohet se ka kryer krime vazhdon të qëndrojë këtu atëherë deputetët e kanë për detyrë ta shkarkojnë atë. Nëse një qeveri ka në mesin e saj persona të tillë ajo mazhorancë mban kosto politike. Ta dallojmë koston ligjore prej asaj politike. T’i japim shans drejtësisë. Të njëjtën kohë mos ta shndërrojmë parlamentin në gjykatë”, ka shtuar Sherifi. /Telegrafi/

Millosavleviq: Serbët duhet të jenë qytetarë të barabartë në Kosovë

E plotësuar: Sasha Millosavleviq, deputet nga Lista Serbe, ka thënë se puna e deputetëve është që të merren me ligjet për të mirën e qytetarëve dhe të mos luajnë rolin e gjykatësve për të sulmuar dhe gjykuar serbët.

Sipas tij, akuzat ndaj Rikalos po bëhen vetëm pse ai është serb.

“Sot këtu për të satën herë është një temë, e cila nuk do të duhej të debatohej në Kuvend, pasi që bëhet fjalë për një temë të pastër politike, e cila shkakton ndarje ndërmjet popujve në Kosovë, temë e cila shërben si nevojë për fushatë zgjedhore, pasi që ata që e kanë nisur nuk kanë ide për atë se si Kosova të zhvillohet ekonomikisht, çfarë duhet bërë që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë sa më mirë dhe ajo që është më e rëndësishme se si dikush përfundimisht të pranojë se serbët duhet të jenë qytetarë të barabartë në Kosovë dhe ndaj serbëve të mos drejtohet gishti dhe ndaj neve si përfaqësues të tyre”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se asnjë parti politike nuk mund të bëjë individualisht asnjë të mirë për të ardhmen e qytetarëve, pasi që sipas tij, e ardhmja e mirë për Kosovën mund të ndërtohet vetëm bashkërisht.

Krasniqi: Kërkojmë hetim të pavarur dhe profesional për rastin e ministrit Rikallo

E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës ku rend dite është interpelanca për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka theksuar se ata si subjekt politik kërkojnë hetim të pavarur dhe profesional nga ana e organeve të drejtësisë për rastin në fjalë.

Ai ka thënë se pavarësisht qëndrimeve të partive politike, duhet të pranohet vendimi që vjen nga organet përgjegjëse, duke mos e kontestuar atë.

“Ne i japim mbështetje organeve të drejtësisë, që përmes një hetimi profesional ta mbyll çështjen e ngritur nga kjo interpelancë. Të shmanget keqpërdorimi dhe të mos tentohet të përfitohet për interesa të brendshme të partive nga kjo çështje”, ka thënë Krasniqi.

Haradinaj: Për rastin e ministrit Rikalo kam kërkuar përgjigje nga institucionet

E plotësuar: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga opozita për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka theksuar se ai si ka dëgjuar për rastin e ministrit në fjalë dhe për këtë çështje i pyetur personat përgjegjës në institucione.

Ai ka thënë se motivi që i shtyn disa me mbrojt të drejtën e viktimës, është i ndershëm, por që sipas tij, “ka këtu njerëz që kur janë dënuar komandantët e luftës janë gëzuar, duke i akuzuar ata në mënyra të ndryshme”.

“Nëse duam me bo lojë fjalësh, atëherë luajmë. Ditën kur ka ndodhë ngjarja, unë kam qenë në detyrë dhe i kam pyet ata që janë në detyrë, duke filluar prej prokurorit Reshat Millaku e deri te AKI-ja”, ka shtuar Haradinaj. /Telegrafi/

Hoti tregon arsyet për thirrjen e interpelancës për ministrin Rikalo

E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka treguar para deputetëve arsyetimin se pse e kanë parashtruar kërkesën për interpelancë për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Hoti ka thënë në foltoren e Kuvendit se ministri aktual i Bujqësisë dyshohet se ka keqtrajtuar dhe maltretuar qytetarët shqiptarë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Në kërkesën tonë, ne jemi nisur nga parimi se institucionet e Republikës së Kosovës duhet të përbëhen nga njerëz që nuk kanë rënë ndesh me ligjin. Populli i Kosovës nuk meriton që të ketë në qeveri persona që kanë akuza të tilla publike. Në rastin konkret kemi të bëjmë me veprime ndaj të cilave populli i Kosovës është i  ndjeshëm në këto tema, sepse ka vuajtur nga gjenocidi”, ka shtuar ai.

Sipas tij, mosreagimi i Haradinajt për ta larguar Rikallon nga detyra e tij, tregon pafuqinë e tij përballë këtij ministri dhe kushtëzimeve dhe varësisë që e ka Qeveria nga Lista Serbe, duke shtuar se “kjo tregon degradimin institucional dhe mosveprimi i kryeministrit përbën fyerje për qytetarët”. /Telegrafi/

Rifillon seanca, Haradinaj në interpelancë për ministrin Rikalo

Ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri Ramush Haradinaj do të jetë në interpelancë për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo i cili dyshohet për keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së luftës.

Propozues i kësaj seance është Lidhja Demokratike e Kosovës. /Telegrafi/

https://www.facebook.com/kosovapress/videos/503066780057482/