Ribërja e “Faces of Death” kalon pengesat e censurës dhe del në kinema

Ribërja e filmit kontrovers Faces of Death ka arritur më në fund në kinema, pas një procesi të gjatë vonesash dhe përballjesh me censurën.
Projekti, i bazuar në filmin origjinal të vitit 1978, qëndroi për dy vite në pritje para se të publikohej këtë javë.
Filmi i parë u bë i famshëm për stilin e tij “pseudo-dokumentar”, duke paraqitur skena të vdekjes si reale, ndonëse më vonë u zbulua se ishin të inskenuara, shkruan DailyMail.

Megjithatë, për shkak të përmbajtjes së tij të diskutueshme, ai u ndalua në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Australia dhe Zelanda e Re, duke u kthyer në një nga titujt më të famshëm të zhanrit horror.
Ribërja, me regji të Daniel Goldhaber, u përball me pengesa që nga faza e post-produksionit, përfshirë tërheqjen nga festivale dhe kufizime në materialet promovuese.

Filmi, me protagonistë Barbie Ferreira dhe Dacre Montgomery, ndjek një moderatore përmbajtjeje që zbulon një seri vrasjesh të rikrijuara dhe të publikuara online.
Sipas regjisorit, projekti është përballur me “probleme të censurës dhe ndërhyrje në shpërndarje”, ndërsa disa skena janë detyruar të shkurtohen për shkak të përmbajtjes së rëndë. Edhe materialet promovuese janë ndaluar në disa platforma online.

Pavarësisht pengesave, filmi ka marrë vlerësime pozitive nga kritika dhe ka shënuar rezultate të mira fillestare në biletari.
Në kast shfaqet edhe një rol i vogël nga këngëtarja Charli XCX, duke shtuar vëmendje shtesë rreth projektit. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





























































