Megjithatë, parandalimi i fenomenit të rekrutimit të të rinjve kosovarë mbetet peng i projektligjit që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, i cili nuk u miratua për shkak të shpërndarjes së Parlamentit.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Bajram Rexhepi, i cilëson “bisha” ata të cilët edhe pas aktit të Lavdërim Muhaxherit marrin rrugën e Sirisë, ndërsa thekson se për momentin Kosova është një ambient i sigurt.


“Ata të cilëve në njëfarë mënyre u është shpëlarë truri, nëse kanë pak ndërgjegje, kur i shohin ato veprime duhet të tërhiqen. Por, nëse kanë marrë rrugë pa kthim, atëherë ata s’kanë lidhje me njerëzit por u ngjajnë më tepër disa bishave. Natyrisht që ne kemi marrë masa të rrepta për të kontrolluar fluksin e lëvizjes dhe kemi një bashkëpunim të mirë me Turqinë - sepse përmes Turqisë shkojnë atje - por edhe me shtetet e rajonit pasi disa përdorin Tiranën dhe Shkupin”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai nuk ishte pjesë e takimit që presidentja Jahjaga zhvilloi një ditë më parë me krerët e institucioneve të sigurisë. Megjithatë thotë se lufta kundër terrorizmit është prioritet i policisë.

Sipas tij, rreziku më i madh është për ata që kthehen, që janë nën monitorim, ndërsa ajo që duket si problem i pazgjidhur është indoktrinimi i të rinjve që bëhet qoftë nëpër xhami apo rrjete sociale, e theksuar kjo edhe në raportin e fundit të administratës amerikane për të drejtat dhe liritë fetare.

Ministri i Brendshëm thekson se në këtë mes është edhe projektligji që nuk është miratuar ende, i ofron hapësirat e duhura të veprimit, ndërsa i bën thirrje edhe Bashkësisë Islame që të luajë si duhet rolin e saj.

“Realisht ai ligj jep hapësirë edhe më të madhe, sepse aty parashikohet që thirrjet apo rekrutimi në rrjetet sociale dhe në forma të tjera të dënohen. Ndërsa, Kodi Penal i ka hapësirat më të kufizuara dhe fokusohet më tepër tek të dhënat për akte terroriste. Kjo është çështje komplekse”, ka thënë Rexhepi.

Sa i përket OJQ-ve, ai thotë se Kosova ende nuk ka një listë të organizatave që në prapavijë kanë qëllime terroriste, kjo pavarësisht faktit që segmente të caktuara shumë shpesh publikojnë lista organizatash të dyshuara për terrorizëm e që shumë lehtë mund të gjenden online se veprojnë edhe në Kosovë.

"Ne ende sot nuk kemi një listë të organizatave terroriste, qoftë të atyre evropiane apo të atyre amerikane. Në të ardhmen duhet ta kemi një të tillë, në mënyrë që ose t’u ngrihet aktiviteti, ose fondet nëpër banka", ka shtuar Rexhepi.

Aktualisht në Siri dhe Irak janë duke lufutar jo më shumë se 50 kosovarë. Institucionet u alarmuan pas aktit të njërit prej tyre, Lavdërim Muhaxherit, i cili publikoi foto duke i prerë kokën një të riu. /Top Channel/


Ndalimi i shqiptarëve në luftën e Sirisë - Top... by tchalbania