Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka deklaruar se sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve në vend nuk janë të rastësishme, por të organizuara dhe me vetëdije.

“Nuk pati dialog, pati ashpërsim të gjuhës dhe sulme të vazhdueshme, që unë i vlerësoj si të organizuara. Janë të bëra me vetëdije, me qëllimin e vetëm për të degraduar punën e gazetarëve dhe mediave, sidomos kur ato raportojnë me të gjitha faktet për një skandal të qeverisë apo keqmenaxhim të parasë publike”, tha Rexha në Rubikon.


Ai shtoi se qëllimi i këtyre sulmeve është që publikut t’i dërgohet mesazhi se nuk duhet t’u besojnë mediave edhe atëherë kur faktet janë të qarta.

“Shumë shpesh, gazetarët që e bëjnë punën e tyre përballen me akuza të pabaza se janë kundër Kosovës, gjë që akuzë e pabazë për gazetarët”, theksoi Rexha.

Ndërkaq, opinionisti Ilir Deda lidhur me sulmet e bëra nga Qeveria Kurti ndaj mediave, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të destinuara për të dështuar.

Ai më tej tha se po shfaqet ëndrra e Shqipërisë së “xhaxhit”, me synimin që Kosova të bëhet “e babës”.

“Tani po shfaqet në formën më brutale kjo ëndërr e Shqipërisë së xhaxhit, me u bë Kosova e babës”,  tha Deda.

Ai shtoi se nuk e kupton qëllimin e veprimeve të tilla, duke theksuar se lufta kundër mediave është gjithmonë e humbur.

“Përnjëmend nuk e di çfarë po duan këta njerëz, sepse lufta kundër medias është gjithmonë e humbur. Askush nuk e ka fituar dhe nuk do ta fitojë, as kjo qeveri dhe asnjë në të ardhmen”, tha ai.