Retro: Si u vra mizorisht 13-vjeçari Agim Lera nga Sokol Mjacaj dhe vëllezërit Kodra më 2010.

Në gjykatën e shkallës së parë, Besnik Kodra është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij Edmond Kodraj me 11 vite burg. Sokol Mjacaj u dënua me 10 vite burg për veprën penale te vrasjes në bashkëpunim.
Çështja më pas i kaloi Gjykatës së Apelit, në Shkodër. Gjatë seancave në shkallën e parë, Sokol Mjacaj ka qenë personi që ka dëshmuar në lidhje me vendndodhjen e trupit te pajetë të 13-vjeçarit në ujërat e lumit Shalë, pranë grykës së Ndërshejit. Mjacaj gjithashtu ka dhënë detaje edhe për mënyrën se si dy vëllezërit Kodra kanë kryer vrasjen makabër, duke torturuar dhe keqtrajtuar 13-vjeçarin Lera deri sa i kanë shkaktuar vdekjen.
Në dëshmitë e dhëna atë kohë, Mjacaj kishte thënë në prani të psikologut se Edmond Kodra, me të cilin ishin edhe shokë, i kishte kërkuar që të thërriste viktimën Agim Lera dhe ta çonte tek vendi ku ndodhi krimi. Sipas hetuesve, vëllezërit Kodra e ekzekutuan fëmijën pasi ai nuk pranonte t’iu jepte varësen e floririt që mbante në qafë. Sipas Mjacajt, kanë qenë dy vëllezërit që e kanë qëlluar me grushte, më pas e kanë përplasur tek gurët dhe i kanë vendosur këmbën mbi koke 13-vjecarit, derisa e kanë mbytur.
Më pas e kanë hedhur tek lumi. Sipas prokurorisë viktima Agim Leraj është gjetur tek vendi që ka treguar Mjacaj, në lumin e Shalës, në vendin e quajtur Gryka e Ndërshejt. Po sipas Prokurorisë, viktima ka pasur shenja dhune në trup dhe vdekja i ka ardhur prej tyre. Më pas është hedhur në ujë.
Kufoma është gjendur e hedhur përmbys në lumin e Shalës, brenda në ujë, ku gjerësia është 2.5 metra dhe thellësia 12 centimetra. Ndërsa, pak me tej, tek një shkurre janë gjetur gjurmë gjaku dhe një këpucë e majtë që kanë rezultuar të jenë të viktimës dhe disa degë shkurresh të thyera. Gjykata e Apelit në Shkodër e ka dënuar Mjacajn përfundimisht me pesë burg, prej ku doli vetëm para një muaji. /Gazeta Shqip/

















































