LAJMI I FUNDIT:

Reshitaj: Vazhdoj të jem pjesë e AAK-së

Reshitaj: Vazhdoj të jem pjesë e AAK-së

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, e cila ishte e vetmja nga kjo partie që qëndroi në seancë, derisa votohej për Vjosa Osmanin si presidente, ka dhënë arsyet pse ka qëndruar në sallë, si dhe ka mohuar se është larguar nga ky subjekt politik.

Reshitaj, përmes një postimi në facebook, ka mohuar se kishte interes personal për të qëndruar në sallë, duke theksuar se qëndrimi i saj është i bazuar vetëm në arsyet humane dhe profesionale sepse kështu thotë se e ka ndërtuar karakterin dhe personalitetin e saj.


“Poashtu dua të bëj me dije se nuk është e vërtetë që jam larguar nga partia të cilës i takoj dhe kam kaluar në ndonjë grup tjetër parlamentar, ashtu siç përgënjeshtroj çdo tendencë që e përfshijnë emrin tim si një kandidate eventuale për kryetare të Komunës së Suharekës”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Reshitajt

“Të dashur qytetarë dhe votues të nderuar,

Ashtu siç kam bërë të ditur në paraqitjet e mija në Kuvendin e Kosovës, po e ndjej obligim të sqarohem edhe njëherë rreth vendimit tim për të qëndruar në seancë kur po votohej për president.

Janë dy arsye kryesore për këtë:

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në një situatë të rënduar nga Pandemia, do të ishin rrezik tepër i madh për qytetarët tanë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë që institucionet të merren me menaxhimin e kësaj gjendje dhe jo të kontribuojmë që situata të përkeqësohet. Si një profesioniste shëndetësore nuk kam mundur ta bindi vetën që diçka e tillë të ndodh.

Së dyti, me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në integritetin e shtetit të Kosovës, është fakti se ne nuk mund të lejojmë që Lista Serbe të arrijë që ta bllokoj vendin me direktiva nga politika e Beogradit ashtu siç kemi qenë të detyruar në të kaluarën.

Qëndrimin tim e kam shfaqur secilën here në forumet tona partiake, ku kam dhënë mendimin dhe kam propozuar e argumentuar nevojën e reflektimit politik, me qëllim të konsolidimit institucional.

Ndërkaq për zërat dezinformues dhe me tendenca të caktuara se gjoja mund të ketë qënë ndonjë interes personal i imi që më ka shtyer të marr atë vendim, më vjen keq për nivelin e tillë të propagandave dhe trillimeve. Në këtë aspekt e ritheksoj që qëndrimi im është i bazuar vetëm në arsyet humane dhe profesionale sepse kështu e kam të ndërtuar karakterin dhe personalitetin tim. Për këtë, më mirë se çdo fjalë e thënë, koha do t’i dëshmojë të gjitha.

Poashtu dua të bëj me dije se nuk është e vërtetë që jam larguar nga partia të cilës i takoj dhe kam kaluar në ndonjë grup tjetër parlamentar, ashtu siç përgënjeshtroj çdo tendencë që e përfshijnë emrin tim si një kandidate eventuale për kryetare të Komunës së Suharekës.

Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës derisa besoj që edhe mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj”, ka shkruar Reshitaj.

Ndryshe, disa media gjatë së dielës kishin raportuar se Reshitaj është përjashtuar nga AAK, pas vendimit të saj të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. /Telegrafi/