Reperi legjendar Snoop Dogg i është bashkuar zyrtarisht organizatës së eSports, FaZe Clan

Sot (e hënë) me një njoftim, organizata e eSports dhe lojërave, FaZe Clan, njoftoi se reperi Snoop Dogg është një anëtar i ri i ekipit të talenteve dhe po i bashkohet bordit drejtues të tyre.
Me anë të një videoxhirimi të postuar në Twitter, organizata FaZe ka lajmëruar për bashkëpunimin me reperin amerikan. 'Traileri' i shkurtër tregon reperin në një video të animuar me personazhin e qenit që transmetohet pasuar nga tekste ikonë nga artisti.
Traileri përmban një montazh të reperit duke luajtur video-lojëra në transmetim, gjithashtu edhe pamje nga takimi me pjesëtar të FaZe Clan.
Video gjithashtu tregon se reperi do të shfaqet në transmetimet në stream nën emrin e FaZe Clan, e kjo nuk është aspak befasi duke e ditur që reperi është mjaft aktiv për fansat e tij në transmetimet në Twitch.
Konfirmimin për bashkëpunimin me organizatën e ka lajmëruar edhe vetë reperi përmes një postimi në Twitter, ku ka shkruar se i është bashkuar FaZe Clan.
Si pjesë e bashkëpunimit të tij me FaZe Clan, Snoop Dogg do të nisë një program komunikimi në komunitet për të mbështetur të rinjtë.
Ky bashkëpunim u shfaq gjatë fundjavës së Super Bowl muajin e kaluar, kur anëtarët e FaZe luajtën në një lojë futbolli të përbashkët FaZe Clan dhe NFL, ku pati një donacion nga FaZe Clan për ligën e futbollit të të rinjve të Snoop Dogg.
Sipas The HollyWood Reporter, bashkëpunimin e Snoop Dogg me FaZe e mundësoi djali i tij, Cordell Broadus. /Telegrafi/





















































