Rëndësia e zbulimit të hershëm të autizmit, flet logopedi Dion Gjoka

Muaji prill shënon Muajin e Ndërgjegjësimit për autizmin.
Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit, duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat.
Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeçare.
Në një intervistë dhënë Telegrafit, logopedi Dion Gjoka, foli më shumë rreth autizmit, duke potencuar që duhet të kemi kujdes që autizmi të mos ndërlidhet me diagnoza tjera.
“Autizmi është një çrregullim neuro-zhvillimor, i cili ka disa elementë kryesorë që po mundohemi që çdo ditë t'i shpjegojmë, e që të mos keqkuptohen dhe mos ndërlidhen me diagnoza tjera. Element kryesor të autizmit janë çrregullimi në komunikim apo vonesë në komunikim, tek disa raste edhe komunikimi verbal mungon totalisht, element tjetër janë stereotipet të cilët personat me autizëm i shfaqen, është pjesa ku fëmijët shfaqin lëvizje të përsëritura, e që është një ndër elementet kryesore të autizmit, e gjithashtu element tjetër është tërheqja sociale e cila shfaqet tek personat me autizëm”, tha fillimisht Gjoka, shkruan Telegrafi.
Tutje Gjoka potencoi që në shumë raste fëmijët me autizëm kanë dëshirë të luajnë vetëm.
“Për shembull, fëmijët kanë qejf të luajnë vetëm, dhe lodrat i përdorin në një formë pak më ndryshe, e jo në formën se si janë dizajnuar lodrat, e gjejnë një lojë që u përshtatet atyre, dhe gjithmonë mundohet që kjo lojë me u bë vet”, u shpreh Gjoka.
Ndër të tjera Gjoka në intervistën dhënë Telegrafit, foli edhe për autizmin tek të rriturit.
Intervistën e plotë me logopedin Dion Gjoka më poshtë. /Telegrafi/




















































