LAJMI I FUNDIT:

Me rëndësi të jesh diku, por jo i dashuruar me reflektimit tënd

Me rëndësi të jesh diku, por jo i dashuruar me reflektimit tënd

Ishte yll i muzikës dhe filmit, por ia ktheu shpinën famës. Roland Gift flet për rikthimin e tij me një shfaqje muzikore. Tekstin e gazetarit Dave Simpson, Telegrafi e sjell të plotë më poshtë.  

Nuk ka posterë filmash në shtëpinë e Roland Giftit në Londër, ndërsa disqet e platinit janë në një vend të sigurt. Kjo shtëpi të jep pak të dhëna për historinë e jashtëzakonshme jetësore të një 59-vjeçar që ishte “pankeri i parë i zi në Hull” e që bëhet yll ndërkombëtar i muzikës pop dhe i filmit.


“Gjithmonë kisha frikë se do të mbështillem me famën dhe me botën e glamurit”, shprehet ai. Në fakt, kur grupi i Giftit, Fine Young Cannibals, kryesoi në top-listat e të dy anëve të Atlantikut – me albumin e tyre të dytë të vitit 1989, “The Raw & the Cooked” (i ripublikuar këtë muaj, tok me albumin eponim debutues të vitit 1985) – ai e kishte një marrëdhënie të vështirë me famën.

Në kulmin e famës – kur e luante Lucky Gordonin në filmin “Scandal”, në lidhje me aferën Profumo, dhe pasi e futën në mesin e “50 njerëzve më të bukur” në botë – papritmas u tërhoq në qytetin e tij, në Hull, duke dalë në klube burrash e duke punuar gati si shofer i striptizetave. “Më pëlqente të isha diku e jo të isha i bukur. Kurrë s’kam dashur të jem i dashuruar me reflektimin tim”, thotë ai. E, më 1990, pasi kryeministrja Margaret Thatcher u shfaq në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Brit, grupi u kundërpërgjigj duke thënë se “nuk duan të jenë pjesë e transmetimit të gostisë së konservatorëve”. Pavarësisht suksesit të albumit “The Raw & the Cooked”, grupi nuk bëri album tjetër.

Por, Gifti dikur nuk priste se do të bëhet i famshëm. Teksa rritej si fëmijë i racave të përziera, në vitet 1970, ishin shumë pak fytyra të zeza në reklama ose në televizione. “Kishte aktorë të zinj në filmat si ‘Scum’ ose ‘Scrubbers’”, kujton ai, “por, kjo është ironike… ata i luanin personazhet e burgosurat”. Djali i një marangozi të zi dhe një nëne të bardhë që drejtonte dyqane të rrobave të dorës së dytë, i kaloi vitet e tij të para në Birmingem, në një nga zonat e para multikulturore të Britanisë së Madhe: “Nuk kishte asnjë shenjë në rrugën tonë që thoshte: Pa Irlandezë, pa qen, dhe pa të zinj. Sepse të gjithë ishin të zinj ose bojëkafe ose irlandezë. Për mua kjo ishte normale”.

Zhvendosja në Hull, në moshën 11-vjeçare, ishte një “tronditje, sepse ishin veç dy fëmijë të tjerë jo të bardhë në shkollë”. Por, Gifti kurrë nuk u ndie e padëshiruar. U fut në skenën e pankut të Jorkshajrit, ku xhaketa e tij prej lëkure të zezë dhe flokët bionde ia dhanë atij pseudonimin “Guinness”. Në një koncert të grupit Clash, në Lids, e tërhoqi vëmendjen e këngëtarit Joe Strummer. “Gjatë koncertit, pantallonat e tij u shqyen”, nënqesh Gifti, duke shtuar se Strummer pyeti nëse dikush kishte gjilpërë kapëse dhe një mori e artikujve të modës së pankerëve u hodhën në skenë.

“Normalisht, kurrë nuk i mbaja, por për ndonjë gjë kisha një gjilpërë kapëse. Bërtita: ‘Joe! Joe’! Dhe, ai e zgjati dorën dhe e mori. Dukej si tavani i Kapelës Sistine, ku Zoti arrin poshtë”. Sikur je vajosur? “S’e di për këtë”, qesh ai, “por ishte moment mjaft i mirë.”

Ai ishte pjesë e një grupi të ska-pankerëve, Akrylykz, kur Andy Cox dhe David Steele – dikur nga grupi Beat, një nga grupet e para multiraciale të Mbretërisë së Bashkuar – e rekrutuan për Fine Young Cannibals: një grup që ndërthuri muzikën rok dhe soul, me vokalet e paimitueshme e drithëruese të Giftit te hitet si “Good Thing”, që kishte zënë vendin e parë në ShBA, dhe “I’m Not the Man I Used to Be”. Suksesi erdhi pavarësisht se atyre u ishte thënë – nga figurat e industrisë – se një grup i bardhë me një këngëtar me lëkurë të errët nuk do t’ia dilte kurrë.

Në fund të viteve ’80 dhe ’90, bota e filmit britanik u bë gjithashtu më e larmishme. Roli i parë i Giftit ishte ai i revolucionarit të ri e të pashëm Danny tek “Sammy dhe Rosie Get Laid”, nga Stephen Frears dhe Hanif Kureishi, si dhe në filmin tjetër të tyre të vitit 1987, “My Beautiful Laundrette”. Këngëtari sigurisht që nuk ishte përgatitur për rol. “Dikush më tha më vonë se ata u kërkuan grave në zyrë të parakalojnë dhe kështu më inspektuan”, shpjegon ai, duke lëshuar një të qeshur të vogël. “E fitova rolin”.

Më pas, projektet vazhduan, që nga seriali televiziv i vitit 1997, “Painted Lady”, me Helen Mirrenin, e deri te filmi i vitit 20177, “Brakes”, me Noel Fieldingun. Pos ndonjë rasti të refuzuar si “stereotip”, ai nuk mendon se ka përjetuar pengesa racore. “Jo në ekran… Mund të jetë pengesë nëse nuk e bën rolin”. Kjo mund të lidhet me komentin e fundit të Steve McQueenit, për ditore “Guardian”: “Nëse doni të kuptoni racën dhe klasën në Britani, duhet t’ia nisni duke shkuar në një set filmik”.

“E vërejtur këtë me kompanitë diskografike. Befas më erdhi në mendje: ‘Të gjithë këta njerëz janë nxënës të shkollave publike. Janë mjeshtër marionetash. Padyshim që kishin një ngjyrë të caktuar’. Mund të varemi nga identiteti”, konsideron ai. “Jam gjysmë i bardhë, gjysmë i zi. Edhe çka? Të gjithë i bëjmë të njëjtat gjërat”.

Ai e tregon një moment të fëmijërisë, kur ai dhe disa shokë irlandezë, shkuan në një zonë të shtresës së lartë dhe aty hasën dy fëmijë të veshur mirë e me këpucët me shkëlqim. “E pamë njëri-tjetrin përmes portës; edhe ata ishin gjithashtu të racës së përzier, por e dija se kisha më shumë gjëra të përbashkëta me irlandezët, të cilët ishin të bardhë, sesa me ata fëmijë. Babai i tyre i largoi nga ne. Pra, nuk është punë race. Është punë klase. Gjithmonë është klasore”.

Ndarja nga lloji tjetër bëri që grupi të shpërbëhet në vitin 1996. “Të gjithë u frynë pas suksesit. Kishte grindje me mua se pse isha në filma dhe pastaj njerëzit na flisnin, secilit prej nesh, gjërat për anëtarët tjerë. Përçajë dhe sundo”. Kur një film i ri po e kërkonte muzikën, Gifti vazhdoi i vetëm. “Dhe, kështu bënë edhe Dave e Andy, por ne nuk ia kishim përmendur këtë njëri-tjetrit. Gjithmonë betoheshim që të mos ishim një nga ato grupet që ndahen, e papritmas kjo ndodhi”. Ai është paksa i penduar. “Do të doja të kishim bërë më shumë, së bashku”.

Në vitin 2013, një ftesë për turne me Jools Hollandin e shtoi interesin e tij për të kënduar drejtpërdrejt. Në disa koncerte e përjetoi një ndjenjë pothuajse transcendentale. “Jo një përvojë e jashtme trupore, por më shumë: ‘Më mirë të mos e humbas kontaktin me tokën’. Tingëllon disi e çuditshme, apo jo”?

Ai gjithashtu këndon këngë të vjetra dhe të reja në projektin e tij të fundit, “Return to Vegas” – një shfaqje muzikore që po e përpunon nga Radio 4 e BBC-së, e që u dha premierë në prill. Ai e luan muzikantin Johnny Holloway, të grupit të quajtur “The Blacks”, që ka një seri hitesh botërore para se gjërat të shkojnë keq: Holloway merr “zakone të këqija”, shet të drejtat e këngëve që duhej të ishin pensioni i tij dhe përfundon i thyer, pa shokë, por më ndryshe pas pesë vjetëve në burg. “Ky mund të ketë qenë rrëfimi im, nëse gjërat do të shkonin ndryshe”; thotë ai.

Para këtij vrulli krijues, Gifti thotë se qëllimisht e kishte ngadalësuar karrierën, sepse dëshironte të ishte një baba i pranishëm për djemtë e tij. Babai i tij i kaloi tre vjet në burg, “kështu që nuk doja të isha këtu, atje dhe kudo, por nuk dija si ta menaxhoja përveç mënyrës sesi e bëra. Po të kthehesha prapa, do t’i bëja gjërat më ndryshe”.

Por, dy djemtë e Giftit tani janë rritur dhe gruaja e tij, Louise, vdiq nga kanceri vitin e kaluar. Ai është i etur që t’i rikthehet punës. I është kërkuar të shkruajë më shumë për radiot dhe sytë i shkëlqejnë teksa thotë: “Të shkruash për shfaqje kjo është si ndryshim i jetës”. Ajo që Gifti në të vërtetë nuk dëshiron është që të përshkruhet si alter egoja e tij tek “Return to Vegas”, kur dikush bërtet: “Nuk je njeriu që ishe dikur”.

“Është një ëndërrim i përsëritur kur ai nënshkruan dhe dikush vjen e i thotë: ‘Oh, ti je ai djalë nga.. vazhdo, nënshkruaje”, thotë dhe ndalet. “Kjo do të ishte një situatë makthi për mua, por është historia që përjeton Johnny, jo e imja. Ende ndjej se kam shumë për të dhënë”. /Telegrafi/