Oficerët e policisë së New Mexico u detyruan të qëllonin mbi dy djem të rinj të moshës vetëm shtatë dhe nëntë vjeç, pasi ata refuzuan të lëshonin një pistoletë, duke injoruar urdhrat e oficerëve.

Pamjet të cilat u publikuan të premten për incidentin e 16 shkurtit, tregojnë dyshen me pizhame Minecraft dhe Star Wars duke mbajtur një armë të mbushur plotësisht, transmeton Telegrafi.


Në një video që i tregohet publikut për të ilustruar se si përdoren dronët në skenarë të jetës reale, djemtë e mbajnë armën, herë pas here duke e tundur atë në mënyrë të pakujdesshme në drejtim të oficerëve dhe njëri-tjetrit sikur të ishte një lodër plastike.

Në një moment, njëri nga djemtë tërhoqi këmbëzën, por për fat të mirë, arma nuk funksionoi.

Duke ndjerë sikur nuk kishin zgjidhje tjetër, oficerët në vendngjarje hapën zjarr mbi të rinjtë, duke përdorur një plumb jo-vdekjeprurës dhe duke qëlluar në murin e një shtëpie në vend që të qëllonin drejtpërdrejt djemtë.

Pamjet shfaqin oficerët duke u përpjekur të qetësojnë një skenar makth, në të cilin fëmijët mund të shiheshin duke tundur armën drejt policëve.

Pamjet tronditëse nga droni tregon djalin më të vogël që përpiqet ta mbajë armën fort - asnjëri nuk duket se e kupton seriozitetin jetë a vdekje të asaj që po ndodh.

Në videon e kamerës së trupit nga policët përreth, e publikuar gjithashtu së bashku me imazhet e dronit, oficerët dëgjohen duke i lutur vazhdimisht djemtë që ta ulin armën.

Nuk ka britma, asnjë lëvizje të papritur - vetëm një lojë pritjeje e tensionuar dhe e zgjatur me jetët e dy fëmijëve dhe disa ndihmësve, të varur në fije të perit.

‘Ule, zemër’, dëgjohet një oficere duke iu lutur fëmijëve.

‘Nuk je në telashe, por duhet ta lëshosh dhe të vish të flasësh me ne’, vazhdon një oficer tjetër.

‘Ule armën dhe eja të flasësh me mua. Nuk je në telashe zemër. A mund ta lëshosh të lutem që të flasim’, vazhdon oficerja në një mënyrë qetësuese.

Pastaj dëgjohet duke i këshilluar një koleg që qëllon të synojë murin dhe të mos synojë drejtpërdrejt fëmijët, në një përpjekje për t’i trembur dhe për t’i bërë të lëshojnë armën.

‘Përpiqu të mos i qëllosh’, i thotë oficeri kolegut të tij.

‘Duam të të ndihmojmë’. “Nuk duam të të lëndojmë”, ndërhyn një oficer tjetër.

“Lëshoje tani ose do të të qëllojnë”, shtoi ai.

Më në fund, dy plumba gome shkrepen drejt fëmijëve, por ata arrijnë ta mbajnë armën e zjarrit në dorë. Një oficer nxiton për t'i ndaluar të dy, ndërkohë që ia rrëmben armën nga duart njërit prej djemve dhe e largon nga rreziku. /Telegrafi/