Pavarësisht se sezonin e kaluar arriti objektivat kryesorë – kualifikimin në Ligën e Evropës dhe pjesëmarrjen në finalen e parë evropiane të historisë së saj në Ligën e Konferencës – Real Betis vendosi të japë një shtysë të re projektit të Manuel Pellegrinit me një afat kalimtar verore të fuqishëm.

Drejtori sportiv Manu Fajardo nisi punën me intensitet të lartë, duke përforcuar fillimisht repartin e mbrojtjes dhe portës, aty ku 'Verdiblancos' kishin hasur më shumë probleme sezonin e kaluar. Klubi bleu përfundimisht qendërmbrojtësin brazilian Natan, riktheu në shtëpi si transferime të lira Pau Lopez dhe Junior Firpo, ndërsa pagoi mbi 5 milionë euro për talentin argjentinas Valentin Gomez.


Në mesfushë, Betisi siguroi një tjetër lojtar të preferuar nga Pellegrini, Rodrigo Riquelme nga Atletico Madrid, për afro 8 milionë euro.

Një investim për të ardhmen u bë me uruguaianin Gonzalo Petit, i blerë për 6 milionë euro, por i huazuar menjëherë te Mirandes për të fituar përvojë.

Deossa dhe Antony, sfidat e mëdha të afatit kalimtar

Një nga operacionet më të komplikuara ishte ai me Rayados de Monterrey për mesfushorin kolumbian Nelson Deossa, i transferuar për gati 12 milionë euro për të mbuluar boshllëkun e lënë nga William Carvalho.

Por surpriza më e madhe erdhi nga Manchester United: pas negociatave të gjata, Real Betisi siguroi brazilianin Antony, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar me 9 gola dhe 5 asistime vetëm në katër muaj huazim. Ky transferim hyn në mesin e tre më të shtrenjtëve në historinë e klubit.

Ndërkohë, lista e largimeve ishte e gjatë: Johnny Cardoso, Jesus Rodríguez, Romain Perraud, Borja Iglesias, Youssouf Sabaly, Iker Losada, Mateo Flores, Fran Vieites dhe Nobel Mendy nuk janë më pjesë e projektit.

Goditja e fundit: Sofyan Amrabat

Kur dukej se afati kalimtar po mbyllej, një surprizë shpërtheu pak minuta para afatit përfundimtar. Real Betisi fitoi garën me rivalin e përjetshëm, Sevillan, duke huazuar për një vit marokenin Sofyan Amrabat, pikërisht profilin e mesfushorit mbrojtës që kërkonte Pellegrini për të plotësuar repartin.

Ky operacion, që u cilësua si një “goditje” ndaj Sevillës, pasqyron momentet e ndryshme që po jetojnë dy klubet e qytetit: Real Betisi me ambicie dhe investime, Sevilla me probleme dhe largime.

Objektivat

Me nëntë afrime të reja, rikuperimin e lojtarëve të lënduar dhe një skuadër më të balancuar, Real Betisi synon të luftojë për rikthimin në Evropë, të shkojë sa më larg në Kupën e Mbretit dhe të bëjë një hap më të madh në garën kontinentale ku sezonin e kaluar shkroi historinë. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app