Reagon Policia e Shtetit: Kemi marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Angli

Policia e Shtetit të Shqipërisë ka reaguar me anë të një shkrese zyrtare se tashmë kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë.
Gjatë paradites së sotme (e enjte), Federata e Futbollit e Shqipërisë (FSH) ka njoftuar se zhvillimi i ndeshjes Shqipëri-Angli është në rrezik pasi Policia e Shtetit ka refuzuar të garantojë sigurinë e takimit.
Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit, që ka konfirmuar se tashmë është arritur marrëveshja mes palëve për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes.
Njoftimi i Policisë së Shtetit erdhi nga faqja e tyre zyrtare në rrjetin sociale Facebook.
Reagim i Policisë së ShtetitPolicia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë. Në datën 25 shkurt, në ambientet e Policisë së Shtetit, me përfaqësues të FSHF, zotin Lysien Nurishmi, është zhvilluar një takim para-përgatitor ndërmjet përfaqësueseve të FSHF-së dhe drejtuesve kryesorë të strukturave të Policisë së Shtetit. Aty u ra dakord për marrjen e masave për zhvillimin normal të këtij aktiviteti, sa i përket rendit dhe sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet për eskortimet dhe garantimin e sigurisë së lojtarëve të ekipit mik. Në datë 3 mars, Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me shkresë, ku ka kërkuar marrjen e masave për garantimin e sigurisë së ndeshjes ndërkombëtare të futbollit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pasi ka bërë rigonicionin e perimetrit të jashtëm të sigurisë të stadiumit, nisur edhe nga shqetësimi i bërë publik nga vetë FSHF, se rreth stadiumit dhe në hyrjet kryesore janë të vendosura subjekte biznesi në fusha të ndryshme, konstatoi se kishte burim rreziku për mbarëvajtjen e ndeshjes. Në këtë kuadër i ka kërkuar FSHF-së bashkëpunimin për sigurinë e aktivitetit, kjo edhe përmes komunikimit shkresor.










































